Home»Histori»Masakra e Nankinit, një krim i pamëshirshëm i historisë

Masakra e Nankinit, një krim i pamëshirshëm i historisë

Masakra e Nankinit e merr emrin nga krimet e bëra nga ushtria perandorake e Japonisë në Nankin, Kinë dhe zonat përreth tij, pas rënies së kryeqytetit të republikës kineze nga trupat japoneze në 13 dhjetor 1937. Konteksti është lufta e dytë kino-japoneze. Pas një beteje të ashpër në tetor të 1937, bie Shangai dhe japonezët lëvizin drejt veriut dhe pushtojnë Nankinin. Komandantët e ushtrisë kineze ishin arratisur para hyrjes së japonezëve duke lënë pas mijëra ushtarë kinezë të bllokuar në qytetin e murosur. Shumë prej tyre hoqën uniformat dhe u arratisën në një zonë sigurie të përgatiru për rezidentët e huaj të Nankinit. Ajo që ndodhi më pas ka qenë një polemikë e vazhdueshme e historisë dhe tension politik mes Kinës dhe Japonisë deri para pak kohësh. Krimet e luftës të bëra gjatë episodit përfshijnë grabitje, përdhunime, vrasje të civilëve dhe të burgosurve të luftës, në shumicën e rasteve me makabritet.

Debate mes Kinës dhe Japonisë mbi shkallën e këtyre krimeve shkojnë deri aty sa qeveria kineze pohon se shifra e të vdekurve jo luftëtarë është mbi 300 000, ndërsa ushtria japoneze para Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Lindjes së Largët, e njohur ndryshe si Gjykata e Luftës e Tokios, pas Luftës së Dytë Botërore, thotë se të vdekurit ishin të gjithë ushtarakë dhe nuk kishte masakra të organizuara kundër civilëve. Megjithatë Gjykata e Luftës së Tokios vlerësoi numrin e të vdekurve në 250 000. Shumë vonë, në vitin 2007, disa dokumente të deklasifikuara nga qeveria amerikane që deri atëherë kishin qenë sekret, rrumbullakosin një shifër totale të të vdekurve rreth 500 000 duke patur parasysh edhe atë që ndodhi në zonat përreth qytetit para rënies së tij. Përveç luftës së shifrave, dëshmitë si të perëndimorëve edhe të kinezëve i treguan botës se gjatë 6 javëve, pas rënies së qytetit, trupat japoneze kryen një orgji përdhunimesh, vrasje, vjedhje, zjarrvënie dhe krime të tjera lufte. Prova të këtyre janë disa ditare të të huajve si John Rabe dhe Minnie Vautrin që mbetën për të mbrojtur civilët kinezë sa më shumë që të ishte e mundur. Dhuna nuk kurseu askënd: fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar që u dhunuan, u shpuan nga bajoneta, iu prenë kokat, u gjymtuan ose u varrosën të gjallë.

Një provë e kësaj masakre janë edhe dhjetra- mijëra njerëz të varrosur me duar të lidhura pas  shpine. Një episod tjetër është edhe ai i konkursit mes oficerëve japonezë, Toshiaki Mukai dhe Tsuyoshi Noda, se kush ishte i pari në vrasjen me kokëprerje të 100 njerëzve me një katana (shpata japoneze). Fitues doli Mukai që arriti të vriste 106 njerëz. Pas kapitullimit të Japonisë të dy u pushkatuan për krimet e tyre në Nankin. / Bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *