Home»Lifestyle»Shendeti»Pse duart dhe këmbët na qëndrojnë të ftohta?

Pse duart dhe këmbët na qëndrojnë të ftohta?

Temperaturat janë ulur mjaft këtë javë dhe thuajse të gjithëve na ka lindur ndonjëherë pyetja se pse na rrinë të ngrira duart dhe këmbët në dimër, ndërkohë që kur prekim trupin tonë, temperatura është shumë më e lartë. Më në fund do të lexoni një përgjigje shkencore prej një mjeku.

Dr. Albert Ahn, një mjek i sëmundjeve të brendshme, ka folur mbi faktin se pse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës.
“Të kesh duar dhe këmbë të ftohta nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, sepse kjo gjë ka të bëjë me aftësinë e trupit për të ruajtur temperaturën e duhur në organet jetësore”.

Kur ne ekspozohemi në temperatura të ulëta, trupi përpiqet ta mbajë të pandryshuar temperaturën e brendshme duke ngushtuar enët e gjakut që ndodhen në lëkurë. Kjo gjë kuptohet që e ul fluksin e gjakut në sipërfaqen e lëkurës si dhe në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme duke bërë që organet më të rëndësishme të organizmit, si zemra, truri, mushëritë dhe organet e barkut të furnizohen me gjak në temperaturë të pandryshuar. Një gjë e tillë ka shumë logjikë, sepse në temperaturat e ulëta e rëndësishme është të ruhen fuksionet kryesore të organizmit të kryera prej organeve, kuptohet në kurriz të funksioneve dytësore, siç janë ndjeshmëria e lëkurës, apo lëvizjet muskulare. Dhe duke qenë se ulet fluksi i gjakut në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kuptohet që duke mos u furnizuar mirë me gjak në temperaturën e duhur, duart dhe këmbët do rrinë të ftohta.

Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të tilla, se sa disa të tjerë, por kjo gjë nuk është aspak një problem, sepse çdo organizëm ka mekanizmat e vetë përshtatës ndaj temperaturës ambientale. Ekspozimet e vazhdueshme në të tilla temperatura bëhen të rrezikshme, sepse rrisin mundësitë që në të ardhmen njerëzit të vuajnë nga hipertensioni arterial, pra tensioni i lartë nga i cili vuajnë tashmë shumë të moshuar. Shumë persona vuajnë edhe nga morthet në gishta, të cilat janë jo vetëm të bezdisshme, por edhe shumë të dhimbshme. Ndaj, e vetmja gjë që duhet të bëni kur dilni nga shtëpia, është të visheni me veshje të trasha kur e ndjeni se jashtë po bën ftohtë dhe në këtë mënyrë, efektet e dëmshme të temperaturës së ulët do të jenë edhe më të ulëta. Ndërkohë që jeni në shtëpi, në ndihmë do t’ju vijnë metodat popullore të vendosjes së duarve dhe këmbëve në ujë të ngrohtë. Kjo gjë do të rrisë furnizimin me gjak në duar dhe këmbë dhe nuk keni për ta ndjerë më ngrirjen e tyre prej të ftohtit.

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *