Home»Lifestyle»Shendeti»Ishemia dhe infarkti prekin edhe viktimat e stresit. Bëni kujdes me menaxhimin e tij! Këto janë simptomat

Ishemia dhe infarkti prekin edhe viktimat e stresit. Bëni kujdes me menaxhimin e tij! Këto janë simptomat

Me termin ishemi nënkuptojmë mungesën e fluksit të gjakut nga një bllokim, apo ngushtim i arterieve që furnizojnë me gjak një strukturë të caktuar, organ, apo ind. Ishemi kemi edhe në rastet e hipoksive, në të cilat kemi ulje të presionit pjesor të oksigjenit në gjak.

Në vetvete, ishemia konsiderohet si një “vuajtje për oksigjenim”, i cili vjen për dy shkaqet e sipërpërmendura. Secili ind ka kohëzgjatjen e vet të përballimit të një periudhe me mungesë oksigjenimi dhe furnizimi me gjak. Nëse ishemia nuk e kalon këtë periudhë, atëherë ajo quhet joletale. Nëse kalohet, ajo çon në infarkt apo në “vdekje” të indeve, të cilat më pas zëvendësohen nga fibroza dhe nuk e kryejnë më funksionin si më parë. Një shembull mund të ishte infarkti cerebral. Indi nervor mund të durojë deri në 5 min në mungesë të gjakut. Përtej 5 minutave, shfaqet infarkti cerebral i zonave të furnizuara me gjak nga arteria e bllokuar prej aterosklerozës, pasi ky është shkaku më i shpeshtë i bllokimeve. Ateroskleroza vlen si pasojë e depozitimit të lipideve (LDL-kolesterolit) në muret e enëve të gjakut. Ato çojnë në reduktim të elasticitetit dhe lumenit të enëve të gjakut duke favorizuar isheminë dhe infarktin. Më pas, zona e infarktuar zëvendësohet nga fibroza dhe e humbet funksionimin normal të saj.

Por më i shpeshtë në praktikat klinike është infarkti i miokardit, ose i njohur në gjuhën popullore si infarkti i zemrës. Ai ka disa simptoma tipike që secili nga ne duhet t’i ketë parasysh. Një nga më kryesoret është dhimbja e përhapur në kraharor (më tepër në anën e majtë), në qafë, në shpatull, në krah e deri tek gishti i vogël i dorës. Nëse kjo dhimbje nuk ndalon spontanisht për 10-15 min, është mirë të njoftojmë një mjek, ose të paraqitemi shpejt në spital.

Por cilat janë shkaqet? Shkaqet janë të shumtë. Përmendim duhanin, alkoolin, hipertensionin arterial, diabetin, ushqyerjen jo të  shëndetshme, jetën sedentare, si dhe stresin. Vitet e fundit po i kushtohet një vëmendje shumë e madhe stresit, si një shkaktar kryesor për gjithë sëmundjet kardiovaskulare. Ndaj dhe shumë mjekë, përfshirë edhe ata kardiologë, rekomandojnë fortësisht ndjekjen e metodave antistres, si dëgjimin e muzikës, shëtitjeve, kryerjen e aktivitetit fizik etj. Arsyeja është pikërisht reduktimi i riskut për shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare.

Por si kurohet ishemia? Kardiologu që dyshon për një ngushtim të koronareve, i rekomandon pacientit kryerjen e një EKG-je nën sforcim, si dhe të një ekokardiograme dhe më pas vlerëson përfundimet prej tyre për të marrë masat se si të vazhdojë me mjekimin. Nëse situata është kritike dhe ekziston rreziku për infarkt, atëherë ndërhyhet në mënyrë kirurgjikale për bypass-in e koronareve, ose atë që quhen ndryshe angioplastikë.

Nga ana tjetër, pacientëve u jepen edhe medikamente, si dhe këshilla për të ndryshuar stilin e jetesës, eliminimin e duhanit, ndryshimin e regjimit ushqimor, si dhe kryerjen e rregullt të aktivitetit fizik. / Bota.al

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *