Home»Histori»Irena Sendler, ëngjëlli i getos së Varshavës

Irena Sendler, ëngjëlli i getos së Varshavës

Kur Gjermania pushtoi Poloninë në vitin 1939, Irena Sendler (1910-2008) ishte infermiere në departamentin e mirëqënies sociale të Varshavës që menaxhonte mensat komunitare të qytetit. Situata në vitin 1942 u përkeqësua kur Rajhu i Tretë krijoi geton e Varshavës, ku nuk hynte askush që nuk ishte hebre. Qëllimi ishte eliminimi i të gjithë popullatës semite të Varshavës, por Irena e tmerruar nga kushtet që ndodheshin aty iu bashkua Zegotës, komitetit për ndihmën e hebrenjve. Situata doli nga kontrolli kur gjermanët vunë në zbatim planin e tyre për “pastrim”, ku vrisnin të gjithë fëmijët meshkuj e femra që nuk vinin nga një familje që i përkiste racës ariane.

Kishte trupa në rrugë, fëmijë të pushkatuar, të rrahur, të tjerë që vdisnin nga uria, të sëmurë. Irena vendosi të rrezikojë jetën e saj për të bërë diçka për ata fëmijë. Mori një rekomandim nga zyra shëndetsore në mënyrë që të hynte në geto për të trajtuar të sëmurët me sëmundje ngjitëse. Meqë gjermanët kishin frikë nga një epidemi e mundshme tifoje lejuan që polakët të kontrollonin rrethimin e getos dhe që të mund të hynin dhe të dilnin pa vështirësi. Ajo shumë shpejt u vu në kontakte me familjet dhe i ofroi mundësinë që t’i nxirrte fëmijët jashtë getos, por nuk u jepte garanci për suksesin. Siguria e vetme ishte se fëmijët do të vdisnin nëse qëndronin aty. I nxirrte në çanta, thasë patatesh, valixhe, kosha plehrash, në ambulanca si viktima të tifos, por kur gjermanët intensifikuan vigjilencën në mënyrë që të mos zbulohej filloi t’i drogonte fëmijët dhe i fuste në arkivole.

Filloi të rekrutonte të paktën një person për çdo nga 10 qendrat e departamentit të mirëqënies sociale të qytetit dhe filloi një plan për të shpëtuar shumë fëmijë si të mundte. Arriti të siguronte qindra dokumente me firma të falsifikuara duke u dhënë identitet të përkohshëm fëmijëve hebrej. Donte që një ditë ata të merrnin identitetin e tyre të vërtetë dhe për këtë ideoi një arkiv, ku regjistronte emrat e fëmijëve dhe identitetet e reja. Shënonte të dhëna personale të çdo fëmijë dhe i ruante brenda një kutie llamarine që e groposte poshtë një molle në kopshtin e një fqinji të saj pa u dyshuar nga askënd. Një ditë nazistët e kuptuan aktivitetin e saj dhe në tetor të 1943 Irena Sendler u kap nga Gestapoja dhe u dërgua në burgun e Pawiak-ut, ku u torturua në mënyrë çnjerëzore.

Irena ishte e vetmja që i dinte emrat dhe adresat e familjeve që strehonin fëmijët kështu që duroi torturat dhe refuzoi të tradhtonte bashkëpunëtorët e saj apo edhe ndonjë fëmijë të fshehur. U dënua me vdekje edhe pse dënimi nuk u zbatua kurrë sepse rrugës për tek ekzekutimi ushtari që e kishte në ngarkim ta kryente këtë detyrë e la të arratisej. Zyrtarisht Irena figuronte në listën e të ekzekutuarve, kështu që në atë moment filloi të punonte, por me një identitet të rremë. Me mbarimin e luftës, Irena zhvarrosi kutitë me informacionin për çdo fëmijë dhe ia dha shënimet doktor Adolfo Bermanit, presidenti i parë i komitetit të shpëtimit të hebrejve të mbijetuar. Pjesa më e madhe e familjeve të fëmijëve kishin vdekur në kampet e përqendrimit. Sendler u kandidua për çmimin Nobel për Paqen në vitin 2007 edhe pse nuk u zgjodh. Gjithsesi u njoh si Kalorëse mes kombeve dhe u shpall qytetare nderi e Izraelit. Nga ana tjetër, qeveria polake i dha medaljen më të lartë civile të Polonisë dhe u shpall si Dama e Urdhërit të Shqiponjës së Bardhë në vitin 2007. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *