Home»Lifestyle»Psikologji: “Vetmia është burim lumturie për njerëzit e ndrojtur”

Psikologji: “Vetmia është burim lumturie për njerëzit e ndrojtur”

Si do ta kaloje një mbrëmje të lirë? Do të dilje të shëtisje me miqtë, apo do të rrije i vetëm në shtëpi? Nëse ke zgjedhur mundësinë e dytë, ka shanse të jesh një person i ndrojtur. Nëse ke zgjehdur të parën, të ftoj të lexosh mbi mënyrën se si funksionon bota e një personi introvert.

Për njerëzit e ndrojtur ndonjëherë është e vështirë të sigurojnë një jetë sociale. Madje edhe vetë shoqëria jonë konsideron si standard ideal për të jetuar atë të të pasur e një karakteri ekstrovert, pra jo të ndrojtur. Pikërisht klishe të tilla janë shkaku i distancës paraprake të personave të ndrojtur nga personat e tjerë përreth.

Shumë pak veta e kuptojnë se njerëzit e ndrojtur janë njerëz dhe nuk janë të huaj, nuk janë të trishtuar. Janë thjesht ndryshe nga pjesa tjetër që arrin të shprehet lirshëm me të tjerët. Burimi i lumturisë për ta është i ndryshëm nga ai i njerëzve jo të ndrojtur. Ndërkohë që njerëzit jo të ndrojtur marrin energji në shoqërinë e të tjerëve, ata të ndrojtur marrin energji në heshtje dhe në vetmi. Kjo gjë nuk do të thotë se njerëzve të ndrojtur nuk u pëlqen të kenë një jetë sociale të shëndetshme. Ata thjesht kanë nevojë të kalojnë më tepër kohë vetëm.

Steve Allen në librin e tij “Jemi introvertë dhe çfarë?” shkruan se personat e turpshëm janë më kritikë, më analizues të gjërave dhe më të rezervuar për të ndarë gjërat e tyre me të tjerët. Ata madje mërziten më kollaj.

Autori vazhdon duke na nxjerr në pah një aspekt kurioz të dy llojeve të njerëzve, sipas këtij klasifikimi. Mënyra se si njerëzit jo të turpshëm janë të lidhur me lumturinë është e ndryshme nga ajo se si janë të lidhur ata që janë të ndrojtur. Klasa e parë gjen lumturi duke e shprehur çfarë ndjen. Të flasin me të tjerët është burim lumturie për ta. Madje nëse do ta shohësh në humor apo të lumtur një person të tillë, mjafton të flasësh me të. E kundërta ndodh me klasën e  dytë. Ata kanë burim lumturie vetminë dhe duhet mjaft punë për t’i bërë të ndihen mirë apo të lumtur. Janë njerëz të qetë dhe duan që gjërat të rrjedhin qetësisht në jetën e tyre.

Mirëpo të gjithë duhet ta kuptojmë se forca e vërtetë qëndron tek diferencat mes nesh, jo tek të përbashkëtat dhe duhet t’i pranojmë të tjerët ashtu siç janë. Vetëm duke e bërë këtë gjë, mund të mësojmë më tepër nga njëri-tjetri dhe të arrijmë ekuilibrin e bashkëjetesës me personat që na rrethojnë. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *