Home»Histori»Një avion me 45 pasagjerë u rrëzua në Ande. 16 prej tyre mbijetuan duke ngrënë të tjerët

Një avion me 45 pasagjerë u rrëzua në Ande. 16 prej tyre mbijetuan duke ngrënë të tjerët

“Ne bëmë një pakt që, nëse mbijetonim, do të ishim të lumtur të vinim trupat tanë në shërbim të të tjerëve”

Sa larg mund të shkoni për të mbijetuar? A do të bënit çdo gjë që duhej? A do të hanit edhe mish njerëzish? Është diçka për të cilën shumë njerëz e kanë pyetur veten, kur dëgjojnë tregime për mbijetesë në rrethana ekstreme. Por Roberto Canessa nuk ka nevojë të pyesë veten. Ai e ka bërë atë.

Në vitin 1972, Canessa ishte një student mjekësie vetëm 19-vjeçar që shoqëronte ekipin e tij të regbisë në një udhëtim nga Uruguai, për të marrë pjesë në një ndeshje me Kilin. Për të arritur atje, ata kishin nevojë për të fluturuar me një aeroplan të vogël, mbi malet Ande. Por, pas hyrjes në turbullira të rënda të ajrit, piloti bëri një gabim dhe filloi të zbriste ndërkohë që ata ishin ende mbi male. Brenda pak sekondash, aeroplani u përplas në një majë me borë.

Canessa mbijetoi nga rrëzimi i fluturimit të Uruguay 571, por ai ishte një nga të paktët që shpëtuan. Dhjetëra pasagjerë kishin vdekur ose ishin në gjendje të rëndë, me eshtra të thyera ose copa metali të ngulura në trupa.

Gjatë ditëve që pasuan, disa udhëtarë të tjerë vdiqën nga ekspozimi në malin e ngrirë ose nga lëndimet. Dhe një natë, një ortek u përplas mbi të mbijetuarit dhe përfshiu edhe tetë vetë, që vdiqën.

Canessa dhe të mbijetuarit e tjerë bënë gjithçka që mundën për të luftuar elementët. Ata bënë batanije nga sediljet e aeroplanit dhe përdorën aluminin e avionit për të shkrirë borën, në mënyrë që të kishin diçka për të pirë. Por një gjë që ata nuk mund ta gjenin, ishte ushqimi.

Në dëshpërim, ata u kthyen tek i vetmi burim furnizimi ushqimor që kishin në dispozicion: trupat e miqve të tyre të vdekur. Në librin e tij “I Had To Survive”, Canessa ofron tregimin e tij të kësaj përvoje: “Duhej të hanim trupa të vdekur, dhe kaq. Vendimi për ta pranuar atë intelektualisht është vetëm një hap. Hapi tjetër është që ta bash atë realisht”.

Ashtu si shumë nga të mbijetuarit, Canessa luftoi me idenë e të ngrënit të mishit të njeriut. “Kjo ishte shumë e vështirë. Goja juaj nuk bindet që të hapet, sepse ndihesh kaq i mjerë dhe i trishtuar për atë që duhet të bësh”.

Por duket se ai dhe të mbijetuarit e tjerë janë ngushëlluar me idenë se do të kishin qenë të gatshëm të sakrifikonin trupat e tyre, nëse ishte e nevojshme. Sipas Canessas, “Ne bëmë një pakt që, nëse vdisnim, do të ishim të lumtur që t’i vinim trupat tanë në shërbim të pjesës tjetër të ekipit”.

Ngrënia e të vdekurve krijoi një ndjenjë të thellë të lidhjes shpirtërore midis të mbijetuarve, jo vetëm për ata që kishin mbetur, por edhe për të vdekurit, sakrifica e të cilëve i lejoi ata të vazhdonin.

Për Canessan, vendimi për të ngrënë trupat e tyre u dha ushqim shpirtëror, si dhe ushqim fizik. “Ndjej se kam ndarë një pjesë të miqve të mi jo vetëm materialisht, por shpirtërisht, sepse vullneti i tyre për të jetuar na është transmetuar nëpërmjet mishit të tyre”, tha ai.

Canessa ia njeh meritën këtij vullneti për të jetuar, për mbijetesën e tij. Dhe ushqimi që i jepnin të vdekurit me siguri e mbajti gjallë, ndërsa ai dhe dy njerëz të tjerë hynë në një udhëtim të gjatë nëpër male, për të gjetur ndihmë.

Burrat ecën për 10 ditë nëpër temperatura të ulëta para se të gjejnë shpëtim. Nga 45 vetë në bordin e fluturimit të Uruguay 571, vetëm 16 i mbijetuan provës dy mujore në male. Mbijetesa e tyre u bë e njohur si “Mrekullia në Ande” dhe frymëzoi libra dhe filma të shumtë, duke përfshirë “Alive”.

Roberto Canessa mbarti përvojën e tij në një karrierë si kardiolog pediatrik. “Është hakmarrja ime për vdekjen,” thotë ai, “i them nënës së fëmijës: ‘Ju keni një mal të madh për t’u ngjitur. Unë kam qenë atje më parë. Por gëzimi … që ju pret në anën tjetër është spektakolar!”. / Burimi: “Sette” – Përgatiti: Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *