Home»Keshilla»Mos e ndërto lumturinë tënde mbi dhimbjen e dikujt tjetër

Mos e ndërto lumturinë tënde mbi dhimbjen e dikujt tjetër

Lëndimet që marrim dhe zhgënjimet që pësojmë nga personat e dashur për ne, na bëjnë më të fortë. Disa nga ne, edhe tjetërsohen për shkak të tyre. Fillojnë të mendojnë mbi hakmarrjen, apo mbi ndryshimin e raporteve që krijojnë me të tjerët. Duam vetëm të shfryjmë inatin që kemi përbrenda, duke bërë po aq keq sa na kanë bërë.

Një thënie e urtë popullore thotë se “Gozhda del me gozhdë”, pra me pak fjalë, nëse dikush na lëndon, ne preferojmë të lëndojmë dikë tjetër si një formë “hakmarrjeje” për atë që na ka ndodhur. Kjo gjë na lumturon, na bën të mendojmë se ia kemi dalë mbanë të triumfojmë, kur në fakt kemi lënë dikë të vuajë në heshtje.

Nuk është normale që gjithçka të grumbulluar brenda vetes, ne ta nxjerrim në formë të hakmarrjes me një person tjetër që nuk ka faj për asgjë. Nuk është normale të ngremë lumturinë tonë mbi dhimbjen e dikujt tjetër. Kjo jo vetëm në këtë rast, por edhe në plot raste të tjera. Është zakon tashmë që një person i tretë të hyjë në një çift e të shkaktojë probleme. Personalisht mendoj se nuk ka gjë më të ulët, por ai personi i tretë s’mund të jemi kurrsesi ne që nuk duam të bëjmë keq. Ai personi i tretë lumturohet, gëzohet, ndërkohë që po shkatërron një familje. Kush ia jep këtë të drejtë? Askush. Mjafton të kuptojmë se gjërat tani ndodhin edhe pa arsye. Të teket diçka dhe e bën. Është bota e lirive të mëdha kjo, kur pikërisht kjo liri i ka shthurur njerëzit.

Por mbetemi tek diskutimi ynë, nëse ti sot je duke menduar për diçka apo dikë që do ta arrish e rrjedhimisht do të bëjë të lumtur, mendo edhe nëse një person tjetër mund të trishtohet nga ajo gjë. A do të ndiheshe mirë ti, nëse ndan një çift? Pavarësisht faktit që është normale të thuash se ndahen ato çifte që nuk kanë dashuri të fortë midis partnerëve, por nuk të takon as ty, as mua dhe askujt tjetër të përcaktojë fortësinë e ndjenjave në një lidhje ku nuk jemi vetë pjesë e saj.

Të jesh i/e lumtur vetë, kur dikush tjetër po vajton për atë që ty të bën të lumtur, nuk është normale. Vetëm një zemërlig/ë e bën diçka të tillë. Bota ka nevojë për paqe, për mirësi, për ndjenja të sinqerta dhe jo për hakmarrje. Me këtë sjellje nuk kemi për të shkuar gjëkundi. Sot hakmerrem unë ndaj dikujt, nesër ai/ajo ndaj meje dhe pasnesër jemi të dy të lënduar. Të duket një zgjedhje e duhur kjo…?     Fatjon Xhafaj / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *