Home»Sport»Buffon, zemërimi dhe lotët e kapitenit

Buffon, zemërimi dhe lotët e kapitenit

Përralla ishte, por jo fundi i lumtur. Juventusi largohet nga Bernabeu me tërbim në sy, në fjalë dhe në zemër, pasi kishte arritur për pak fitoren deri 9 sekonda para fundit të një gjysmëfinaleje epike. Deri kur arbitri anglez Oliver akordoi një penallti për Realin e madridit. Një vendim që shkaktoi një shpërthim zemërimi të paprecedentë për bardhezinjtë: në fushë dhe në dhomat e zhveshjes lojtarët, traineri dhe presidenti kanë shfryrë të gjithë zemërimin për një vendim, i cili veç të tjerash i ka dhuruar kapitenit Gigi Buffon, finalen më të hidhur e të padrejtë. Ndeshja e fundit në Champions e portierit dhe kapitenit juventin është mbyllur me një përjashtim për protesta, që ka bërë xhiron e botës, ndërkohë që ai vetë shpall lamtumirën ndaj futbollit. 

“Jam i emocionuar që kam parë një skuadër të tillë – thotë posuaj në lot pas ndeshjes – dhe për mua krenaria më e madhe është fakti që jam kapiten i kësaj skuadre: keqardhja më e madhe që do të lë futbollin është pikërishit ajo, pra që do i lë këta djem. Por jeta vazhdon: shpresoj t’u kem transmetuar diçka dhe shpresoj që ta vlerësojnë”.

Një kafshë me kosh plehërash në vend të zemrës

Me një përqafim të madh dhe të fortë, Gigi Buffon dhe Andrea Agnelli janë përshëndetur në korridoret e stadiumit. Një gjest miqësie, ndërkohë që Bernabeu i ka dhuruar një standing ovation portierit, në momentin e daljes së detyruar nga fusha, i dobishëm edhe për të çliruar disi tensionin e një nate kaq të çmendur. 

“Arbitri bëri një gafë dhe e pranoj – thotë kapiteni bardhezi – por nuk pranoj që një arbitër të mos ketë personalitet, kurajë dhe aftësi të jetë i qetë. Atëherë duhet të rrish në tribunë dhe të hash patatina… Shkatërroi një ëndërr: të japësh një penallti të tillë dhe të nxjerrësh jashtë një që nuk ka dalë kurrë me të kuqe për protesta, kjo nuk shkon aspak. Je një kafshë atëherë, që ke një kosh plehërash në vend të zemrës”.

Buffon është si një lumë i tërbuar, por edhe Giorgio Chiellini nuk bën shaka. Fillimisht u bën gjestin e parave lojtarëve të Realit dhe më pas sulmon: “Vitin e kaluar Bajerni, këtë vit ne. Gjithë ajo që bëri arbitri është e pakomentueshme”.

Presidenti

Në fushë zbret edhe presidenti Agnelli, i tronditur nga ajo që ka parë dhe i zemëruar nga mënyra si u sfumua sipërmarrja më e madhe e Juves. “Arbitri u zhyt në konfuzion – sulmon ai. Mori një vendim të gabuar dhe një të dytë të tepruar. Momentet duhen kuptuar dhe këtu, ai, nuk kuptoi asgjë. Duhet që VAR të futet edhe në kompeticionet evropiane, dhe ndoshta ka nevojë edhe për ndonjë reflektim për caktuesin e arbitrave. Goditen skuadrat italiane në mënyrë pothuaj shkencore. Duhet që të ndryshojë çdo tre vjet caktuesi”.

Nuk duhej të përfundonte kështu, mbi të gjitha pasi u përmbys 0-3 e Torinos, me një ndeshje perfekte dhe emocionuese. “Meritonim shtesën – analizon Massimiliano Allegri – por episodet e ndeshjes së parë dhe të dytës ishin vendimtarë. Ky kualifikim i Realit u vendos nga dy gabime të arbitrave, duke parë që në ndeshjen e parë ishte një penallti e padhënë ndaj Cuadrados. Sergio Ramos në tunel thoshte që ishte penallti e qartë… Unë iu përgjigja që ishte gri, por tani është e kotë të ankohemi: të harrojmë hidhësinë, sepse tani duhet të rifillojmë me kthjelltësi në kampionat”. / La Stampa – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *