Home»Analiza»Trump po realizon reality show-n më të madh që është bërë ndonjëherë

Trump po realizon reality show-n më të madh që është bërë ndonjëherë

Chris Cillizza

Ti mund ta lësh Reality TV-në. Por Reality TV nuk të lë kurrë ty.

Ky është mësimi – ose të paktën një prej mësimeve – që 13 muajt e parë të presidencës së Donald Trumpit na kanë dhënë. Në mënyrë të përsëritur, Shtëpia e Bardhë e Trumpit i është dukur të gjithë botës, si një reality show gjigand – me të njëjtët personalitete të forta, rivalitete, goditje pas shpine, dhe kthesa ngjarjesh, që e kanë bërë ndjekjen e jetëve të të tjerëve, një prej sporteve më të preferuar.

E marta për shembull ishte një episod shumë i mirë.

Filloi me Trumpin që këmbëngulte se të gjithë zërat që në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi, janë të ekzagjeruar. Ai shkruajti në Twitter:

“Narrativa e re e Lajmeve të Rreme është se në Shtëpinë e Bardhë ka KAOS. Gabim! Njerëzit do të vijnë e do të ikin gjithmonë, dhe unë dua dialog të fortë, para se të marr një vendim përfundimtar. Unë ende kam disa njerëz që dua t’i ndërroj (gjithmonë kërkoj përsosmërinë). Nuk ka Kaos, ka vetëm shumë Energji!”

Ashtu si një producent i mirë i një Reality TV, edhe në atë garanci se gjithçka shkon mirë, gjeje brenda shenjën – për shikuesit që marrin vesh – se gjithçka nuk është aspak mirë.

Si mund të shpjegohet ndryshe ky rresht: “Unë kam ende disa njerëz që dua t’i ndërroj?” Nëse ti do që të ndalosh median të fokusohet tek ndërrimet e stafit, si tregues të kaosit në Shtëpinë e Bardhë, përse duhet t’i lësh të kuptojë që do të ketë të tjera ndërrime?

Dhe shenja që ofroi Trumpi u materializua të martën pasdite, kur dolën zërat se Gary Cohn, kryekëshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë do të largohej, pasi humbi një debat të brendshëm, në lidhje me tarifat mbi çelikun dhe aluminin.

Më e habitshme për largimin e Cohn, nuk është mënyra teatrale se si u largua, por se vetëm pak javë më parë, njerëzit flisnin për Cohn, një ish drejtues në Goldman Sachs, si kandidat kryesor për të zëvendësuar John Kellyn, si Shef Kabineti të Shtëpisë së Bardhë.

A kanë këto ulje ngritje të fatit të një njeriu, ndonjë gjë më shumë se sa materialet e Reality TV? Burri apo gruaja që ti beson se me siguri do të fitojë “Survivor”, apo që do të marrë trëndafilin e fundit tek “The Bachelor”, krejt papritur bie dhe del jashtë, sa hap e mbyll sytë.

Ti nuk e parashikon asnjëherë! Përmbysja e pritshmërive tregon se gjithësekush është i goditshëm. Cilido mund të ikë, në çdo kohë. Kjo e bën shfaqjen – në këtë rast Shtëpinë e Bardhë – shumë të vështirë për t’ia shqityr sytë, përderisa nuk mund ta parashikosh se çfarë do të ndodhë më pas.

Një shembull? Përmbysja e pritshmërive është ajo që e bëri ekzekutimin e Ned Starkut në Sezonin 1 të “Game of Thrones”, themelin për suksesin e ardhshëm të shfaqjes. Vërtetoi se konvencionet e televizionit normal ishin hedhur nga dritarja – duke e bërë Game of Thrones, një shfaqje që duhej parë patjetër.

Meqë ra fjala tek Kelly, shefi i shtabit është gjithashtu tipik për Reality TV: I miri / i keqi. Askush nuk e lexon dot se cilët janë motivet e vërtetë të Kellyt, apo nëse ai është dashamirës apo dashakeq. Dhe më e rëndësishmja, nëse personazhi kryesor në shfaqje – domethënë në Shtëpinë e Bardhë – e pëlqen apo jo atë.

Shikoni këto dy lajme në lidhje me Kellyn javën e kaluar.

Së pari, në New York Times, ishte ky paragraf në lidhje me vajzën e Trumpit, Ivanka dhe dhëndrrin e tij, Jared Kushner.

“Megjithatë, ndihmësit thanë se Trumpi i ka thënë çiftit që duhet të vazhdojnë të shërbejnë në rolet e tyre, edhe pse privatisht ai i ka kërkuar Kellyt që ta ndihmojë për t’i nxjerrë jashtë”.

Trump i thotë fshehtas Kellyt që dëshiron ta nxjerrë Ivankan jashtë, ndërkohë që çiftit i thotë që të qëndrojnë! Ç’skenar!

Pastaj, është ky lajm që doli në CNN të martën:

“Presidenti i ka dhënë kurajë Anthony Scaramuccit, ish kreu i komunikimit që u largua pas vetëm dhjetë ditësh, që të vazhdojë të sulmojë shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, gjatë daljeve të tij në banakët e lajmeve, i tha CNN një burim që e njeh situatën”.

Trumpi po përdor Scaramuccin – një i mirë / i keq i Realty Show-t – që të sulmojë Kellyn të cilin, sipas disa lajmeve, dëshiron ta largojë. Scaramucci e ka bërë në mënyrë brilante detyrën, duke e sulmuar Kellyn në një seri daljesh – duke vërejtur se morali në Shtëpinë e Bardhë është i ulët, kaosi i lartë dhe duke ia vënë fajin Gjeneralit Kelly.

A po largohet Kelly? Apo është ai më thelbësor se kurrë më parë, duke parë rolin e tij si polic i keq ndaj Javankas? Po sikur të jenë të dyja – Kelly nxjerr jashtë Javankan dhe më pas bie mbi shpatën e tij (ose shtyhet mbi të)?

E vërteta është se as Mark Brunett nuk do të mund të krijonte një reality show me profil kaq të lartë, me kaq shumë dramë, kaq shumë personalitete dhe ku stekat janë ngritur kaq lartë. Ky është një projekt, të cilin vetëm Donald Trump mund ta bënte të ndodhte.

Impakti afatmesëm dhe afatgjatë i drejtimit të Shtëpisë së Bardhë, e si pasojë edhe vendit, mbi parimet e Reality TV mbetet për t’u parë. Njerëzit nuk ia heqin dot sytë spektaklit, sigurisht, por gjithnjë e më shumë prej tyre thonë se nuk u pëlqen ajo që shohin.

Trumpi po vë bast se pas pak vitesh mjaftueshëm njerëz do të votojnë për ta rinovuar shfaqjen, të magjepsur ndoshta prej asaj që shohin dhe asaj që presin të ndodhë – nëse ato mund t’i pranojnë vetes se shfaqja po u pëlqen. / CNN – Bota.al

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *