Home»Histori»Libri i 1822 / Filozofi shqiptar – konsullit francez: “Ja pse duhej një tiran si Ali Pashë Tepelena”

Libri i 1822 / Filozofi shqiptar – konsullit francez: “Ja pse duhej një tiran si Ali Pashë Tepelena”

Nga Aurenc Bebja

Francë – 19 Dhjetor 2017

Në librin në gjuhën frënge, “Vie d’Ali-Pacha, visir de Janina, surnommé Aslan ou le Lion – Jeta e Ali-Pashës, vezirit të Janinës, i thirrur Asllan ose Luan”, të autorit Alphonse de Beauchamp, botuar në Paris në vitin 1822, gjejmë një fragment të veçantë, në faqen n°180, mbi rrëfimin e një filozofi shqiptar* për Ali Pashë Tepelenën.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Qeveria e tij kishte megjithatë apologjetë ; Konsulli i Francës (François Pouqueville) citon si dëshmi, mendimin e një filozofi shqiptar, që e njihte Francën, që kishte qëndruar në Paris dhe frekuentuar shkrimtarë, bashkohorë si Volteri. Burri i moshuar i ka shprehur atij këto fjalë :

Në Prémiti (Përmet) kam lindur. Njeriu i mençur dhe i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo. Për këtë, unë jam një shembull i padiskutueshëm. Kam parë Versajën dhe Mbretin e Francës ; kam parë qytetërimin më të shkëlqyer ; kam jetuar në mesin e popullit më të sjellshëm në botë; dhe pavarësisht kësaj, kam dëshiruar të kthehem në atdheun tim.

Për pesëmbëdhjetë vjet kam shërbyer si përkthyes, vezirit Ali Pasha, pa patur prej tij mosmirënjohje apo nder të madh. Qeveria e tij, të cilën ju me siguri do ta gjykoni me ashpërsi, është në raport me njerëzit që ai urdhëron ; padrejtësitë dhe mizoritë e tij, gjithçka është e zbatueshme dhe proporcionale me natyrën e egër të shqiptarëve.

Duhej një tiran për të nënshtruar një popull grabitqarësh. Fjalët e mia ju çudisin, e pranoj ; por dhjetë vjet më parë ju do të ishit vrarë ose shitur si skllav, nga ata që sot ju shoqërojnë dhe mirëpresin.”

* Identiteti i filozofit shqiptar nuk është përmendur në libër, por sipas kërkimeve mund të bëhet fjalë për Konstandin Dukën nga Përmeti.

Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

https://www.darsiani.com/la-gazette/libri-i-1822-filozofi-shqiptar-konsullit-francez-ja-pse-duhej-nje-tiran-si-ali-pashe-tepelena/

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *