Home»Keshilla»Ji vetvetja, edhe nëse të lëndojnë…

Ji vetvetja, edhe nëse të lëndojnë…

Lindim me dëshira dhe vdesim me mijëra të tilla. Në mes kalojmë muaj, stinë, vite duke ëndërruar t’i përmbushim ëndrrat tona, të prekim sadopak legjendën tonë vetjake. Shpesh gabojmë. Në përpjekjet e vazhdueshme që bëjmë, humbasim drejtim dhe jeta na braktis në mëshirë të fatit. Atëherë fillon të kuptosh se realisht nuk e njihje veten, ose më mirë, nuk dije të zgjidhje bazuar në karakterin tënd. Në këto përpjasje gjenden padyshim idhujt, një shtysë e fortë për këdo. Është e vështirë ta mohosh ndikimin e tyre, qoftë edhe në një gjest, apo shprehje fytyre.

Nëse realisht ekziston një Krijues për gjithë njerëzimin, unë dua të besoj se Ai është përpjekur të na bëjë të gjithëve të ndryshëm. Mjafton të shohim përreth dhe sytë do të na kapnin fytyra të ndryshme nga jona, tinguj zërash të mbytur, shumë larg mënyrës sonë të së folurit. Ky është  një tregues se jeta kërkon që ne të jemi secili një vetvete larg kornizave të personalitetit të tjetrit. Nuk e mohoj se imitimet ndonjëherë janë edhe pozitive, por po të shihnim anën tjetër të tyre, do ta dallonim qartë sa poshtë do ta fundosnim veten. Nuk dëshiroj të dal në fyerje të asnjë grupi pëlqyesish, por, edhe unë, si një nga miliarda persona në këtë botë, jam pjesë e një realiteti ku jeta e çdo personi të famshëm nuk është më pjesë e vetes së tij/saj. Ajo i përket nje bote të tërë dheunë nuk mund të pranoj jetë të shkatërruara në imitime. Shohim këngëtare të zhveshura në videoklipe.

Ato po jetojnë jetën e tyre, por kjo jetë nuk mund të jetohet nga një adoleshente në një vend kaq paragjykues si Shqipëria. Nga ana tjetër, dëgjojmë konsumimin e drogës nga disa artistë të tjerë. Ata mund të bëjnë çfarë të duan me veten e tyre, por të gjithë e dimë se droga shkatërron jetë njerëzish. Ajo jo vetëm do t’ju rrënojë ju, por edhe gjithë personat që ju rrethojnë me dashuri. Nëse zgjidhni të imitoni, mësoni të zgjidhni edhe ata persona që mund ta përmirësojnë imazhin tuaj duke i imituar. Nuk mund të kalosh nëpër zgjedhjet e dikujt, imazhi i së cilit/së cilës do të të dëmtojë ty. Unë mendoj se jeta ka nevojë për njerëz që janë vetvetja, megjithëse ajo përpiqet në çdo çast t’i tjetërsojë njerëzit. Ji “TI” dhe ke për të triumfuar në çdo synim që i vendos vetes. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *