Home»Uncategorized»Çfarë ndodh në trupin tonë, kur konsumojmë shumë ëmbëlsira? Të dhëna që të gjithë duhet t’i dini

Çfarë ndodh në trupin tonë, kur konsumojmë shumë ëmbëlsira? Të dhëna që të gjithë duhet t’i dini

Dieta ushqimore ka rëndësinë bazë për të pasur një shëndet të mirë dhe ndjekja e një diete të duhur e të shëndetshme është në duart tona. Shpesh, njerëzit e lidhin dietën me uljen e sasisë së ushqimit që marrin gjatë ditës, ose me reduktimin e kalorive në ushqimet që konsumojnë për të rënë në peshë. Në të vërtetë, me dietë nënkuptohet marrja e sasive të nevojshme të ushqimeve me vlera të larta ushqyese, në mënyrë që të sigurohen edhe lëndët e nevojshme të organizmit. Pra, dieta me pak fjalë, është ekuilibrim i asaj çfarë duhet të marrësh, pa e tejkaluar në njërin nga përbërësit, si karbohidrate, yndyrna, apo proteina.

Mirëpo ne jemi njerëz dhe që të ndjekësh një dietë të caktuar për një kohë të gjatë, ndonjëherë është paksa e vështirë. Ne kemi dëshirë që ta shkelim ndonjëherë atë dietë dhe të hamë gjërat që na pëlqejnë, pa e vrarë shumë mendjen lidhur me dëmet që i shkaktojmë organizmit tonë. Duke qënë se thuajse të gjithë i pëlqejmë, ne abuzojmë pak me ëmbëlsirat gjatë ditës sonë. Por çfarë ndodh në trupin tonë, kur konsumojmë ëmbëlsira në sasi të lartë, apo kur i konsumojmë ato në mënyrë të shpeshtë?

Konsumi i tepërt apo i shpeshtë i ëmbëlsirave sjell këto pasoja në shëndetin tonë:

  1. Mungesë të lëndëve të tjera ushqyese, pasi duke konsumuar ëmbëlsira, shpesh harrojmë se i marrim kaloritë e duhura për gjithë ditën. Ne mund të marrim kaloritë e duhura, por jo yndyrnat, proteinat, vitaminat dhe mineralet që i nevojiten trupin tonë, po aq sa karbohidratet për të mirëfunksionuar.
  2. Dëmtime në mëlçi. Mëlçia ka aftësinë që karbohidratet t’i grumbullojë në sasi glikogjeni, ose t’i shndërrojë në yndyrna për t’i kthyer në ind dhjamor. Sasia e lartë e sheqernave e dëmton mëlçinë.
  3. Shtim në peshë, pasi siç e përmendëm më lartë, mëlçia ka aftësinë që të sigurojë prej glukozës gjithë substratet e nevojshme për sintezën e yndyrnave dhe për t’i dërguar këto yndyrna në indin dhjamor, duke kontribuar në shtimin në peshë, i cili do të vijë për çështje kohe.
  4. Shtohet dëshira për ëmbëlsira dhe shfaqet rezistenca insulinike. Ëmbëlsirat janë tepër tunduese dhe mund të bëhen një problem i vërtetë, sidomos nëse një person është diabetik. Por edhe kur nuk nuk vuan nga diabeti, ëmbëlsirat çojnë në shfaqjen e rezistencës insulinike, e cila është shkaku kryesor i diabetit mellitus tip 2.

5. Prodhim të acideve në dhëmbë me karies dentar dhe dëmtim të dhëmbëve. Me siguri e keni dëgjuar edhe ju se ushqimet e ëmbla i dëmtojnë dhëmbët tuaj. Këto fjalë nuk janë legjendë. Bakteret në gojë preferojnë të përdorin sheqernat për ciklin e tyre jetësor dhe në momentin që ju i konsumoni shpesh, apo në sasi të lartë ëmbëlsirat, ju i krijoni atyre terrenin e duhur për t’u rritur, për t’u zhvilluar dhe për të dëmtuar dhëmbët tuaj.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *