Home»Keshilla»Të lutem, mos hiq dorë nga ëndrrat!

Të lutem, mos hiq dorë nga ëndrrat!

Ëndrrat i kemi, sepse pa to nuk mund ta përballonim dot realitetin. Por sa vlen një ëndërr në Shqipëri?

Përditë dëgjojmë dhe lexojmë lajme që na bëjnë ta shohim realitetin pa ngjyra, plot me doza pesimizmi. Një efektive vetëvritet, dikush i pret kokën kushëririt të vet dhe një i ri gjendet i vrarë në Sharrë, me hipotezën se është vrarë prej njërit prej traktorëve të landfillit.

Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se jetojmë në një absurd, se është e kotë të përpiqemi t’i realizojmë ëndrrat tona kur fundi jonë mund të jetë shumë pranë. Këto mendime arrijnë ta mbysin optimizmin e duhur për të ushqyer ëndrrat tona.

Por, nëse e ke kuptuar qëllimin e jetës, unë do të të kërkoja të mos ndaleshe nga raste të tilla. E nesërmja është një mister për të gjithë, por kjo nuk do të thotë se, si e tillë, ajo duhet menduar pa ngjyra. Le të përpiqemi që, me sa mundësi të kemi, t’i realizojmë ëndrrat tona. Në Shqipëri mundësitë janë disi të pakta, por kënaqësia është më e madhe, kur ia del mbanë në mes të vështirësive.

Vërtet që dikush ka lindur me fat dhe gjithçka e ka pasur të gatshme në jetë, por këto janë raste shumë të rralla. Vërtet që mundësitë janë të pakta, por kapitalizmi kështu funksionon. Në krye duhet të qëndrojë më i miri. Ajo që duhet diskutuar është, të mos lodhemi për t’u përmirësuar për të arritur nivelin më të mirë dhe ta arrijmë kreun e diçkaje, pa u ndalur nga pengesat që na shfaqen rrugës.

Të duhet një kualifikim i ri? Puno dhe siguroji të ardhurat për ta mbyllur atë.

Një udhëtim jashtë vendit? Puno dhe siguroji të ardhurat për ta bërë atë.

Ëndërron një jetë më të mirë? Mundohu që në çdo vendim që merr, të sigurosh kënaqësinë shpirtërore, përpara asaj materiale, sepse një jetë e lumtur është domosdoshmërisht një jetë më e mirë. Gjithçka duhet ta nisësh nga vetja. Ti je epiqendra e vetes tënde. Në librin “Sekreti” të autores Rhonda Byrne, thuhet “Ne veprojmë në bazë të ligjit të tërheqjes. Tërheqim drejt vetes ato që ne dëshirojmë të kemi në jetë”.

Normalisht gjithçka kërkon vullnetin dhe sakrificat e veta, por çdo gjë fillon nga një mendim i thjeshtë, i cili fillon e shndërrohet në një ëndërr, plotëson një vullnet të hekurt dhe në fund ëndrra realizohet. Mos prit nga shteti, mos prit nga të tjerët, mos prit asgjë nga askush. Fillo që sot dhe merr në dorë frenat e jetës tënde. Sa herë të zhgënjehesh, kujto se çdo ëndërr e madhe nuk mund të realizohet pa disa rrëzime gjatë rrugës dhe të tilla ne kemi plot në Shqipëri, por çështja është t’i përtypim këto disfata sa më lehtë. Asnjëherë mos e mendo dhënien fund të jetës thjesht për shkak se gjithçka të duket e kotë dhe se çdo përpjekje e jotja nuk po të çon drejt destinacionit që synon. Mos ji aq egoist, sepse ka plot persona që jetojnë për të të pasur ty pranë vetes.

Njëkohësisht, mos nis asnjë punë në të cilën të trajtojnë me indiferencë. Kërkoji gjithsecilit të të respektojë aq sa ti e respekton. Jo më shumë, apo më pak, sepse nuk është e drejtë.

Në fund, kur gjithçka ta kesh realizuar, kënaqu me arritjet e tua. Ndërto një ëndërr tjetër, më të madhe se e para dhe realizoje edhe atë. Pas çdo arritjeje do të fitosh kënaqësi dhe besim në vete, i cili që në momentin që ndërtohet, do të të bëjë të pandalshëm përballë çdo vështirësie në jetë. Ti mund t’ia dalësh! / Fatjon Xhafaj

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *