Home»Analiza»Arabi Saudite-Iran, përplasja që po i kalon kufijtë e tyre

Arabi Saudite-Iran, përplasja që po i kalon kufijtë e tyre

Eshtë një reshtim aleancash, një përplasje e fortë interesash gjeopolitike. Kush fshihet prapa?

Nga Bernard Guetta

Ditë pas dite, tensionet mes iranianëve dhe sauditëve po rriten. Më 8 nëntor ishte presidenti i Republikës Islamike Hassan Rohani, zakonisht një pragmatist, që sulmoi Arabinë Saudite: “Jeni një hiç. Fuqi më të mëdha se ju, kanë thyer dhëmbët përballë nesh”, tha ai, duke e ftuar kundërshtarin që të merrte parasysh “fuqinë iraniane”.

Në të njëjtën ditë, Ali Akbar Velayati, një këshilltar me ndikim diplomatik i liderit suprem të Iranit, ka folur i ekzaltuar në Siri, në Alepo, për suksesin e shiitëve në Lindjen e Mesme, duke mos e fshehur aspak entuziasmin për “linjën e rezistencës që kalon nga Teherani në Bagdad, Damask dhe Bejrut, duke mbërritur deri në mbërritjen në Palestinë”, ose në kufirin verior të Izraelit me Libanin. Dy iranianët i janë përgjigjur në këtë mënyrë Princit saudit të kurorës, Muhammed bin Selman, i cili një ditë më parë kishte akuzuar Iranin se ka bërë “agresion të drejtpërdrejtë ushtarak” dhe se Riadi rezervon “të drejtën për t’u përgjigjur.”

Asnjëherë më parë këto dy vende nuk kanë qenë kaq pranë përplasjes, ballë për ballë, dhe përmes të tretëve. Por cili është raporti i forcave, midis Iranit dhe Arabisë Saudite?

Aleatët respektivë

Sa i përket personelit ushtarak, është i favorshëm për Teheranin, i cili mund të llogarisë mbi 750,000 burra, kundër 400,000 të Riadit. Por këto shifra nuk thonë asgjë.

Ndërkohë që forcat saudite nuk janë të angazhuara në ndonjë front të jashtëm (përveç qiejve të Jemenit, ku luftojnë me rebelimin shiit të mbështetur nga Irani), ushtria iraniane tani është e shpërndarë midis Sirisë, ku mbështet regjimin e Asadit dhe Irakut, ku mbështet militantët shiitë.

Jo vetëm që forcat iraniane janë të zëna në dy fronte, por Hezbollahu, organizata e fuqishme politike dhe ushtarake shiite libanez, e armatosur dhe financuar nga Teherani, ka dërguar trupat e saj më të mira në Siri, duke e lënë të pambrojtur frontin e brendshëm, ku është pashmangshmërisht më pak e fortë.

Irani është aq i projektuar në të gjithë Lindjen e Mesme, saqë ka shumë më tepër territore për të mbrojtur sesa Arabia Saudite, e cila ka mbetur brenda kufijve të saj, duke zgjedhur të përballet me Teheranin vetëm nëpërmjet aleatëve të vet.

Pa marrë parasysh atë që thonë në Teheran, Irani nuk është në një pozicion të fortë, sepse ka shumë më tepër për të humbur sesa sauditët. Por për pjesën tjetër, të dy vendet kanë potencial të shkatërrojnë njëri-tjetrin, sepse përveç faktit se arsenalet e tyre janë plot dhe rrezja e raketave të tyre është e mjaftueshme, Riadi mund të llogarisë furnizimin me armë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Teherani ka mbështetjen e Rusisë.

Nëse do të shkohet në një luftë, aspekti më i tmerrshëm i saj do të ishte përballja indirekte, por e pamohueshme, mes Uashingtonit dhe Moskës. / France Inter – Sjellë në shqip nga BOTA.AL

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *