Home»Lifestyle»Dashuritë e mëdha veshin fustane nusërie

Dashuritë e mëdha veshin fustane nusërie

Këtë shkrim dua ta nis me titullin e një romani që kam lexuar, por që pohon të kundërtën, se dashuritë e mëdha nuk veshin fustane nusërie. Një temë e tillë është ndër ato më të shpeshtat, që diskutohen kudo : në punë, në rrethet tona shoqërore, apo edhe në rrjetet sociale.

Dikush do të kapet pas rasteve ku dashuria nuk ka triumfuar. Raste të tilla ka plot. Ndoshta edhe rasti yt që po e lexon këtë shkrim, është i tillë.  E shkruaj këtë gjë, sepse në periudhën e diktaturës, shumica e martesave bëheshin me mblesëri. Nëse ti i përket asaj periudhe, me siguri mund ta kesh vuajtur në lëkurën tënde këtë gjë. Ishte turp të shprehje dashurinë dhe mbi të gjitha, kjo e fundit mbytej nga nami i keq (njollat në biografi) që mund të kishte familja e personit që doje.

Nga martesa të tilla, kam vënë re që kemi të rinj, të cilët nuk dinë të duan, ose nuk dinë ta shprehin dashurinë. Më vjen keq ta them, por kur nuk sheh përballë prindër që as vetë nuk e kanë njohur dashurinë e vërtetë, nuk ke se si të marrësh një shembull ideal kur flitet për dashurinë. Shpesh të tillë persona e kundërshojnë jo vetëm ekzistencën e dashurisë së vërtetë, por edhe finalizimin e saj me martesë. Ju mund të mendoni se gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe se shembulli i familjes tani përbën një përqindje shumë të vogël ndikimi lidhur me këtë temë. Nuk është e vërtetë. Me zhvillimin e teknologjisë, të rinjtë po dashurohet me komunikimin virtual dhe po aq sa i pëlqen personi tjetër me të cilin komunikojnë, po aq edhe zhgënjehen kur e takojnë atë live. Normalisht, në raste të tilla, jo vetëm që nuk mund të flitet për dashuri me fund të lumtur, por as për ekzistencën e saj.

Unë dua që secili të mendojë me pozitivitet, kur bie fjala tek një ndjenjë e tillë kaq e rëndësishme për ekzistencën e gjithsecilit nga ne. Mos u ndikoni nga yjet e hollyëoodit (ndarja e Brad Pitt me Angelina Jolie), sepse ata i bashkon më shumë interesi i famës dhe vëmendjes, se sa dashuria. Mos u nisni as nga klishetë që dëgjojmë në jetën e përditshme “Të tjerë duam. Të tjerë na duan. Me të tjerë përfundojmë”. Nuk janë aspak të vërteta. Ka plot çifte të jetës së përditshme që janë bashkë prej vitesh dhe jetojnë njësoj të lumtur si në fillimet e lidhjes së tyre.

Mos merrni për shembull as një dashuri tuajën që nuk ka përfunduar siç duhet. Jo çdo histori është njësoj dhe  me shumë mundësi, ajo ka dështuar prej mungesës suaj të guximit. Nëse juve do të guxonit t’i dilnit kundër atyre që jua ndalonin lidhjen tuaj, nëse ju do të luftonit bashkë për dashurinë tuaj, dhe mbi të gjitha, nëse dashuria juaj do të ishte mjaftueshëm e fuqishme, koha dhe situatat nuk mund ta mbysnin dot atë. Po ju jap një rast shumë real të një të afërmes sime. Familja e kundërshtonte lidhjen e saj me një djalë, familja e të cilit kishte nam të keq në vite (janë të shpeshta këto situata, sidomos në zonat rurale). Fundi ishte që ajo u arratis nga familja e saj dhe tashmë ka dy fëmijë me bashkëshortin që ajo donte. Me kalimin e kohës, edhe situatat midis të dyja familjeve u qetësuan dhe tani çdo gjë shkon mirë.

Nëse do të mungonte guximi nga të dyja palët, sot ata nuk do të ishin bashkë dhe të dy do të pranonin njëzëri se “Dashuria nuk ekziston”, apo do të pranonin se ajo nuk njeh fund të lumtur. Këtu qëndron gabimi. Shumica prej nesh, guxojnë të mohojnë diçka thjesht nga gabimet që ka bërë ai vetë, apo një i afërm që merr për shembull kur bie fjala për këtë temë. Duke i shtuar kësaj pjese edhe faktin që shumë persona lidhen për mburrje në shoqëri, apo që dashurinë e barazojnë me instinktin shtazor të marrëdhënieve seksuale, atëherë, për ta, kuptohet që dashuria nuk do të ekzistojë.

Por unë dua që secili ta kuptojë se e ka vetë në dorë se si e ndërton jetën e tij/saj. Secili e ka mundësinë që “Na ishte një herë…” të jetës së tij, ta përfundojë me  “Dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”. / f.xh. / bota.al

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *