Home»Analiza»Gardianët e Revolucionit, një shtet brenda shtetit?

Gardianët e Revolucionit, një shtet brenda shtetit?

Një ushtri prej të paktën 125000 njerëzish, një ekonomi paralele prej qindra miliard dollarësh, një forcë që i përgjigjet vetëm Ajatollahut të Madh

Kanë futur në “kllapë” Presidentin reformist. Operojnë në krah të ushtrisë së Bashar al-Assad, rivendikojnë fitoren kundër milicive të ISIS-it, sfidojnë Amerikën dhe Presidentin e saj që i quan krahun e armatosur të një shteti terrori. Tani kërcënojnë Europën. Janë Gardianët e Revolucionit Iranian, Pasdaranët në shërbim të shefit të vetëm që e njohin me të vërtetë: Ajatollahut të Madh Ali Khamenei. Një shtet brenda shtetit, me një ushtri prej të paktën 125000 vetësh, me një ekonomi paralele prej qindra miliard dollarësh.

Kur diplomacia tregon muskujt dhe lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, në Iran pasdararënt kthehen të mbretërojnë. Atëhere ja Zëvendësshefi i Gardianëve Revolucionarë Iraniane, Gjeneral Brigade Hossein Salami, që paralajmëron se nëse Europa do ta kërcënojë Teheranin, pasdaranët do ta rrisin rrezen e raketave të tyre në mbi 2000 kilometra. “Nëqoftëse e kemi mbajtur rrezen e raketave tona në 2000 kilometra kjo nuk i detyrohet mungesës së teknologjisë: po ndjekim një doktrinë strategjike”, ka thënë Salami, i cituar nga agjencia iraniane FARS. “Deri më tani kemi ndjerë se Europa nuk përbën kërcënim, kështu që nuk e kemi rritur rrezen e raketave tona. Por nëqoftëse Europa dëshiron të bëhet kërcënim, atëhere do ta rrisim rrezen e raketave tona”.

Në këtë kontekst, pushteti i “reformatorit” Rohani është në fakt i kufizuar, fuqimisht i kushtëzuar në veprimin e tij. “Amerikanët dhe sionistët e dinë mirë sesa përcaktues është roli i IRGC-së sin ë mbrojtjen e vendit, ashtu edhe në mbështetje, në nivel ndërkombëtare, të aleatëve të Republikës Islamike”. Kështu është shprehur Ali Akbar Velayati, Asistent i Ajatollahut Khamenei, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me shtimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dhe Islamic Revolutionary Guard Corps. “Sot iranianët – djem, vajza, burra dhe gra – janë të gjithë IRGC, të vendosur bashkë me ata që na mbrojnë ne dhe rajonin kundër agresionit dhe terrorit”, i ka bërë jehonë Javad Zarif, Ministri i Jashtëm iranian.

Më 22 prill, duke përkujtuar 38 vjetorin e themelimit të Gardianëve Revolucionarë, Gjeneral Mohammad Bagheri, President i Komandës së Forcave të Armatosura të Iranit, ka deklaruar se IRGC-ja, “ka vepruar si “mburojë sigurie” e kombit Iranian dhe e të gjithë myslimanëve nëpërmjet pranisë së saj në Siri e në Irak”.

Sipas statutit të saj, IRGC-ja “është një entitet nën komandën supreme të Liderit” dhe ndjek politikisht e ideologjikisht velayat-e faqih (sistemin e pushtetit të mullahëve)” (përkatësisht nenet 1 e 47). Rezistenca iraniane ka evidentuar herëpasëhere se IRGC-ja është leva kryesore dhe organi qëndror i mullahëve për të imponuar ushtarakisht darën e tyre repressive. Në 38 vitet e fundit, Gardianët e Revolucionit kanë luajtur rolin kryesor në represionin e brendshëm, përfshi masat e përgjakshme kundër revoltës studentore të 1999 dhe revoltën kombëtare e 2009. Inteligjenca e IRGC-së është bërë një organ trishtueshmërisht i njohur si protagonist arrestimesh, torturash, ekzekutimesh dhe vrasjesh të disidentëve e të spiunazhit kundër fraksioneve të vetë regjimit. IRGC-ja ka ristrukturuar hierarkinë e saj në 2008 për të fuqizuar kontrastin e protestave popullore, duke krijuan një strukturë komandimi të pavarur për çdo provincë në gjendje të shtypë revoltat publike. Në koordinim me IRGC-në, edhe Basij-ët (milicia vullnetare e mobilizimit) marrin pjesë në repression. Trupa Basij i përdor njësitë e veta paraushtarake dhe rrjetin e vet të spiunazhit në universitete, shkolla, zyra administrative, fabrika dhe lagje për të identifikuar e arrestuar disidentët.

Përveçse në luftën 8 vjeçare midis Iranit dhe Irakut, IRGC-ja ka luajtur një rol të dorës së parë në konfliktet e hapura në Lindje të Mesme, nga Siria në Irak, nga Jemeni në Liban. “Siria është provinca jonë e 35-te”, shpalli në 2014 Mehdi Taeb, ish Komandant i IRGC-së. Kurse sot janë pasdaranët e “Forcës Al Qods”, repartet e Gardianëve të Revolucionit që operojnë jashtë vendit, që kanë kontrollin e disa bazave dhe aeroporteve ushtarake siriane si ato të al-Sin, T4, Domair dhe Mezzeh (Damasco). E “Forcës Al Quds” është pjesë Njësia 400, që në të kaluarën ka goditur apo ka tentuar të godasë objektiva izraelianë e amerikanë nëpër botë. Bëhet fjalë për rreth 3000 agjentë të zgjedhur, ndërsa pasdaranët janë rreth 125000.

Më shumë se një ushtri në vetëvete, Gardianët veprojnë si një shtet brenda shtetit. Drejtuesi politik i tyre është Ajatollahu Ali Khamenei, kreu i tyre në terren është Gjenerali Mohammad Ali Jaafari. Kredoja e tyre, e shpallur në më shumë se në një intervistë për gazetat iraniane, është: “Irani ka arritur në një kapitull të ri të politikës së tij të eksportimit të revolucionit islamik jashtë vendit. Revolucioni islamik po përparon me shpejtësi të mirë. Jo vetëm Palestina dhe Libani kanë njohur rolin influent të Republikës Islamike, por edhe popujt e Irakut e Sirisë. Edhe ata e vlerësojnë kombin e Iranit. Faza e eksportimit të revolucionit ka hyrë në një erë të re. hizballahu dhe rezistenca e tij kundër një prej ushtrive më të forta të botës është një prej mrekullive të Revolucionit Islamik. Është pjesë e influencës së fuqishme të sistemit islamik si timonier i rajonit. Irani korr suksese të vazhdueshme në strategjinë e tij të eksportimit të Revolucionit Islamik në Lindje të Mesme”. Është ai që ka një kontroll të fortë mbi të paktën gjysmën e milicive shiite irakene, al-Hashd al-Shaabi. 100000 njerëzve në Irak u duhen shtuar 50000 të tjerë në Siri, midis sirianësh, irakenësh, shiitësh afganas e pakistanezë, dhe po aq të Hizballahut në Liban. Në total pothuajse dyfishi i pasdaranëve iranianë, 125000, përfshi 25000 që operojnë në repartet raketore dhe në Gjirin Persik. Ajo e tyre është një ushtri paralele: më efiçente dhe më mirë e armatosur se ajo “zyrtare”: Në fakt, Gardianët kanë një aviacion, një marinë dhe një këmbësori të tyren.

Pasdaranët, që e kanë pasur provën e zjarrit gjatë konfliktit kundër Irakut, me kalimin e kohës kanë siguruar një pushtet të madh mbi shoqërinë iraniane. Mitit të ngritjes së klasave më të varfëra, nga ku kanë nxjerrë legjitimim të fortë, i është bashkangjitur duke filluar nga fillimet e viteve ’90, një pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në ekonomi dhe në prodhimin industrial të vendit. Kjo trupë e shton pushtetin e saj ushtarak, të nënshtruar forcave të armatosura, një penetrim kapilar në të gjithë asetet kryesore e ekonomisë iraniane, aq sa një raport i RAND Corporation i vitit 2009 e quante “një konglomerat të pasur socio – politiko – ekonomik, influence e të cilit shtrihet praktikisht në çdo cep të jetës politike dhe të shoqërisë iraniane”. Në kompleks, pasdaranët kontrollojnë një rrjet kompanishë dhe fondacionesh me të ardhura vjetore të vlerësuara në 12 miliard dollarë.

Asesti më i rëndësishëm në profiling ekonimik (telefonia mobile, tenelet nëntokësore për centralet atomike, kërkimi universitar dhe industria ushtarake e atomike kanë një rëndësi më shumë strategjike sesa ekonomike) është Komanda e Ndërtimeve Khatam Ol Anbia, e cila monopolizon të gjithë tenderat për infrastrukturat. Nëpërmjet praktikës së nënkontraktimit, pasdaranët jo vetëm që sigurojnë fitime të konsiderueshme financiare në të zezë, por garantojnë edhe kontrollin e të gjitha kompanive të ndërtimeve private të vendit. Nuk mjafton. Në 8 vitet e presidencës së Mahmoud Ahmadinejad, Gardianët kanë siguruar shfrytëzimin e disa vendburimeve të gazit në South Pars, rezerva më e madhe e botës, dhe përmjet fondacioneve të tyre kanë siguruar aktivitete industrial dhe tregëtare për një vlerë të vlerësuar në 120 miliard dollarë. Midis këtyre kompania shtetërore telefonike (8 miliard dollarë) dhe janë akaparuar tendera publikë të rëndësishëm si metroja e Teheranit me kompaninë e ndërtimeve Khatam Al Anbia.

Fondacioni i të Shtypurve (Bonyad Mostazafan) dhe Fondacioni i Martirëve dhe i Veteranëve (Bonyad Shahid va Omur-e Janbazan) janë dy institucionet më të mëdha ekonomike të vendit. Të dy kontrollohen nga ish anëtarë të ushtrisë, të ardhur nga rangjet e pasdaranëve. Gjithë kësaj i shtohen të ardhurat e aktiviteteve “në të zezë”, si shitja e produkteve perëndimore. Është “Pasdaran Economy”: prodhon pasuri që krijon konsensus dhe u jep një motivim konkret të rinjvë rrënjëshkulur për t’u rekrutuar në ushtrinë e Gardianëve: para dhe identitet. Të njëjtat leva me të cilat “Kalifati islamik” kishte ngritur pasuritë e tij. I pajisur me këtë pushtet, ushtarak dhe financiar – që reformisti Rohani nuk ka arritur ta shkulë – dhe të koperturës “ideologjike” të Ajatollahut Khamenei, Gjeneral Jaafari ndërhyn rëndshëm në krizën libaneze dhe Kryeministrit hariri që kërkon çarmatimin e Hizballahut, ai i përgjigjet prerë: “Nuk është argument i negociueshëm”. Ka që flasin për “ISIS shiit”. Një gjë është e qartë: në Iran ndryshim presidentët, zgjidhen edhe reformatorë si të tillë, por pushteti i Gardianëve nuk preket, bile konsolidohet më shumë dhe eksporton “revolucionin” e tij.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *