Home»Keshilla»Studion për të punuar në call centër? Ky realitet është i dhimbshëm, tepër i dhimbshëm…

Studion për të punuar në call centër? Ky realitet është i dhimbshëm, tepër i dhimbshëm…

Rinia thuhet se është e ardhmja e një vendi dhe normalisht prej saj duhet pritur më e mira, por çfarë mund të presësh nga rinia shqiptare?

Studion, investon mund e të ardhura dhe në fund shpërblehesh me një kërkesë të kufizuar punësimi nga tregu i punës. Interesohesh në ato vende që publikohen dhe përgjigja që merr është “Ne nuk punësojmë pa eksperiencë”, a thua se eksperiencën do ta fitoje sa hap e mbyll sytë,  pa përfunduar ende vitet e studimit. Kërkon, mundohesh akoma më tepër për të gjetur një vend pune dhe në fund, si mundësi e vetme, atëherë kur e di një gjuhë të huaj, të hapen dyert e një call centeri dhe në të kundërt, kur nuk di asnjë gjuhë të huaj, të hapen dyert e një fabrike fasonerie. Nëse kjo është një fatkeqësi apo fatmirësi, varet nga këndvështrimi i secilit.

Nga njëra anë, është diçka e mirë për shtetin sepse ul nivelin e papunësisë, kurse nga ana tjetër është zhgënjyese për vetë individin që ka investuar në diçka dhe në vend që të përftonte atë që priste, përfitoi një vend pune të tillë që përmban edhe individë pa një diplomë universitare.

Por ky është aktualiteti në Shqipëri dhe për fat të keq, mundësitë që ne kemi për ta ndryshuar janë minimale. Ajo çfarë duhet bërë, është të punohet. S’ka rëndësi se ku; s’ka rëndësi se me çfarë pagese. Mund t’ju duket absurde një gjë e tillë, sepse në punë shkon për një pagesë në këmbim, por mund t’jua them me siguri se ka pasur plot persona që kanë punuar edhe falas, sikur po bënin bamirësi dhe kanë fituar në fund. Ata fituan fillimisht ekperiencën dhe në fund, pasi niveli i punës së tyre u rrit gradualisht , përfituan një vend pune me pagesën e duhur për ta.

Është e dhimbshme të shohësh një rini të zhgënjyer, e cila përgjatë viteve të studimit u kërkonte të ardhura prindërve për gjithçka, dhe tani as që mundet të ketë një punë për të siguruar të ardhurat e nevojshme për shpenzimet e veta. Por ja që e ardhmja erdhi e tillë dhe ti s’mund të rrish në vend. Duhet të lëvizësh çdo gjë vetëm për t’ia dalë mbanë. Je në një moshë të tillë që mund të shohësh se sa kanë vuajtur prindërit e tu. Fundja, ne jetojmë në Shqipëri dhe në shumicën e rasteve, prindërit tanë bëjnë punë të thjeshta, të paguara pak. A ia vlen më tani që ti ke kohën e nevojshme, të mos punosh e të vazhdosh të përfitosh të ardhura prej tyre? Sa do të shijojë ajo kafe që do të pish dhë që nuk e ke paguar vetë?

Unë të këshilloj të punosh fort edhe në një punë të rëndomtë, por kurrë mos humb kohën e lirë me gjëra të kota. Siguro të ardhurat që të nevojiten, ama kohën e lirë shfrytëzoje për t’u rritur profesionalisht në profesionin për të cilin ke studiuar. Ti ke kohën në favorin tënd dhe duhet ta shfrytëzosh atë. Ndoshta prisje një të ardhme ndryshe pas përfundimit të shkollës, por tani që po e përjeton atë, mos u zhgënje. Koha nuk duhet humbur me ndjesi të kota, por duhet mbytur me veprime për të dalë në krye.

Ndaj, vazhdo studjo. Puno pak orë, qoftë edhe falas, thjesht për të siguruar eksperiencën që e kanë kriter të shenjtë punëdhënësit shqiptarë.  Në fund nuk ke për të humbur, sepse fati troket në derën e atyre që guxojnë dhe përpiqen për t’i arritur synimet e tyre. Nuk kanë qenë ekspertë ata që e kanë siguruar atë vend pune që ti synon, ndaj mos u ndal së përmirësuari. Investo në mendjen tënde dhe do të dalësh në krye.

Çfarë mund të presim ne nga rinia e vendit tonë? Normalisht vetëm progres, sepse e ardhmja duhet parë përherë me pozitivitet. Mosha e re e vendit tonë ka synuar në vite një shkollim dhe ia ka dalë ta përfundojë atë. E ardhmja e vendit tonë përpiqet të gjejë një vend pune, sepse nuk pranon të jetojë si parazit në kurriz të dikujt tjetër. Rinia jonë është ndërgjegjësuar tashmë dhe për çdo vend pune ka filluar të përdorë edhe rrjetet sociale për t’u interesuar mbi to. E vetmja gjë që duhet për ta mbyllur këtë cikël progresi, është vetëm besimi dhe sakrifica. Besimi se një ditë do t’ia dalin të qëndrojnë në majë dhe sakrifica e disa ditëve apo muajve për t’u vetëpërmirësuar.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *