Home»Magazine»Kulture»Nëse doni të ndryshoni realitetin, besojini më shumë fantashkencës

Nëse doni të ndryshoni realitetin, besojini më shumë fantashkencës

Njerëzimi duhet të jetë gjithnjë e më i vetëdijshëm për veten, si dhe strategjik në perspektivën më të gjerë të kohës dhe hapësirës; fantashkenca mund të jetë instrumenti më i fuqishëm në dispozicionin tonë, për ta shtyrë mendimin popullor në këtë drejtim. Ka një nedojë shumë të madhe për njerëz vizionarë në këtë fushë, për të prodhuar koncepte që mund ta shtyjnë njerëzimin drejt një trajektoreje më premtuese. Nuk ka rëndësi nëse në fund do të arrijmë të shpëtohemi dhe të ndjekim objektivin e një migrimi kozmik. Mund të argëtohemi gjithësesi duke parë filma fantashkencë dhe duke marrë pjesë sot, në ëndrrën e të nesërmes

Peter Kleeman

Të gjithë, herët a vonë, pyesim veten për të ardhmen e species tonë. A do t’i mbijetojmë vetë-shkatërrimit? A do të lëvizim drejt yjeve? Shoqëria jonë zakonisht i bën thirrje imagjinatës, për të menduar për pyetjet e mëdha. Edhe kur zgjedhim të shohim nga e ardhmja e dhjetë apo një mijë vjetëve, shpesh u drejtohemi artistëve, shkrimtarëve, regjisorëve dhe producentëve të fiction-it, për të na ndihmuar të kuptojmë vendin tonë në univers.

Vizione të së ardhmes i japin formë të tashmes, dhe mund të frymëzojë progresin, nga pikëpamja sociale dhe teknologjike. Astronautët si Mae Jamison dhe inxhinierë të hapësirës si Bobak Ferdovsi dhe Elon Musk, kanë rrëfyer rëndësinë e shkencës në karrierën e tyre. Më e rëndësishmja, fantashkenca mund të frymëzojë njerëzit, për të zhvilluar një mendim të projektuar për afat të gjatë.

Si themelues i Muzeut të Epokës së Hapësirës, ​​një projekt i historisë kulturore, që fokusohet në zhvillimin e njerëzimit në një qytetërim të udhëtarëve të hapësirës, ​​idetë e mia mbi këtë temë janë nxjerrë nga më shumë se njëzet vjet koleksionim i lodrave hapësinore të kohës, anijeve kozmike të shpëtuara, robotë të braktisur në anë të rrugës si dhe duke parë tonelata të tëra me fantashkencë. Më poshtë janë disa prej mënyrave, se si fantashkenca më ka ndihmuar mua dhe shumë të tjerë, për të kuptuar botën në të cilën jetojmë.

Një perspektivë ndryshme

Nëse ndihemi të përfshirë emocionalisht në një të ardhme më të mirë, ne do të jemi të motivuar të përshtatemi dhe të zgjidhim problemet me të cilat përballemi në të tashmen. Qoftë nëse e ardhmja përshkruhet në hije rozë, qoftë të errëta, fantashkenca mund të na bindë që mendojmë në mënyrë kreative, duke na bërë të mundur të hedhim një hap drejt të ardhmes së largët, si dhe duke i hedhur një sy pamjes që ajo mund të ketë.

Këto tregime shpesh nënkuptojnë se do të mbijetojmë si specie dhe do t’i kapërcejmë sfidat përpara nesh. Megjithatë, ka shumë kundër-rrëfime që na paralajmërojnë për rreziqet që na presin, pavarësisht progresit që mund të bëjmë si shoqëri. Rrëfime morale si Terminator, Mad Max ose Alien mund të jenë po aq iluminuese, sa historitë optimiste si Interstellar, E.T. apo Takimet nga afër të llojit të tretë.

Një perspektivë shumë-breznore, deri në pikën e përqafimit të banueshmërisë ndërplanetare rrit aftësinë për të kuptuar vendin tonë në univers dhe dekurajon veprimet miope. Kjo lloj perspektive më e gjerë, i jep prioritet aspiratave të tilla si bashkëjetesa paqësore dhe mbrojtja e mjedisit.

Aftësia për të transportuar njerëzit në të ardhmen e afërt, ka gjithashtu një funksion frymëzues: megjithëse nuk kemi aftësi teknike ose sociale për të arritur qëllimet tona, imagjinimi i progresi të papritur, ushqen optimizmin dhe përforcon vendosmërinë. Në një kohë kur mbizotëron arsyetimi shkencor dhe logjik, njerëzit janë ende në kërkim të shpresës dhe lidhjes.

Duke ofruar mënyra imagjinare, për të qenë pjesë në ngjarjet e projektuara përtej jetëgjatësisë sonë, pamjet e së ardhmes mund të bëhen një busull morale, për mënyrën se si jetojmë sot. Përshkrimet e një të ardhmeje më të mirë mund të frymëzojnë veprime që kontribuojnë për të fituar diçka më të madhe se sa ne; kur investojmë emocionalisht në idetë mitike për të ardhmen, ne gjithashtu ndjehemi të aftë për t’i vënë ato në praktikë. Kjo ndjenjë e aftësisë për të vepruar ushqen vendosmërinë dhe promovon një bashkësi globale, me pjesën tjetër të njerëzimit.

Çdo gjë që i ndihmon njerëzit të konceptojnë të ardhmen, të mendojnë përtej të tashmes dhe të lidhen me personazhe me identitete të ndryshme, është pozitive. Shumë aventura klasike hapësinore nuk përqendrohen në referencat specifike të shkencës, por sërish ofrojnë pamje imagjinare mbi mundësitë përtej asaj që shkenca mund të arrijë. Saga të tilla si Dune, Luftërat e Yjeve, dhe Elementi i Pestë përshkruajnë një univers plot me botë të ndryshme dhe qenie jashtëtokësore, duke ofruar perspektiva të jashtëzakonshme, në rrugën evolucionare të njerëzimit.

Një instrument formimi

Duke shkuar më tej, fantashkenca duhet të ngrihet në një nivel akademik dhe të njihet si diçka më shumë, se sa një kalim apo shmangie në botën e fantazisë. Atje ku për disa njerëz, shkenca e pastër mund të jetë e vështirë të kuptohet, parashikimet krijuese mund t’i bëjnë teoritë shkencore më të kapshme për publikun e gjerë, veçanërisht nëse komunikohen përmes mediave vizuale. Përveç se të frymëzojë shkencëtarë, inxhinierë dhe astronautë dhe të mbështesë programe trajnimi në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, fantashkenca ka aftësinë për të ushqyer impulset krijuese të njerëzve të të gjitha llojeve, duke përfshirë arkitektë, projektues dhe politikanë.

Mbështetja e këtyre imazheve të progresit dhe ndarja e tyre me të tjerët mund të ofrojë në vetvete ndjesinë e të pasurit një qëllim. Ndoshta unë nuk do të kem aftësinë për të kolonizuar një planet tjetër, ose për të zhvilluar një teknologji që promovon këtë qëllim, por duke ndihmuar për të ushqyer këtë ëndërr, unë rris shanset që dikush tjetër në fund të arrijë të gjejë një mënyrë, për të shkuar atje. Dhe nuk është vetëm përparim teknologjik, por një transformim më global i shoqërisë, duke përfshirë edhe aftësinë për të bërë përmirësime mjedisore, sociale dhe politike.

Të gjithë duhet të shkojnë në kërkim të rrëfimeve futuriste në kinema, në televizor dhe në letërsi, si dhe t’i ndajë me persona që janë pjesë e jetës së tyre, mbi të gjitha më të rinjtë. Kështu mund të plazmojmë në mënyrë kolektive, ideale dhe koncepte të dobishme për një të ardhme më të mirë.

Njerëzimi duhet të jetë gjithnjë e më i vetëdijshëm për veten, si dhe strategjik në perspektivën më të gjerë të kohës dhe hapësirës; fantashkenca mund të jetë instrumenti më i fuqishëm në dispozicionin tonë, për ta shtyrë mendimin popullor në këtë drejtim. Ka një nedojë shumë të madhe për njerëz vizionarë në këtë fushë, për të prodhuar koncepte që mund ta shtyjnë njerëzimin drejt një trajektoreje më premtuese. Nuk ka rëndësi nëse në fund do të arrijmë të shpëtohemi dhe të ndjekim objektivin e një migrimi kozmik. Mund të argëtohemi gjithësesi duke parë filma fantashkencë dhe duke marrë pjesë sot, në ëndrrën e të nesërmes. / Quartz – Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *