Home»Analiza»Problemi i Hungarisë dhe vendeve të tjera euroskeptike

Problemi i Hungarisë dhe vendeve të tjera euroskeptike

Nga Bernard Guetta

Nuk do të jetë e lehtë. Më 17 prill, kur Emmanuel Macron do të shkojë në Parlamentin Evropian për të mbrojtur vizionin e tij për BE-në, dhe për të hapur praktikisht fushatën elektorale për zgjedhjet evropiane të vitit 2019, të gjithë do të mendojnë se ai vërtet beson dhe është i sinqertë.

Megjithatë, rizgjedhja triumfante e Viktor Orbanit në Hungari, qëndrimi ekstrem i shprehur kolektivisht nga Hollanda dhe shtatë shtete të tjera veriore, përballë idesë franceze të krijimit të një buxheti të përbashkët të eurozonës, përparimi i euroskeptikëve në Itali dhe sidomos maturia e detyruar e Angela Merkelit, e cila duhet të marrë parasysh krahun e djathtë të partisë së saj, frenojnë propozimet e Macronit.

Për këtë arsye, edhe mbështetësit e lindjes progresive të një bashkimi politik brenda Evropës mund të mendojnë se presidenti francez, i cili në mbrëmjen e zgjedhjes së tij këndoi himnin evropian, nuk i ka mjetet për të realizuar ambicien e tij. Por a janë vërtet kështu gjërat?

Situatë shumë pak inkurajuese

Le të analizojmë pikat një për një. Triumfi i Orbán më 8 prill do të thotë se Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke do të mbështeten më shumë se kurrë tek Hungaria, për të afirmuar sovranitetin e Evropës qendrore. Me një shumicë liberiste, Evropa Veriore do të vazhdojë të kërkojë një ekuilibër në llogaritë publike, përpara se të pranojë qoftë edhe një investim minimal të përbashkët. Italia do të mbetet pa qeveri për një kohë të gjatë, ose më keq, mund të afrohet me sovranistët e Evropës qendrore. Dhe në fund, kancelarja gjermane nuk do të ketë shumë hapësirë ​​për manovrim.

Situata, shkurt, nuk duket veçanërisht inkurajuese, por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se rritja ekonomike në Bashkim po fiton vrull, ndërsa papunësia po bie, madje edhe në Francë. Evropianët e kuptojnë këtë, dhe prova më e mirë është kthimi spektakolar i kërkesave sociale në Gjermani dhe Francë. Mbretëria e Bashkuar vuan kaq shumë nga Brexit, saqë idetë për të dalë nga Bashkimi ose euro nuk janë më shumë të preferuara në Evropë.

Pas sanksionimit të humbjes së Le Pen, këto pozicione u braktisën shumë shpejt nga të gjithë armiqtë e Unionit, të cilët përndryshe nuk do të kishin arritur sukseset e kohëve të fundit. Sa i përket Hungarisë dhe fqinjëve të saj, ata janë të kujdesshëm që të mos shkëputen nga BE, sepse e dinë se sa i dobishëm është solidariteti evropian për ta.

Me pak fjalë, në Evropë nuk ka shumicë vendimtare për të shkatërruar unitetin, sidomos sepse është e qartë që, në një kohë të shënuar nga kaosi në Lindjen e Mesme dhe deklaratat e Trumpit dhe Putinit, ne evropianët kemi një interes jetik për shtrëngimin e radhëve, dhe të mbrojmë së bashku nivelin tonë të lirisë dhe të mbrojtjes sociale, e cila nuk ka të ngjashëm në pjesën tjetër të botës.

Nuk do të jetë e lehtë, por e gjithë kjo mund të përmblidhet në një fjali: nëse nuk ju pëlqen Bashkimi Evropian, provoni të shihni se si është shpërbërja. / France Inter – Bota.al

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *