Home»Uncategorized»Këshilla që duhet “t’i mbani vesh”: Aknet dhe trajtimi i tyre

Këshilla që duhet “t’i mbani vesh”: Aknet dhe trajtimi i tyre

Ato mund të prekin çdo moshë, por shfaqjen më të shpeshtë e kanë në periudhën e adoleshencës, aq sa bëhen dhe problem për të rinjtë, të cilët shpesh paraqesin edhe shenja të uljes së vetëvlerësimit për shkak të tyre. Shkaktarët janë nga më të ndryshmit, ku më kryesori renditet faktori gjenetik dhe më pas vijnë faktorë, si ndikimi i hormoneve të shtuara seksuale, dieta jo e përshtatshme, stresi etj. Për sa i përket trajtimit të tyre, ka disa masa që duhen marrë parasysh nga çdo person që vuan prej akneve :

1. Larja e shpeshtë e fytyrës me ujë dhe sapun përgjatë ditës. Aknet krijohen si pasojë e depozitimit të baktereve dhe yndyrës në fytyrë, ndaj trajtimi më i mirë dhe më rutinë mund të bëhet nga çdo person që vuan prej tyre. Larja e shpeshtë sa herë që lëkura e fytyrës formon yndyrë, bën pastrim të vazhdueshëm të saj dhe pakësim të sasisë së yndyrës në vendet e akneve. Pas larjes, duhet të bëni edhe një pastrim delikat të fytyrës me peshqir të butë e të pastër.

2. Mos përdorni produkte vajore për flokët, lëkurën, apo për pastrimin e fytyrës. Ato do ta shtojnë nivelin e yndyrës dhe do ta përkeqësojnë gjendjen e akneve tuaja, ndaj zgjidhni produkte kozmetike me bazë uji.

3. Evitoni prekjet e shpeshta të fytyrës me duar apo shtrydhjet e puçrave. Shtrydhjet e tyre do të bëjnë që gjithë bakteret dhe qelizat e vdekura të lëkurës të futen në brendësi të akneve të shtrydhura dhe të thellojnë inflamacionin me dëmtim akoma më të rëndë të indit përreth. Ndërkohë që prekjet me duar të fytyrës shtojnë edhe papastërtitë në fytyrë, gjë që dëmton akoma dhe më shumë gjendjen e akneve.

4. Mbrohuni nga dielli. Dikur mendohej që dielli mbronte nga aknet, ndërkohë që sot është vërtetuar se rrezet ultraviolet të diellit, dëmtojnë lëkurën dhe thellojnë çdo proces inflamator që ka ndodhur në të. Përdorni krem mbrojtës me faktor mbrojtës minimumi 15.

5. Mos u shqetësoni shumë për dietën. Deri më tani, gjithë supozimet se çokollatat apo ushqimet e yndyrshme mund të shtojnë aknet tek të rinjtë, nuk janë të bazuara në studime të mirëfillta shkencore. Mirëpo dermatologët rekomandojnë se, nëse pacientët vënë re që me konsumimin e një ushqimi u shtohen aknet në fytyrë apo në trup, të përpiqen ta shmangin atë ushqim.

Aknet janë një problem i shumë personave, jo vetëm i disa prej tyre ndaj nuk duhen parë nga askush si e keqja më e madhe që mund t’i ketë ndodhur atij personi. Është koha që të mos e shihni këtë aspekt si diçka që duhet t’ju bëjë të ulni vetëvlerësimin për veten. Kujdesuni për veten, për pamjen tuaj, por mos lejoni që humori juaj të bjerë për diçka që, në fund të fundit, në shumicën e rasteve, nuk e keni zgjedhur ju të jetë ashtu, pasi mund ta keni gjenetike shfaqjen e tyre. / f.xh. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *