Home»Analiza»Narrativa e gënjeshtërt e Realpolitikës

Narrativa e gënjeshtërt e Realpolitikës

nga Lee Howell

Gjenevë – Në një epokë të mediave sociale që përçajnë dhe “lajmeve të rreme” partiake, nocioni që “veprimet flasin më shumë se fjalët” nuk është më i vërtetë. Siç po e rizbulojmë, fjalët janë po aq të fuqishme dhe problematike, veçanërisht në kontekstin e gjeopolitikës. Takimi i fundit i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ofroi kujtesën më të fundit, se në diplomaci fjalët ende kanë rëndësi.

Shumë vëmendje i është dhënë deklaratës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojnë totalisht Korenë e Veriut”, nëse Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) e kërcënon atë, apo aleatët e saj. Në fakt, shumica e ekspertëve ushtarakë pajtohen se një luftë kinetike në Gadishullin Korean do të asgjësonte DPRK-në, dhe ndoshta edhe Korenë e Jugut bashkë me të.

Por pjesët e tjera të fjalimit të Trumpit në OKB, veçanërisht pasazhet e tij në lidhje me interesat dhe sovranitetin kombëtar, kërkojnë reflektim të mëtejshëm. Trump nuk e fsheh dëshirën për të “vendosur Amerikën të parën”, dhe ai e përsëriti atë premtim në OKB. Por ai gjithashtu u kërkoi liderëve të tjerë, që ata të vendosnin vendet e tyre të parët. “Për të kapërcyer rreziqet e së tashmes dhe për të arritur premtimin e të ardhmes, duhet të fillojmë me mençurinë e së kaluarës”, tha ai. “Suksesi ynë varet nga një koalicion kombesh të forta dhe të pavarura, që përqafojnë sovranitetin e tyre për të nxitur sigurinë, begatinë dhe paqen, për vete dhe për botën”.

Ndokush mund të konkludojë, dhe shumë e kanë bërë, se deklarata të tilla sinjalizojnë një ringjallje të përkushtimit të SHBA ndaj çështjeve botërore të Realpolitikës. Siç thoshte historiani John Bew në rishikimin që i bënte këtij termi në vitin 2016, lëkundja e lavjerrësit ishte e pritshme: “Debatet e politikës së jashtme ndjekin cikle, në të cilat politikëbërësit deklarohen më idealistë apo më realistë”.

Por studimi i Bew-it gjithashtu na kujton se ndjekja e njëanshme e interesave kombëtare – lloji i botëkuptimit të mbrojtur nga Trump – nuk është aspak realpolitikë, nëse nuk shoqërohet me një ide transformuese, ose një qëllim normativ. Zhdukja e shqetësimeve morale nga çështjet globale do të dobësonte vetëm SHBA-në dhe të gjithë ata që e ndjekin atë.

Koncepti i Realpolitikës doli nga rezultatet e përziera të revolucioneve evropiane të vitit 1848, kur unifikimi i ardhshëm i Gjermanisë kishte shumë variante të mundshme, por qëllimi më i madh politik – një rend ndërkombëtar që përbëhej nga shtete të forta kombëtare – ishte gjithësesi i qartë. Por, pas shpalljes së doktrinës “Amerika e Para” të Trumpit, sfida për botën sot është të dallojë se cili është qëllimi i realizmit politik.

Një përgjigje u nda në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në fillim të këtij viti. Atje, Presidenti kinez Xi Jinping ofroi një mbrojtje të fuqishme për globalizimin dhe theksoi pikëpamjen e tij, se në ndjekjen e axhendave kombëtare, shtetet duhet të vendosin objektiva “në kontekstin më të gjerë” dhe “të frenohen nga ndjekja e interesave të tyre, në kurriz të të tjerëve”.

Nëse udhëheqësit e dy vendeve më të fuqishme në botë ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, cilat janë shanset për forcimin e bashkëpunimit global?

Historia është e mbushur me shembuj të konflikteve që rrjedhin nga një fuqi në rritje, e cila sfidon ndikimin dhe interesat e një superfuqie që është tashmë në majë. Gjatë Luftës së Peloponezit, sipas historianit grek Tukidid, “ishte ngritja e Athinës dhe frika që kjo i fuste Spartës, që e bënte luftën e pashmangshme”. Mënyra se si Kina dhe SHBA shmangin atë që Graham Allison i Harvardit e ka quajtur “Kurthi i Thukididit”, aq sa është edhe siguria që mosmarrëveshjet gjeostrategjike në vende të tjera, nuk çojnë në dhunë.

Siç ka argumentuar biologu i Stanfordit, Robert Sapolsky, dikotomitë e sjelljes që mund të duken të pashmangshme dhe të rëndësishme për një moment, munden që, në rrethanat e duhura, “të avullojnë në çast”. Për Sapolskyn, “teoria e kontaktit”, e cila u zhvillua në vitet 1950 nga psikologu Gordon Allport, mund të nxisë pajtimin mes rivalëve, dhe të ndihmojë në eleminimin e ndarjes “ne dhe ata”.”Kontakti”, qoftë midis fëmijëve në një kamp veror, ose negociatorëve rreth një tavoline, mund të çojë në një mirëkuptim më të madh nëse angazhimi është i gjatë dhe në territor neutral, i orientuar drejt rezultateve, informal, personal dhe që shmang ankthin ose konkurrencën.

Ajo që është thënë gjatë këtyre angazhimeve është vendimtare. Siç ka vërejtur ekonomisti fitues i çmimit Nobel, Robert J. Shiller, narrativat, të vërteta apo jo, janë orientuese të vendimeve të mëdha, veçanërisht zgjedhjeve ekonomike. Në studimin e tij të “ekonomisë narrative”, Shiller thekson efektet që narrativat “virale” mund të kenë në ekonominë globale. Ai thekson se zgjedhjet dhe vlerësimet e njerëzve për ngjarjet aktuale, janë pjesërisht të bazuara në historitë që kanë dëgjuar për ngjarjet e kaluara. Për shembull, kriza globale financiare 2007-2009 quhet “Recesioni i Madh”, sepse tregimet traumatike të Depresionit të Madh vazhdojnë të jenë të pranishme në kujtesën tonë kolektive.

Fjalët dhe narrativat ndikojnë në çështjet ndërkombëtare, në mënyra të ngjashme. Rrëfimet që kanë dalë në përgjigje të – ose si rezultat i – ndarjeve kombëtare, rajonale dhe globale shpesh janë të strukturuara nga një dikotomi e llojit “ne dhe ata”. Por këto rrëfime kombëtare, aq tërheqëse sa mund të jenë për disa, nuk duhet të ngatërrohen me Realpolitikën, pasi atyre u mungon inovacioni, frymëzimi dhe idealizmi i nevojshëm për ndryshime transformuese.

Narrativat që kërkojnë të ruajnë përfitimet e njëanshme të integrimit global, duke kufizuar detyrimet e përbashkëta, mund të bëhen “virale” brenda vendit, sepse qytetarët dëshirojnë të kenë një lidership të përgjegjshëm, që adreson shqetësimet lokale dhe kombëtare. Por një identitet i përbashkët dhe një qëllim kolektiv mbetet i pakapshëm, pavarësisht faktit se po jetojmë në një epokë të rrjeteve sociale.

Vetëm ky fakt nuk mund t’i zhveshë qeveritë nga përgjegjësitë e tyre rajonale dhe globale. Frakturat politike, ekonomike dhe sociale që janë shfaqur nuk duhet të nxisin intolerancën, pavendosmërinë dhe mosveprimin. Prandaj takimi i ardhshëm i Forumit Ekonomik Botëror do të kërkojë të ridedikojë udhëheqësit për zhvillimin e një narrative të përbashkët, një që forcon bashkëpunimin për këtë brez dhe çdo brez që do të vijë. 

Sjellë në shqip dhe botuar ekskluzivisht nga bota.al, me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The False Narrative of Realpolitik

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *