Home»Lifestyle»“Dua një dhjetor me drita të fikura dhe me shpirtra të ndezur…”

“Dua një dhjetor me drita të fikura dhe me shpirtra të ndezur…”

Mungesën e dashurisë mund ta shohësh kudo. Mund ta vësh re që në mëngjes, kur një lypës të zgjat dorën dhe ti e sheh gjithë përbuzje. Mund ta vësh re tek shoqëritë e shtirura që të duan për interes. Mund ta bvësh re tek gjithçka që sillet rreth parasë dhe i largohet dita-ditës dashurisë.

Por çfarë ndodh pikërisht në ditë të tilla festash? Hendeku i dallimeve në shoqërinë tonë rritet. Dikë e sheh me qeset të mbushura plot me ushqime, ndërsa dikë tjetër e sheh të hajë një panine buke të pashoqëruar me gjë tjetër dhe me njërën dorë të zgjatur drejt mëshirës së të tjerëve për t’i hedhur ndonjë monedhë. Çfarë festash të gëzuara mund të kalojë një lypsar? Çfarë festash të gëzuara mund të kalojë një person që të ardhura të vetme mujore ka vetëm një përkrahje sociale që nuk i mjafton as për bukën e përditshme? Po një tjetër që jeton në një kasolle, sepse nuk ka shtëpi?

Raste të tilla ka plot në Shqipërinë tonë të vogël, por me dallime të mëdha. Festat janë ditë të njëjta për të gjithë, por nuk kalohen njësoj nga të gjithë. Dikush feston në mënyrë të shkëlqyer dhe dikush tjetër quan festë vetëm atë spektaklin kur sheh të tjerët të ndriçojnë qiellin e natës.

Në një hendek të tillë me diferenca, ajo që unë dua, është që të mos tregojmë kaq shumë lumturi përpara njerëzve të palumtur, sepse kështu ia shtojmë atyre trishtimin. Mjaft treguam që kemi, sepse në fund të fundit përfundimi i jetës së secilit nga ne është i njëjti. Unë dua që në këto festa ne të ndajmë sa më shumë. Të dhurojmë gjërat që nuk na duhen dhe të japim edhe pjesë nga ushqimet tona për ata që nuk kanë.

“Bëje dikë të lumtur në këto festa” (Make someone happy this holidays) ka qenë slogani i kompanisë “Apple” këtë fundvit dhe unë ju këshilloj të njëjtën gjë. Nuk mjaftojnë të ndizen dritat e qytetit që shpirtrat të lumturohen. Një shpirt është i lumtur kur është i ushqyer dhe kur e di se është i rrethuar nga dashuria. Le të japim sa mundemi si nga ana materiale, edhe nga ana emocionale. Çdokush ka nevojë për dashuri. Çdokush ka të drejtë të kalojë gëzuar në këto festa. / f.xh. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *