Home»Rretherrotull»E pastaj dëgjojmë nuse të reja të thonë: “Vjehrrit janë të moshuar, janë një barrë për mua”

E pastaj dëgjojmë nuse të reja të thonë: “Vjehrrit janë të moshuar, janë një barrë për mua”

Ata mund t’i shohësh kudo. Në parqe me një gazetë në dorë, në urbane me shpresën se do t’i lirojnë të rinjtë një vend për t’u ulur, në shtëpi duke pirë kafe me shoqërinë, apo në lagjet e tyre duke luajtur domino me bashkëmoshatarët e vet. Duken tërë kohës në punën e tyre, pa tendencën për të cënuar interesat apo për të ndikuar në punët e të tjerëve. Ndërkohë janë të vetmit që mbajnë mbi supe vite të tëra dhe eksperienca që mezi presin të na i rrëfejnë, sapo u jepet mundësia. E kam fjalën për ata, të moshuarit e këtij vendi që duken të jenë shtresa më e nënvlerësuar si nga ana e shtetit, edhe nga ana jonë, e secilit prej nesh.

Hyn në urban dhe sheh të rinj që kthejnë kokën nga dritarja vetëm për të mos u liruar vendin të moshuarve. Sheh pleq të ngarkuar me ushqime në rrugë dhe sado që mund të kemi goxha kohë të lirë, asnjë prej nesh nuk i ndihmon. Vetëm për një gjë i kthejmë sytë drejt tyre. Vetëm kur kemi nevojë për këshillim. Edhe atëherë, mendimet e tyre na duken tepër prapanike për t’i marrë parasysh.

Më rastisi të isha pjesë e një bisede ku një mikeshë e imja u shpreh se kurrsesi nuk do të fejohej, apo martohej me një djalë që do të ishte djali i vogël i familjes dhe që, sipas traditës, do t’i takonte të mbante prindërit dhe të kujdesej për ta. E pyeta se pse mendonte kështu, kur edhe ajo kishte një vëlla të vogël, nusja e të cilit parimisht “duhet” të kujdesej edhe për prindërit e saj. Nuk m’u përgjigj.

Pas kësaj situate dhe shumë të tjerave të ngjashme, nuk e di se çfarë të mendoj. Mos vallë, ne vuajmë nga një rini që mendon në mënyrë sipërfaqësore dhe egoiste, apo vuajmë nga mungesa e humanizmit që na ka mbërthyer të gjithëve duke na e ftohur shpirtin dhe duke e parë një person më të dobët se vetja si të pavlerë? Sepse këtu mendoj se qëndron gjithë problemi. Nëse vjehrri dhe vjehrra janë të rinj, puna për nuset është shumë më e thjeshtë. Ata mund t’ia dalin vetë mbanë dhe të bëjnë edhe punë shtëpie. Por pyesni një nuse që kujdeset për vjehrrit invalidë. Asnjëra nuk e bën me qejf atë gjë. Ose sa për fasadë tregon një nuse të kujdesshme dhe tepër altruiste.

Ama po të ndryshohet ana e monedhës, secilit do i dhimbte po t’i keqtrajtonin prindërit e vet. Si do ndihet ajo vajzë e re që nuk pranon të fejohet me djalin e vogël të një familjeje, apo ajo nusja që i keqtrajton vjehrrin dhe vjehrrën, nëse të njëjtën gjë do t’ia bënte nusja prindërve të saj? Si do të ndiheshin vetë vajzat dhe gratë sikur në të ardhmen, nëse u ndodh një fatkeqësi dhe nuk munden dot të kujdesen për veten, nuset e tyre t’i keqtrajtojnë dhe të mos kujdesen për to? Sepse gjërat janë reciproke. Nëse mësohesh të keqtrajtosh, poshtërosh apo nënvlerësosh dikë që nuk ka mundësitë dhe fuqitë e tua, duhet të mësohesh edhe të pranosh po njëjtën gjë nga dikush tjetër. Nëse të dhemb po të ta bënin ty, atëherë pse e provon tek të tjerët?

Unë dua që çdo vajzë, apo çdo nuse ta mendojë mirë se akush nuk ka lindur nga guri. Ai personi që ju dashuroni sot, është produkt i edukatës dhe i kulturës që i kanë mësuar ata prindër, për të cilët ju nuk doni të kujdeseni. Ju nuk keni pse ta vendosni atë në udhëkryq për të zgjedhur midis jush dhe prindërve të tij, sepse ashtu siç ju patët durimin për ta njohur dhe për ta dashur atë person, ashtu duhet ta forconi edhe durimin tuaj për të njohur dhe për të dashur edhe prindërit e tij. Nuk ishin njerëz anormalë nënat apo gjyshet tuaja që mbajtën vjehrrit brenda dhe problemet e tyre i mbanin brenda familjes, i zgjidhnin bashkë dhe dinin t’i qetësonin gjakrat në familje. Ato si ia dolën? Mos vallë kishin më shumë durim? Durimi kalitet, nëse ju keni dëshirën për të bërë mirë dhe për të mos i prishur punët me asnjë palë.

Nuk do t’ju lodhen duart, nëse do të shtroni edhe dy pjata më shumë në tavolinë. Nuk do të lodheni as nëse do të lani dy gjëra më shumë, të ndotura prej tyre. Përkundrazi, kush kujdeset për një të moshuar, ka fisnikërinë të rrënjosur në personalitet.

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *