Home»Lifestyle»Shendeti»10 gjëra që nuk i dini për sistemin imunitar

10 gjëra që nuk i dini për sistemin imunitar

Sistemi imunitar na mbron nga viruset, bakteriet dhe parazitët, si dhe nga vetë qelizat tona, të ndryshuara nga sëmundje si kanceri. Gjatë periudhës së gripit sistemi imunitar thirret dhe shpesh në mënyrë të padrejtë si i dobët, ai është në mesin e një beteje simptoma e të cilit është temperatura. Ja disa nga faktet që shpesh janë befasuese rreth tij.

Është i shpërndarë në të gjithë organizmin.

Rrjeti i mbikqyrjes së sistemit imunitar përfshin një seri organesh për prodhimin e qelizave të bardha duke filluar që nga shpretka, palca kockore, linfonodujt, bajamet, gjendra tiroide, inde dhe qeliza qarkulluese që komunikojnë mes tyre përmes vazave linfatike. Qelizat imunitare janë të shpërndara në të gjitha indet e trupit që qarkullojnë përmes gjakut dhe me forca të tilla është e vështirë për një pathogen të kalojë pa u vënë re.

Armët gjenden në gjak.

Në arsenalin e qelizave që ruajnë organizmin dallohen fagocitet dhe linfocitet. Fagocitet që zhvillohen në palcën kockore përbëjnë linjën e parë të mbrojtjes, jo specifike dhe gllabërojnë në citoplazmën e tyre molekula të huaja që po të lihen të lira në qarkullim mund të shkaktojnë probleme. Qeliza të ngjashme me të njëjta funksione gjenden edhe në organizma shumë primitivë. Patogenë që arrijnë të tejkalojnë këtë barrierë të parë ndeshin një mbrojtje më të specializuar. Linfocitet janë të aftë të gjenerojnë dhe modifikojnë antitrupat që njohin antigenët specifikë mbi sipërfaqen e patogenëve dhe i neutralizojnë. Vetëm tek vertebrorët është i zhvilluar ky nivel i dytë i mbrojtjes “me porosi”.

U përshkrua për herë të parë 2400 vjet më parë.

Historiani grek Tuqiditi përshkroi një epidemi të murtajës që kishte prekur Athinën në vitin 430 para krishtit dhe vuri re se personat e prekur një herë dhe që kishin mbijetuar nuk sëmureshin më. “Ata që i kishin shpëtuar epidemisë…i njihnin ato vuajtje dhe nuk i druheshin, në fakt sëmundja nuk godiste kurrë dy herë të njëjtin person, të paktën në këtë mënyrë kaq të fortë sa për të qenë vdekjeprurës”. Ky parim u shfrytëzua në vitin 1796 nga mjeku britanik Edward Jenner për të zhvilluar formën e parë të imunizimit përmes një vaksine, atë kundër lisë. Fshatarët që kishin kontakt me forma të lisë bovine ose ekine rezultonin imunë nga versioni human i virusit.

Shpretka është një qendër nevralgjike.

Pa shpretkë mund të jetohet, megjithatë ky organ i vendosur mes stomakut dhe diafragmës është një organ i rëndësishëm për qelizat e sistemit imunitar. Mund ta imagjinojmë si një gjendër gjigande, ku prodhohen qelizat e reja të bardha, ku eliminohen të vjetrat dhe komunikohet me ato që janë në qarkullim.

Përfshin edhe organe të kota.

A keni dëgjuar për apendiksin ose apandesitin, i cili konsiderohet si një rudiment evolutiv, ose një mbetje e kotë e evoluimit që shpesh inflamohet dhe hiqet. Kjo strukturë e vogël ruan ekuilibrin e florës bakteriale të zorrëve sidomos kur “bakteriet e mira” janë në minorancë. Disa qeliza imunitare të zbuluara kohët e fundit në apandesit që quhen qeliza linfoide natyrale ndihmojnë të ripopullarizojnë zorrën me bakterie të mira dhe për të mbajtur infeksione pa kaluar nga një ind në tjetrin.

Mund të ndikojë në marrëdhëniet sociale.

Bindja se truri dhe sistemi imunitar ishin të izoluar dhe nuk komunikonin me njëri-tjetrin është hedhur poshtë nga një studim i publikuar në “Nature” në vitin 2016. Një molekulë e prodhuar nga qelizat imunitare në përgjigje të infeksioneve, interferon gama, duket se ka një rol kyç në sjelljet sociale të shumë kafshëve nga peshku tek minjtë. Në laborator, tek minjtë, kur kjo molekulë bllokohet kafshët bëhen më pak socialë. Duke e restauruar atë marrëdhënia shoqërore kthehet në nivele normale. Marrëdhëniet shoqërore janë mjeti kryesor në përhapjen e patogenëve, hipoteza është që interferon gama ta ketë inkurajuar këtë marrëdhënie përgjatë evoluimit duke i ndihmuar patogenët të përhapen, por edhe sistemin tonë imunitar të forcohet.

Disa nga qelizat e tij vrastare kthehen në të mira gjatë shtatzanisë.

Linfocitet natural killer, qelizat më agresive të sistemit imunitar, që janë prezente në mitrën e nënës luajnë një rol të heshtur infermieror në javët e para të shtatzanisë duke e mbështetur fetusin me prodhimin e faktorëve të rritjes.

Qelizat pac-man neutralizojnë tumoret infantile.

Disa shkencëtarë nga universiteti i Stanfordit kanë zbuluar që një proteinë në sipërfaqen e qelizave e quajtur CD47 që ndërvepron me makrofagët (fagocitet që gllabërojnë si një pac-man patogenët) duke u dërguar atyre një sinjal “jolufte”. Disa qeliza tumorale mashtrojnë sistemin imunitar duke prodhuar sasi të mëdha CD47 duke iu lutur kështu makrofagëve që të mos i gllabërojnë. Kur arrihet të bllokohet farmakologjikisht ky sinjal, makrofagët mund të eliminojnë qelizat tumorale duke zvogëluar nevojën e terapive me efekte anësore.

Mund të mashtrohet për të luftuar diabetin.

Shkencëtarët e MIT kanë treguar që po të kapsulojnë qeliza pankreatike njerëzore në biomateriale të derivuara nga algat dhe t’i transplantojnë tek pacientë të prekur nga diabeti tipi 1, sistemi imunitar nuk i sulmon dhe aftësia e tyre e të prodhuarit të insulinës mbetet e pa prekur.

Ka një kujtesë të fortë.

Sistemi imunitar mund të kujtojë një infeksion edhe para dekadash në distancë kohore. Pacientët e mbijetuar nga epidemia e ebolës në Republikën Demokratike të Kongos rezultojnë ende imunë nga infeksioni pas 41 vitesh nga kontaminimi. Kjo aftësi e të kujtuarit është e lidhur me një grup të ngushtë linfocitesh që mbijetojnë edhe 10 herë më gjatë se të tjerët duke u specializuar në njohjen e patogenit në shfaqjen e radhës. / Focus – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *