Home»Udhetim & Turizem»Si një udhëtim në lashtësi! Emocionet që të fal parku kombëtar i Apollonisë

Si një udhëtim në lashtësi! Emocionet që të fal parku kombëtar i Apollonisë

Është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve dhe kjo gjë nuk ndodh pa arsye. Bukuritë dhe vlerat arkeologjike të Apollonisë nuk mund të vihen në dyshim. Nga ana tjetër, lehtësia e mbërritjes në park është një faktor tjetër ndihmës që i ka shtuar turistët në këtë zonë të Fierit.

Mjafton që të jesh pranë pedonales, ose zonës së globit në qytetin e Fierit dhe nga aty mund të nisesh me taksi, ose me urbanin e Pojanit dhe përreth 20 min të gjendesh me fushën e Myzeqesë përpara syve të tu. Duke përshkuar një rrugë shumë të shkurtër, mund të gjendesh përpara muzeut dhe monumenteve historike të Apollonisë. Ke dy mundësi, ose të zgjedhësh për t’u futur në muze, ose të vazhdosh në të majtë për të parë monumentin ku është realizuar edhe videoklipi i famshëm i Greta Koçit dhe Erion Korinit që njihet prej të gjithë banorëve të zonës. Nga ana tjetër, mund të zgjedhësh të hysh në portën që gjëndet në të djathtë për t’u futur në muze me një çmim shumë të lirë.

Në muze sheh plot skulptura të figurave të shquara të historisë shqiptare, si dhe të shumë gjetjeve arkeologjike që i përkasin antikitetit. Këtë muaj që unë shkova ta vizitoja, më prezantuan një skeleti i një sorkalleje të gjetur muajt e fundit. Ndërkohë në pjesën e rrethuar nga të gjitha anët me kamera, sheh objektet e vjetra të përdorura në luftë, shpikjet e antikitetit për të ngrënë, për të shkruar, si dhe plot skulptura që së bashku ndërtojnë historinë e atij parku, si dhe të gjithë Shqipërisë së antikitetit.

Nëse zgjedh të shkosh në të majtë, ku ngrihet monumenti i videoklipit të këngëtarëve të përmendur më sipër, mahnitesh nga gjithë bukuria e tij. Nëse qielli është i kaltër, kur ngjit shkallët e atij monumenti, të duket sikur po e prek qiellin me dorë. Mbi të gjitha, nëse dikush të bën një foto duke të kapur ty dhe qiellin sipër, duket fiks sikur e ke prekur qiellin me dorë. Aq mahnitëse është ajo pamje dhe sidomos me pemët, gjelbërimin dhe qetësinë përreth.

Të fundit, por jo më pak të rëndësishme janë mjediset e argëtimit. Munda të shihja vetëm një lokal brenda parkut dhe ishte me pamje fantastike, ku shihej në pëllëmbë të dorës një pjesë e mirë e fushës së Myzeqesë. Mbi të gjitha, shërbimi cilësor në natyrë, mjediset e pastra të lokalit, qetësia që mbizotëronte, ishin element që të linin shumë mbresa në atë park.

Për dikë që pëlqen natyrën dhe qetësinë, një vizitë të Apolloni do të ishte fantastike. Nëse je i/e tillë dhe ke ndonjë fundjavë të lirë, shih parashikimin e motit. Nëse ai është favorizues, mos ia moho vetes mundësinë për ta vizituar parkun e Apollonisë. Ka për të të pëlqyer pamasë.  / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *