Home»Magazine»Një konkurs i çuditshëm bukurie, ai i peshqve koi magjepsës

Një konkurs i çuditshëm bukurie, ai i peshqve koi magjepsës

Të rritur në rezervuare për ngjyrat dhe bukurinë e tyre, peshqit koi (në japonisht koi ose nishikigoi) janë kthyer në një ikonë të Japonisë dhe që mund të shiten qindra mijëra dollarë si dhe të marrin pjesë në një konkurs bukurie. Ky varietet është mjaft popullor prej dekadash në Japoni, ku mbarështuesit ruajnë ekzemplarët më të çmuar të njohur si nishikigoi për sfilata bukurie shumë konkurruese. Në një nga këto konkurse,  në Tokio, anëtarët e jurisë me kostume dhe me kravata, me nga një bllok në dorë rishikojnë rezervuaret e peshkut të ekzpozuara në rrugë këmbësorësh në zemër të kryeqytetit japonez për të vlerësuar peshkun më të çmuar. Nuk bëhet fjalë për një çmim ekonomik, por më shumë për prestigj.

Ngjyrat e tyre ndriçojnë në diell dhe janë e bardhë perlë, e kuqe e thellë, gri resh, e kaltër e errët, portokalli e artë, por kontrasti dhe ngjyrat llogariten vetëm 30% në këtë konkurs. Janë format e këtij peshku që kanë më shumë peshë në këtë vlerësim, një 60% shpjegon Isamu Hattori, president i shoqatës japoneze të apasionuar pas nishikigoit që organizon në Tokio çdo vit këtë konkurs. 10% është ndoshta kriteri më i vështirë për t’u vlerësuar, hinkaku, prezenca e koit. “Peshqit ose e kanë hinkakun në genet e tyre, ose nuk e kanë, – pohon Mikinori Kurihara, mbarështues i nishikigoit në Kazo, në veri të Tokios. Ka një rezervuar me mijëra peshq nishikigoi që notojnë në rezervuare të brendshme me ujë të filtruar, të ndarë me moshë dhe me ngjyra. Peshqit e paseleksionuar, të shumtë në numër, kanë më pak fat, shkojnë në rezervuare të hapura dhe shiten si ëmbëlsira për peshqit tropikalë.

Është një punë me të vërtetë delikate dhe mjaft e vështirë. Gjithçka ka rëndësi: dielli, cilësia e ujit, ushqyerja, – shpjegon Kurihara, 48 vjeç, i cili merret me mbarështimin e këtyre peshqve që fëmijë në rezervuarin e të atit dhe tani do të fillojë t’ia lerë këtë zanat të birit, 24 vjeç. “Kemi shumë sekrete, – thotë, – por edhe po t’ia themi kujt nuk do të shërbejë, duhet ta ndjesh.” Sot nuk ka kopësht tradicional japonez që të mos ketë një rezervuar me nishikigoit. Ky mbarështim ka filluar qysh prej 200 vjetësh në rajonin Nigata, në veri të Japonisë, ku banorët e këtij rajoni, pa e ditur filluan të favorizojnë riprodhimin dhe kryqëzimin e këtyre krapeve të rrallë që nuk ishin në ngjyrë kafe për qëllime ornamentale.

Pasioni u përhap ngadalë në të gjithë Japoninë dhe kohët e fundit ka kaluar në vende të tjera aziatike si Kinë, ku ata që shkojnë kundër rrymës simbolizojnë këmbënguljen që të çon drejt pasurisë. “Janë si personat që ngjiten në shkallën shoqërore,” – shpjegon Yutaka Suga, profesor në insitutin e studimeve të avancuara për Azinë. Eksportet japoneze të nishikigoit në vitin 2016 arritën një rekord prej 295 tonelatash me një arkëtim prej 3500 milionë jen (27 milionë euro), një rritje pothuaj 50% krahasur me vitin 2007, sipas ministrisë së agrokulturës. Koit me moshë 2 vjeçare mund të shiten 30 milionë jen për njësi (270 000 euro), ata 10 vjeçarë 2 milionë jen (18 000 euro). / Bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *