Home»Lifestyle»“Mbi të gjitha, zgjidh dashurinë”. Historia motivuese e Mandy Morris, që të gjithë duhet ta lexojnë

“Mbi të gjitha, zgjidh dashurinë”. Historia motivuese e Mandy Morris, që të gjithë duhet ta lexojnë

“Kush mendon se je? Je një bjonde idiote, një vajzë e pasur, jeta e të cilës ka qenë shumë e lehtë”. Kështu më ka thënë shumica e njerëzve, kur askush nuk e njeh se sa e vështirë ka qenë e shkuara ime. Kur isha në shkollë të mesme, motra ime kishte probleme me konsumimin e drogës. Mbaj mend kur një herë erdha vonë nga shkolla dhe po dëgjoja motrën të bërtiste me zë të lartë. Hyra në dhomë me nxitim dhe pashë mamin që po e shtrëngonte motrën për të mos e lejuar të ikte nga krahët e saj. E shokuar shkova drejt mamit dhe po e përqafoja duke qarë. Në një moment, motra u shkëput nga krahët e saj dhe shkoi në tualet. Mbylli derën, por mami kishte një çelës të dytë dhe e hapi nga jashtë. Në atë moment hyra unë me nxitim në tualet dhe e kyça sërish derën nga brenda duke e lënë mamin jashtë. Ndenja për pak minuta me motrën përballë dhe ajo, njësoj si unë, ishte duke qarë. “Pse nuk më do mami?” bërtiste ajo me lotë në sy. Kur ndjeu që mami u largua nga dera e tualetit, ajo hapi derën dhe u arratis nga shtëpia.

Babi me mamin ishin ndarë me kohë. Me babin ndihesha e sigurtë. Ai më mësoi shumë për jetën, më mësoi si të argëtohesha me gjëra të thjeshta, më mësoi të ndihesha e qetë në krahët e tij. Ai ishte i martuar me dikë tjetër dhe unë i thashë që doja të jetoja me ta. Mami nuk kujdesej për mua dhe motrën. Ajo na keqtrajtonte dhe doja të jetoja larg saj. Isha 11 vjeçe në atë kohë dhe u përballa në gjykatë me nënën time. Lexova para gjykatësit letrën që kisha shkruar me gjithçka që ajo kishte bërë me mua dhe motrën time dhe kisha një siguri shumë të madhe që gjykatësi do më lejonte të jetoja me tim atë dhe njerkën time. Nuk ndodhi kështu. Gjykata vendosi që unë të vazhdoja të rrija me nënën. Shkova tek shtëpia e saj dhe e urreja, isha shumë e mërzitur me të. Nuk doja as ta takoja në aeroport…

Kur isha 13 vjeçe, shkova në shtëpi dhe disa orë më vonë, im atë më telefonoi. Ai nuk ndihej mirë. Arrita ta dalloja nga zëri i tij. Më tha se thjesht më telefonoi për të më përshëndetur, por e ndieja se diçka nuk ishte në rregull. I thashë: “Ba, a je mirë?” dhe ai m’u përgjigj: “Jam mirë”.

Shkova tek mami dhe duke qarë, i thashë: “Ma, edhe pse ti nuk e do më babin, por ai nuk është mirë dhe duhet ta telefonosh”.

Ajo mori telefonin dhe pasi foli pak me të, u shpreh gjithë ironi: “S’e kuptoj pse duhet të flas me njerëzit në momentet e tyre të fundit”. Në atë moment e kuptova se diçka e rëndë po ndodhte. I mora mamit telefonin nga dora dhe duke qarë, i thashë babit: “Babi, unë kam nevojë për ty. Unë dhe motra kemi nevojë për ty. Të lutem, bëhu i fortë. Ne të duam. Ti je perfekt. Ti je i veçantë”. Ai më tha të ndaloja dhe me një zë plot pikëllim, nga ana tjetër e telefonit dëgjova fjalët e tij që më goditën rëndë si një shuplakë e fortë në fytyrë: “Shpirt, babi ndihet i lodhur” dhe unë shpërtheva në lot dhe të bërtitura.

Mami mori telefonin dhe filloi t’i bërtiste: “Bastard, ti s’ke për t’i lënë këto vajza të vetme. Më thuaj ku je tani?”.

Ai i tha mamit se ku ndodhej në ato momente dhe unë rrija dhe mendoja se, nëse dikush do ta mbështeste dhe do t’i thoshte se çdo gabim në të shkuarën e tij ishte harruar dhe ishte falur, ai nuk do të provonte të vriste veten me ilaçe. Ai vdiq dhe më la një plagë të rëndë në shpirt. Nuk po e merrja dot veten. Fillova të merrja nota të ulëta dhe nuk e shihja të arsyeshme të përpiqesha për të arritur atje ku isha. E mbaj mend shumë mirë që një nga mësueset më tha: “Çfarë të ka ndodhur? Nuk do të shkosh gjëkundi, nëse vazhdon kështu”. Unë i buzëqesha dhe i thashë: “Po, unë nuk dua të shkoj gjëkundi”.
Isha 20 vjeçe dhe nisa të përfshihesha në marrëdhënie jo të shëndetshme. Nisa t’i lejoja njerëzit të më trajtonin pa respekt. Fillova një marrëdhënie me dikë që nuk duhet të lidhesha kurrë. Ai ishte shumë xheloz dhe i pasigurtë. Mbaj mend që një natë isha në një dhomë me të dhe ai filloi të tregohej i dhunshëm edhe fizikisht, jo vetëm psikologjikisht si më parë. Më qëlloi me një shishe vere dhe ishte goditja e fortë e shishes së verës në fytyrë që më bëri të kuptoja sa poshtë kisha rënë. I bërtita: “Dil jashtë. Zhduku nga jeta ime”. Ai iku. Nuk e di se kush foli përmes gojës sime për t’i bërtitur atij, por falenderoj Zotin që një gjë e tillë ndodhi dhe më bëri të reflektoja se sa poshtë kisha rënë.

Unë ndihesha e frikësuar të jetoja e vetme. Isha e frikësuar të lija dikë të më donte plotësisht, kështu që u lidha me dikë që nuk më donte. Kuptova se nuk duhet të jetoja më një jetë me frikëra. Fillova të merrja vendime e nxitur nga dashuria. Ndonjëherë vendime të tilla janë guximtare, perfekte, të çmendura, por që më kanë bërë një person më të mirë.

Më në fund kuptova edhe pse mami jonë sillej në mënyrë të ashpër dhe të dhunshme me ne. Njerku ynë ishte i varur nga alkooli dhe gjithë mërzitjen ajo na e nxirrte neve. Më parë unë kisha kontakt me të vetëm kur zihesha, derisa një herë u zura me të dhe i thashë të hiqte dorë nga gjërat dhe njerëzit që e lëndonin. Pas disa muajsh, fjalët e mia dhanë efekt tek ajo dhe, kur më në fund mami mori vendimin të largohej prej tij, filloi të kërkonte lumturinë në jetë. Ajo nisi të më telefononte më shpesh, të më shkruante më shpesh dhe tërë kohës më falenderonte se e kisha shpëtuar. Në atë momente kupton se në fakt nuk kishe shpëtuar dikë tjetër, por kishe shpëtuar veten në radhë të parë. Nuk e dija se ku kisha gabuar, apo se ku kisha mësuar se duhet ta tregoje se vleja mjaftueshëm për të marrë dashuri. Ekzistenca është e mjaftueshme për të marrë dashuri. Gabimi im ishte se mendoja se duhet të isha dikush jo vetvetja për t’u pranuar nga të tjerët, për të jetuar një jetë të bukur dhe për t’u ndjerë e dashuruar. Tashmë kujtoj ngjarjet e së shkuarës sime dhe ato më ndihmojnë të përmirësohem akoma më shumë dita-ditës.

Nëse edhe ti je njësoj siç kam qenë unë dikur, dije se ty të duan, të kuptojnë dhe të pranojnë për atë që je. Nëse dikush të thotë se ti nuk vlen, fali dashuri sepse me siguri ka nevojë për të, sepse po të gjykon ty. Ka diçka gabim tek ata që i gjykojnë të tjerët, por nuk ka lidhje me ty. Duhet ta kujtosh gjithmonë këtë gjë. Jeto me pozitivitet dhe mos harro të zgjedhësh  dashurinë. Unë ta siguroj se vetëm kur të jesh duke jetuar një jetë me dashuri, do të tërheqësh drejt vetes edhe dashurinë e të tjerëve. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *