Home»Magazine»Kush ishte para Twitterit? Ishte Morsi! Historia e një gjeniu, në një botë të prapambetur

Kush ishte para Twitterit? Ishte Morsi! Historia e një gjeniu, në një botë të prapambetur

 

Në fund të marsit në vitin 2006, Jack Dorsey, një student universitar përfundoi së projektuari një faqe interneti, për të postuar mesazhe që përmbanin jo më shumë se 140 shkronja. U quajt Twttr. Dorsi dhe bashkëpunëtorët e tij i shtuan zanore këtij shërbimi, duke e kthyer në Twitter (Tuiter). “Qëllimi ishte të krijonim fraza me informacione të pashtershme, si të ishin cicërima zogjsh të vegjël”, – u shpreh Dorsi.

Arkivat historikë të internetit i mëshojnë faktit se publikimi i tuitit të parë shenjoi epokën e rrjeteve sociale, por e kanë gabim. Historia e rrjeteve të para filloi para dy shekujsh, në 24 maj të vitit 1844, kur Samuel F. B. Morse, një piktor i shndërruar në shpikës, arriti të dërgonte një mesazh, nga Uashingtoni deri në Baltimore. Ja si do të dukej mesazhi i parë i dërguar nga Morsi, nëpërmjet tuiterit: “What hath God wrought?”

Morsi nuk shkruante me gishta, por pulsonte pika dhe vija në një makinë me rrota të dhëmbëzuara dhe me kabllo. Telegrafi ishte një metodë mjaft bazike. Morsi ideoi një mënyrë për të përdorur elektricitetin dhe për të dërguar fjalë të kodifikuara me shkronja alfabeti. Falë kësaj, filloi të shkurtonte distancat dhe zhurma që lëshonte bëhej gjithmonë e më familjare. Operatorët e telegrafit mund të dëgjonin gjithçka duke shtypur disa taste dhe të talleshin me bisedën në atë sallë komunikimi.

Përpara se të hynte në modë OMG-ja (Oh my God) kishte forma të tjera si GM që do të thoshte “good morning”, SFD për “stop for dinner” etj. Puna e Morsit parashikoi rinovimin e teknologjisë në nivel botëror. Ai ishte një nga shpikësit më të veçantë të historisë.

Studioi shkenca në Universitetin e Jeillit në Konektikat, por nuk e shihte veten në një laborator. Ai donte të pikturonte. Në një letër në vitin 1810 që u drejtohej prindërve ai shprehej: “Tani që po mbaroj universitetin, do të filloj të pikturoj. Besoj se kam lindur për pikturën. Shes piktura për një dollar dhe e gjithë bota mund të më kontaktojë me këtë çmim”.

Në të vërtetë ishte një piktor me shumë talent, që pikturoi portrete për presidentët John Adams dhe James Monroe, për shpikësin Eli Whitney dhe për ikonën e Luftës së Pavarësisë, Marquis de Lafayette. Në vitin 1835 Morsi gjendej në Uashington, kur mori një letër nga i ati, dërguar me mesazherë me kuaj. Njoftohej se bashkëshortja e tij, me të cilën kishte tre fëmijë ishte e sëmurë. Më vonë ai do të shprehej: “E doja me gjithë shpirt, ajo ishte e gjithë lumturia që unë prisja mbi tokë”.

Një ditë pas letrës, i ai do t’i shkruante: “Të mistershme janë rrugët e Zotit. Zemra ime është e mbushur me dhimbje në momentin që po të shkruaj për ndarjen e papritur të të dashurës tënde. Ajo ishte mirë rreth orës 5 mbasdite, rregulloi krevatin si zakonisht, ishte e lumtur dhe shprehu dëshirën për të qenë pranë bashkëshortit në Nju Jork. U përpoqëm të bënin gjithçka të mundur, por sytë e saj mbetën të fiksuar. Zbehtësia e vdekjes u shtri në të gjithë fytyrën. Jeta e saj kishte mbaruar”.

Lukrecia u varros para se Morsi të mbërrinte. “Ndjej një boshllëk, ndihem i zhgënjyer, në vetmi dhe me zemrën e shkatërruar”, do t’i hapej një miku të tij. Zemërplasur vazhdoi karrierën e piktorit. Nëse kishte një lëndë për të cilën ishte i interesuar, ajo ishte matematika. Kur ai kuptoi si funksiononte induksioni elektromagnetik, filloi të spekullonte për mundësinë e dërgimit të një mesazhi në kod përmes një kablli. Në atë moment Morsi filloi të eksperimentonte me bateri dhe kabllo, por e kuptoi se pasioni për pikturën nuk e kishte përgatitur për të kuptuar elektricitetin. Ai i kërkoi ndihmë Leonard D. Gale, një profesori kimie në Universitetin e Nju Jorkut. Iu deshën 10 vjet për të arritur në një teknologji perfekte, të aftë të kapërcente vendin dhe të mbërrinte në Europë, ideale për t’u përdorur në luftëra, në redaksitë e lajmeve. Ishte teknologjia që më vonë u zëvendësua nga telefonat, fakset, kompjuterat, Myspace, Facebook, Friendster, Twitter, Instagram, Snapchat… pyesni adoleshentët si vazhdon më tej lista. / f.a. / bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *