Home»Histori»HELENA E TROJES / Bukuri fatale

HELENA E TROJES / Bukuri fatale

Kush ishte në të VËRTETË gruaja për të cilën shpërtheu lufta midis grekëve dhe trojanëve? HIPOTEZA të vjetra dhe të reja, midis LEGJENDËS dhe arkeologjisë

Screen Shot 2015-07-06 at 3.57.57 PM

Një pre e bukur, bionde, e zbehtë si mermeri, viktimë delikate e dëshirës së të tjerëve? Jo. Një gërnjare gjysmë-nudo, me një bukuri që ishte çdo gjë, përveçse klasike, e megjithatë me kaq shumë influencë, sa bën të vihen në lëvizje ushtri të tëra. Është ky, sipas historianes angleze Bettany Hughes, portreti më i mundshëm i femrës fatale të lashtësisë: Helena e Trojës, gruaja për të cilën flet Homeri tek Iliada, më shumë sesa 3 mijë vite të shkuara, e cila bëri të shpërthejë lufta midis grekëve dhe trojanëve.

Princeshë pa flokë

“Helena është një personazh mitik, por personazhi i saj mund t’i ketë rrënjët tek njëra prej mbretëreshave spartane të shekullit XIII para Krishtit”, shpjegon studiuesja, autore e një investigimi të gjatë në këtë fushë. Vendi ku duhet të kërkojmë Helenën e vërtetë nuk është pra Troja (vendi që sot ndodhet në Turqi, e që në tregimin e Homerit ishte vendbanimi i saj pas rrëmbimit nga Paridi), por Sparta, ku e reja do të bëhej sovrane në krah të burrit, Menelaut.

“Për shumë vite është menduar që pallati i Menelaut duhej kërkuar mbi kodrinën e Terapne-së, jashtë Spartës, ku janë restauruar 300 statuja të lidhura me kultin e Helenës”, tregon Hughes. “Sipas disa arkeologëve grekë, gërmimet e fundit të bënin të mendoje që mbetjet e Lacedemone-s, kryeqytet i Peloponezit jugor në përfundim të epokës mikenase, gjenden në Pellana, 25 km në veri të Spartës”.

Këtu, kur mbushnin moshën 12 vjeç, vajzat e 3.200 viteve të shkuara ishin në moshë për burrë, dhe Helena nuk bënte përjashtim. Vetëm atëherë do të kishte mundësi t’i rritej floku i lëmuar, siç e kanë përshkruar për shekuj të tërë, poetë e piktorë. Fillimisht, kish qenë pa flokë. “Në afresket mikenase, gratë që i përkisnin sërës së lartë, mbanin deri në adoleshencë kokën e rruar, përveç një kaçurreli ose një bisht kali të shkurtër”, tregon studiuesja.

TRADICIONALISTE

“Dimë shumë pak për edukimin e vajzave spartane në vitin 1200 para Krishtit”, thotë Marxiano Melotti, docent i Metodologjisë së kërkimit arkeologjik në Universitetin e Milanos Bicocca, “por mund të merret me mend që disa kostume të Spartës arkaike, shumë tradicionaliste, tregojnë se janë përdorur shumë më herët”. Dimë për shembull që spartanet e shekullit të VII para Krishtit ushtroheshin në luftim si meshkujt, duke luftuar të zhveshura, trup më trup.

Fisnike, e destinuar për një karrierë prej priftëreshe, por edhe të bëhej grua e nënë, princesha ishte “iniciuar” në kulte të shfrenuar, që lidheshin me fertilitetin. Të izoluara për periudha të gjata midis pyjeve dhe në male, adoleshentet spartane hynin në kontakt me hyjninë përmes muzikës dhe vallëzimit, ndërkohë që mësonin për përdorimin e bimëve mjekësore, si lulëkuqja e opiumit, e cila rritej spontanisht në Peloponez. “Gratë e epokës së vonë të bronzit ishin ndërmjetëset e privilegjuara nga Zotat. Dhe kulti bëhej i gjithi njësh me çështjet tokësore”, shpjegon Hughes.

Me influencë dhe në moshë pjellorie, vajza ishte një rast i shkëlqyer. Spërkatur me vaj ulliri, me lëkurën e të gjithë trupit të “zbardhur” nga një krem me oksid plumbi, dhe e mbuluar nga tatuazhe me ngjyra të forta, sytë e trukuar rëndë me të zezë e me rozë, dhe me trup të qarkuar nga shtresa të ndryshme linoje blu dhe të purpurt, e mbushur me gurë të çmuar, por me gjoks të zhveshur, kështu do të jetë shfaqur para dhëndrrit të ardhshëm. Menuja e banketit të dasmës? Supë thjerrëzash me kukuma, simite me miell qiqrash, të pjekura me fruta, dhe (vetëm për të ftuarit VIP) derr dhe drer i pjekur.

Por çfarë rrëmbimi! Oborret mikenase të shekullit XIII para Krishtit prisnin shpesh të huaj dhe trojani Parid, për të cilin flet Homeri, mund të ishte njëri nga këta. “Të rinjtë aristokratë ishin “mall diplomatik”, vazhdon Hughes, “dhe ndodhte që mikpritja të nënkuptonte edhe shkëmbimin e grave”. Por ka edhe më. Sipas një tradite që daton me poeteshën Saffo (shekulli VII-VI para  Krishtit), në Spartën e lashtë ishte përhapur poliandria (korresponduesja femërore e poligamisë), një praktikë origjina e së cilës daton pikërisht me këtë arratisje për dashurinë (dhe jo me rrëmbimin) e Helenës.

Ajo që është e sigurtë, është se shkuarja në luftë për një grua, tre mijëvjeçarë më parë, nuk ishte kaq e rrallë, siç e provojnë edhe shumë dëshmi të shkruara. E dimë për shembull që diku rreth 1230-ës para Krishtit, mbretëritë e Ugarit dhe të Amurru-së (në Sirinë e sotme) rrezikuan të shkatërroheshin për hir të princeshës së Amurru. Kjo jepet për martesë tek mbreti i Ugarit për të forcuar aleancën midis dy qytet-shteteve, por iu dërgua mbrapsht dërguesit, ndoshta duke mos dashur të konsumonte martesën. /Storica – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *