Home»Nunc est Bibendum»Vite e verëra të pazakonshme

Vite e verëra të pazakonshme

Më kujtojnë të vishem mire, sepse temperaturat do të ulen ndjeshëm nga dje. Kjo, pak ditë më parë. Por është vetëm fillim tetori e ndërmend vijnë këto kapriço të motit, që janë kthyer në normale.

Ndryshimet klimatike janë përpara syve të të gjithëve, e verërat e ardhshme s’dihet si do jenë. Sigurisht ndryshe. Po e thonë e shkruajnë sa vjen e më shpesh. S’mund të bëjmë më pak, në Nunc est Bibendum, megjithëse as këtë vit nuk i kemi dedikuar asnjë rresht vjeljes, si kemi bërë për 2014 e  .

Megjithë lajmet e fundit me valencë ndërkombëtare, si fërkimet SHBA-Kore e Veriut e më së fundi Iran, apo fatkeqësi natyrore e të tjera, duket si punë për sipërfaqësorë të mendosh verën, por siç këndojnë vargje të moçme e të mençura:

Kush jeton veç me dashurinë e vetmuar për veten,

a duke pyetur veten çfarë – vallë diçka – pas vdekjes vjen,

do të ishte më pak patetik, hardhinë të nderojë

se sa vdes duke u munduar frymën të përjetësojë’’.

Në muajin gusht, Profesori Attilio Scienza, një studies i madh i vitikulturës, në një intervistë në rrjet, analizonte shumë seriozisht situatën shqetësuese, pasojë e një “tropikalizimi”, si e quan ai, të klimës së pellgut të Mesdheut.

Sipas tij: “Kërkimi shkencor mbi nënshartesën është thelbësor. Në Milano, kemi krijuar tashmë varietete që u rezistojnë këtyre klimave, por mbetemi të vetëdijshëm se shumë mbetet ende për të bërë.

Verërat italiane do t’i ngjajnë gjthnjë e më tepër atyre australiane apo kaliforniane dhe verërat e Veriut do të jenë më të ngjashme me ato të Jugut. E na pëlqen kjo apo jo, verërat e së ardhmes, asaj të afërme, do të jenë shumë ndryshe nga ato të tanishmet. Ky është një cikël që ka ngjarë e do të ngjasë përsëri…”.

Dikush ka arritur deri aty, sa të mendojë të ndërrojë kulturën, siç është rasti i një verëtari të respektuar abrucez, i cili duket se do të shtojë ullishtet, në dëm të sipërfaqes së mbjellë me vreshta.

Pse nuk ia dilte dot më të ruajë parametrat e verës që prodhon, koherentë me aftësinë për t’u vjetëruar, sidomos me rrushin e tij Montepulciano.

Për një tjeter shijues që prej gjysmë shekulli i dedikuar verës, shumë gjëra po ndryshojnë, jo vetëm klima. Prandaj sipas tij, ndryshimet duhen kuptuar thellë, e prandaj lipset ndërgjegjësim. Në rradhë të pare, nga ana e atyre që verën e prodhojnë, që nesër mos të gjejnë veten duke qortuar, nuk di se kë. Jo sepse zgjidhja është e lehtë, e padyshim nuk vjen sa hap e mbyll sytë. Sidomos po të mendosh se zor që Kina a India, do të heqin dorë nga industrializimi i tyre galopant, apo administrate e Trump do t’i rikthehet papritur mbështetjes së Protokollit të Kyotos…

Pra jo pak gjë.

Si shijues, shqetësimi mbetet – sidomos për kë preferon freski e aroma, ndaj strukturës e gradës alkoolike – por edhe kurioziteti për shijet e së ardhmes, mbetet po ashtu. Në vend, një ngushëllim vjen edhe njëherë nga fakti se vendi i thepisur ofron mikroklima, e parcela që megjithëse krejt afër, ndryshojnë fort nga njëra-tjetra. Oshilacionet e regjistruara këtë vit të fundit të tundin vendit, pavarësisht se për shqetësim serioz, mes atyre dy-tri prodhuesve shqiptarë të pyetur lidhur me vjeljen e këtij viti, nuk dëgjojmë.

Por siç kemi thënë edhe më parë në Nunc est Bibendum: Jo vetëm mbi verëtarë, a verëra, do të jenë shkrimet tona, por edhe mbi të tjerë, njerëz të verës, siç i ‘’pagëzoi’’ puna ndër vite, që i çoi të njihnin copëza terreni, varietete, histori, tradita, teknologji. Me pak fjalë, ata që ishin aty e që i provuan apo i krijuan. Shpeshherë ishin verëra që ndoshta kurrë sdo të vijnë më. Se vetë toka ka ndryshuar, se shijet, pritshmëritë nuk janë më si më parë.

Andi Qinami

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *