Home»Magazine»Personazhe»Lamtumirë Dolores, zëri i pangatërrueshëm i rrokut të dekadës më të bukur

Lamtumirë Dolores, zëri i pangatërrueshëm i rrokut të dekadës më të bukur

Një vdekje të papritur në një hotel të Uestminster në Londër, pasi verën e kaluar kish ndërprerë edhe turin botëror prej problemeve në shpinë, ka larguar nga kjo botë 46-vjeçaren Dolores O’Riordan, këngëtarja e The Cranberries. Një zë i pangatërrueshëm, që do të mbetet në kujtesën kolektive si një prej shenjave dalluese të muzikës së viteve Nëntëdhjetë, një dekadë të cilën grupi irlandez e kaloi duke dominuar skenat dhe duke shitur më shumë se 40 milionë albume në botë, falë një përzierjeje të rrokut me kitarë dhe elementëve të traditës folk dhe kelte. Si dhe zërit karakteristik të O’Riordan.

Me edukim katolik, kishte kënduar dy herë në Vatikan për Krishtlindje, në prani të Papës. Ishte shumë e dashur për fansat në të gjithë botën. Të cilët e kishin vlerësuar edhe në shfaqjet si soliste mes viteve 2003 dhe 2009. Më pas, ishte rikthyer të regjistronte dhe jepte koncerte me The Cranberries: kur në vitin 2009 iu rikthyen skenave për një tur botëror, kishin kaluar pothuaj 20 vite nga 1990, koha kur O’Riordan ishte pranuar në grup, pasi i bindi të gjithë me një provë të këngës “Linger”, ajo bashkë me “Zombie” është ehde sot e kësaj dite një prej më të suksesshmeve të grupit.

Një tjetër grua pushtonte skenën me një grup rroku, mei valën e gjatë të nisur që prej viteve tetëdhjetë, nga një grup artistesh me zë të fuqishëm dhe prani skenike të rëndësishme, si Annie Lennox e Eurythmics dhe Siouxsie e Banshees. Ekzaktësisht si bashkëkombësja e saj Sinéad O’Connor, me të cilën është krahasuar shpesh herë prej stilit, edhe Dolores O’Riordan ishte diagnostikuar me një çrregullim bipolar. “Vuaj prej shumë kohësh, por e kam zbuluar vetëm dy vjet më parë”, kishte rrëfyer vitin e kaluar në një intervistë. “Përjetoj periudha errësire dhe depresioni, gjatë të cilave humbas pothuaj krejtësisht interesin për gjërat që dua, pastaj ka periudha të tjera kur nuk arrij as të flej dot, për shkak se jam e entuziasmuar dhe plot dëshirë për të bërë gjëra të ndryshme. Për këtë arsye kam nisur të përdor medikamente”.

Në vitin 2014 i tha Belfast Telegraph se një vit më herët kishte tentuar vetëvrasjen.

Janë të njohura shpërthimet e saj, si për shembull në 2014 kur sulmoi një stjuardesë dhe një polic gjatë fluturimit nga Nju Jorku dhe u arrestua me të mbërritur në Irlandë. Ditët e fundit kish qenë shumë e impenjuar: me t’u kthyer nga Kanadaja, ku kish kaluar Krishtlindjen me tre fëmijët dhe ish bashkëshortin Don Burton, ish menaxheri i Duran Duran, me të cilin ishte ndarë në 2014, ajo ishte shfaqur natën e Vitit të Ri në Limerick, qytetin e lindjes, me Irish Chamber Orchestra.
më pas ishte kthyer në Londër për një seancë regjistrimesh me The Cranberries. Javët e fundit kishte kënduar për kolonën zanore të një filmi me metrazh të shkurtër e të animuar, me titull “Krishtlindja e Angelës”, me ngjarje që zhvillohen në Limerick dhe që u transmetua për Krishtlindje në televizionin irlandez.

Në 20 dhjetor kishte posuar në Twitter, ku ishte shprehur e lumtur pas një aktiviteti privat në Nju Jork. “Përshëndetje të gjithëve ! Ndihem mirë! Kam kënduar disa këngë këtë fundjavë, pas shumë muajsh heshtje, u dëfreva vërtetë shumë. Gëzuar Krishtlindjen të gjithë fansave tanë!”

Nuk mund të parandjente vdekjen e saj. Nuk ka asnjë detaj për shkaqet, zëdhënësja u kufizua të kërkojë privatësi për familjarët “e dërrmuar prej lajmit”. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *