Home»Lifestyle»“Nëse do të kesh nevojë për mua, do më gjesh përherë në yje”. Lexoje, nëse edhe ti ke humbur dikë të veçantë

“Nëse do të kesh nevojë për mua, do më gjesh përherë në yje”. Lexoje, nëse edhe ti ke humbur dikë të veçantë

Isha duke pirë kafenë e përditshme me shoqërinë në lokalin tonë të preferuar dhe rastis të dëgjoj një këngë të veçantë. Më bëri përshtypje që në fjalinë e parë. Dëgjova një zë të thoshte në anglisht “Nëse do të kesh nevojë për mua, do më gjesh përherë në yje. Me dashuri, babi”. Më vonë mësova se kjo ishte kënga “Stargazing” e Kygo, por nuk ishte kjo më e rëndësishmja. Mua ajo këngë më bëri përshtypje që në fjalinë e parë. Ajo fjali më kujtoi dikë që më thoshte të njëjtën gjë, dhe tani nuk jeton më…

Këtë material dua të ta dedikoj ty që, ashtu si unë, mund të kesh humbur një person të veçantë. Dikë që kurrë nuk mendoje se do ta humbje, por ja që në betejë me gjëra më të mëdha se vetë ne, është e sigurtë disfata jonë. Me siguri, ke kaluar ditë të tëra duke qarë dhe sërish mendoje se ai person ishte gjallë, se gjithçka ishte një gënjeshtër e madhe që një ditë do të përfundonte, dhe ai person do të hynte sërish në derën e shtëpisë për të të përqafuar. Ditët, javët, muajt, vitet kaluan… Asgjë nuk e ndryshoi atë realitet të hidhur.

Thuhet se koha ka aftësinë të na shërojë. Me kohën thuhet se harrohen kujtimet, zbehen ndjenjat dhe shpirti “rigjenerohet”. Ky është mashtrimi më i madh. Koha nuk ndryshon gjë, jemi ne që e pranojmë realitetin dhe përpiqemi t’i përshtatemi atij. Kjo ka ndodhur edhe me mua dhe jam i sigurtë, se kjo gjë të ka ndodhur edhe ty. Në ditët dhe javët e para mendja të ka mbetur tek ai person, ke shfletuar albumet e fotove, ke parë videot që keni bërë, momentet më të bukura dhe në çdo foto e video, sytë të përloteshin. Por pastaj, ke rënë dakord që kjo jetë është thjesht provizore dhe ne të gjithë duhet të kalojmë nëpërmjet kësaj  bote, për të kaluar në botën tjetër.

Nëse ende je duke u përpjekur ta pranosh largimin e dikujt të veçantë nga jeta jote, unë të kërkoj të bësh gjërat që unë kam bërë. Dil nga shtëpia, shko për kafe, përkushtoju diçkaje të re (ndoshta një kurs apo një trajnim). Bëj çdo gjë që të ta heqë mendjen nga rutina jote. Kjo normalisht nuk do të të bëjë ta harrosh atë person, sepse nuk mund të harrohet dikush që të ka falur shumë kujtime, por të paktën do të përpiqesh ta pranosh largimin e atij personi dhe të jetosh jetën tënde edhe pa të. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë kjo gjë, por duhet bërë. Nuk mund të jetohet një jetë për dy persona dhe as të vazhdohet jeta e lënë përgjysmë e dikujt që donim dhe na donte.

Jeta vazhdon. Kujtimet do të mbeten aty, ama jeta duhet vazhduar të jetohet. Duhet të kuptojmë të gjithë se vlera e dikujt nuk shihet tek prania e tij/saj, por tek kujtimet e bukura që na ka dhuruar. Unë të uroj shumë lumturi, edhe pse duhet të kalojë kohë, derisa ta marrësh veten nga plagë të mëdha… / Fatjon Xhafaj – Bota.al

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *