Home»Lifestyle»Shendeti»Të dhëna mbi dhurimin e gjakut. Pse na bën heronj?

Të dhëna mbi dhurimin e gjakut. Pse na bën heronj?

Dhurimi i gjakut është mënyra e vetme e përftimit të tij, pasi ende nuk është siguruar një rrugë e prodhimit të gjakut në mënyrë laboratorike. Qelizat e gjakut nuk janë mundur të krijohen në laborator, ndaj kjo gjë e bën dhurimin e gjakut, mënyrën e vetme të përftimit të tij për sigurimin e nevojave për gjak. Transfuzioni i gjakut ka një vlerë shumë të madhe në pacientët me patologji malinje, në pacientët që i nënshtrohen kirurgjive të ndryshme dhe, mbi të gjitha, në ata që vuajnë nga talasemia. Talasemikët kanë nevojë të vazhdueshme për gjak, nevojë që mbulohet nga bankat e gjakut në gjithë vendet e botës. Duke parë rënien në vite të dhuruesve vullnetarë të gjakut, politikat e vendeve të ndryshme kanë ndërmarrë masa për zëvendësimin e rezervave të shteruara të gjakut në spitalet e vendeve. Tashmë edhe në vendin tonë nuk mund të kryhet asnjë lloj nërhyrjeje kirurgjikale pa pasur 3-4 familjarë që të dhurojnë fillimisht gjak (nuk ka rëndësi grupi i gjakut) dhe më pas kryhet operacioni. Kjo është një metodë për t’i ndërgjegjësuar njerëzit se duhet të dhurojnë gjak, për aq kohë sa me të shpëtojnë jetë.

Grupet e gjakut janë A, B, AB dhe 0. Nevojat janë për secilin grup, por më tepër për grupin 0, pasi është i vetmi dhurues universal që mund të përdoret për transfuzione në çdo individ. Ndërkohë, grupi AB është një marrës universal, pasi mund të marrë gjak nga të gjithë grupet e tjera të gjakut. Kjo bëhet në sajë të pranisë së antigjenëve në gjak, të cilat i kanë përcaktuar edhe këto “rregulla” bazë të tranfuzionit të gjakut.

Në momentin që ne dhurojmë gjak, nuk duhet të jemi të sëmurë, qoftë edhe me grip, pasi imuniteti ynë është shumë i dobët dhe gjaku ynë do t’i dhurohet një personi tjetër. Nuk duhet të kemi bërë tatuazhe në 6 muajt e fundit, nuk duhet të kemi marrë antibiotikë, nuk duhet të konsumojmë drogëra, alkool, të mos vuajmë nga tensioni, nga anemia etj. Të gjitha këto rregulla janë të shënuara në çdo mjedis të dhurimit të gjakut.

Përveç faktit që ne shpëtojmë jetë me gjakun tonë, ne gjithashtu mësojmë edhe mbi gjendjen tonë shëndetësore. Në momentin e dhurimit të gjakut nga ne merren edhe mostra gjaku për kryerjen e analizave, të cilat tregojnë të dhëna bazë mbi infektimin me HIV, hepatit etj. Pra, ne marrim edhe të dhëna të rëndësishme për shëndetin tonë falas.

Rëndësia më e madhe mbetet shpëtimi i jetës së dikujt. Kur dhurojmë gjak, ne i japim më shumë mundësi jete një personi në nevojë për transfuzion gjaku. Nuk ka gjë më humane se të shpëtosh jetë, kur ke mundësi, ndaj nëse dëshiron të shpëtosh edhe ti jetë, shko të dhurosh gjak. Asgjë e keqe nuk do të ndodhë. Plazma jote do të zëvendësohet pas maksimalisht 1 dite, kurse qelizat e gjakut për një javë. Ti do të jesh i gatshëm t’i rikthehesh aktivitetit të zakonshëm disa minuta pas dhurimit dhe do të jesh në gjendje të dhurosh sërish (nëse dëshiron) vullnetarisht pas gjashtë muajsh, pasi thuhet se një person mund të kryejë rreth dy dhurime në vit. Në rastet kur kemi të afërm të shtruar për operacione, mund të dhurojmë gjak tre muaj pas dhurimit të fundit vullnetar. Ndaj, mos ngurro të dhurosh edhe ti gjak. Kur e ke mundësinë të shpëtosh një jetë, shko dhe shpëtoje. Është detyrë morale e secilit nga ne për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë dhe të sëmurë. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *