Home»Analiza»Sayed Kashua: “Çfarë poshtërimi, Trump ua shkatërroi simbolin palestinezëve. Por jo ëndrrën e një Shteti”

Sayed Kashua: “Çfarë poshtërimi, Trump ua shkatërroi simbolin palestinezëve. Por jo ëndrrën e një Shteti”

Sayed Kashua, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj arabo-izraelitë, është dallur gjithmonë për humorin e romaneve të tij si dhe të artikujve në të përditshmen Haaretz. Megjithatë, sot Kashua e ka humbur dëshirën për të qeshur, madje edhe buzëqeshur. Autori i “Dy në një” dhe “Njoftimet e fundit të jetës së palestinezëve në Jeruzalem”, 42 vjeç, përgjigjet me zërin e mbushur plot trishtim nga Illinoisi, ku është transferuar në vitin 2014, pasi kishte jetuar dy dekada në Jeruzalemin e tij. Kashua i dha lamtumirën qytetit të shenjtë, sepse ishte i zhgënjyer nga e djathta ekstreme dhe e përçarë, ai që përgjatë gjithë jetës së tij ka jetuar në “kufi”, duke qenë me familje myslimane, por nënshtetas izralit dhe shkrimtar në gjuhën hebraike.

Çfarë do të jetë Jeruzalemi tani, pas shpalljes së Trumpit?

Presidenti amerikan shkatërroi një simbol të palestinezëve. Por jo ëndrrën e një Shteti, që do të mbetet gjithmonë në popullin palestinez, sa kohë do të jetë gjallë. E gjithë kjo është tragjike dhe e trishtë, por nuk do të ndryshojë kushtet çnjerëzore të palestinezëve që jetojnë në Jeruzalem, prej dekadash pa të drejtat që kanë izraelitët, as edhe ato elektorale. Eshtë aparteid.

Po tani ç’do të ndodhë?

Shpresoj që protestat të mbeten paqësore, që palestinezët të ruajnë dinjitetin që i ka dalluar shpesh, por rreziku i një revolte është i fortë. Brezat e reja do të zbresin në sheshe të protestojnë. Të shohim sa i shpejtë dhe i fuqishëm do të jetë grushti i hekurt izraelit.

A do të përfitojë organizata ekstremiste Hamas, në krahasim me OÇL në Cisjordani, dhe presidentin Abu Mazen?

Fatkeqësisht, deri sot OÇL me qasjen e saj të butë nuk ka marrë asgjë nga izraelitët me kalimin e viteve, ka humbur më shumë territore dhe lëvizja e Trumpit dhe Netanjahut në Jeruzalem është demonstrimi i radhës: duan të shtrëngojnë Abu Mazen të pranojë një marrëveshje paqeje pa Jeruzalemin, por është e pamundur. Tashmë është koha të shpërbëhet OÇL sepse Abu Mazen ka humbur çdo besueshmëri, ashtu si shumë udhëheqës të tjerë arabë: nga sauditët tek egjiptianët, askush nuk thotë një fjalë për atë që po bën Trumpi. Kjo është poshtëruese për të gjithë arabët dhe më heq shpresën. / Burimi: La Repubblica – Përgatiti: Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *