Home»Analiza»Intelektualët krijojnë idetë. Për t’i imponuar me forcë duhen banditët. Marksi, Lenini, Stalini dhe historia e një revolucioni

Intelektualët krijojnë idetë. Për t’i imponuar me forcë duhen banditët. Marksi, Lenini, Stalini dhe historia e një revolucioni

Bota.al boton sot pjesën e dytë të një analize të George Friedman mbi Revolucionin rus. Pjesa e parë, Intelektualë dhe banditë: revolucioni rus, u botua një ditë më parë. Linkun e saj e gjeni në fund të këtij artikulli

Distanca mes Marksit dhe Stalinit duket e madhe. Por në të vërtetë, ka një lidhje mes të dyve. Intelektualët mendojnë dhe kanë ide. Të vëna në praktikë, këto ide e humbasin paqartësinë e librarisë apo klasës dhe marrin një qartësi, e cila kërkon bindje. Intelektualit në fund i mungon vullneti për të imponuar frikën, që nevojitet për bindjen. Dhe kjo kërkon futjen në skenë të banditit.

Revolucioni Rus ishte mishërimi i një ideje – një ide që u shndërrua në parti politike, sunduar nga një njeri që pretendonte autoritetin e logjikës dhe që vriste këdo që i dilte para. Shekulli i 20 ishte i mbushur me njerëz të tillë. Sot, banditët kanë më pak ide, dhe kjo i bën më pak ambiciozë. Në shumicën e rasteve

Mishërimi i pamëshirshmërisë

Ajo çfarë doli nga kjo ishte Josef Stalini, i cili veproi përsosmërisht si bandit – e vetmja gjë në fakt që e bënte përsosmërisht. Njerëz si Trocki dhe udhëheqësit e tjerë të bolshevikëve shkruajtën për persekutimin e pamëshirshëm të revolucionit, por Stalini ishte personifikimi i pamëshirshërisë. Ai nuk ishte si intelektualët; ai nuk kishte interes në teoritë dhe deluzionet e tyre. Ai zhvendosi intelektualët që kishin udhëhequr revolucionin dhe në fund i vrau ata, bashkë me miliona të tjerë. Kur Bashkimi Sovjetik kishte nevojë për modernizimin e industrisë së vet në pritje të luftës, ai i siguroi paratë duke shitur grurë – pothuajse të gjithë grurin e prodhuar nga ukrainasit – duke krijuar kështu zi buke masive dhe duke çuar në vdekjen e milionave.

Misioni i parë i Partisë Komuniste, sipas doktrinës, ishte se që duhej të mbijetonte, dhe për këtë, Bashkimi Sovjetik duhej të mbijetonte – me çdo mjet. Lenini ishte një teoricien i terrorit dhe praktikues i tij. Por i hapi derën jo çlirimit të njerëzimit, por Stalinit, një njeri që e praktikoi terrorin si qëllim, dhe jo si mjet.

Është e paqartë nëse Stalini ishte në të vërtetë marksist, apo e përdorte marksizmin si një justifikim për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Por pavarësisht kësaj, Stalini besonte se partia nuk mund të mbijetonte pa shtypje të pamëshirshme, me qëllimin për të çliruar. Dhe kjo do të thoshte që Stalini duhej të qëndronte në pushtet për të menaxhuar shtypjen. Besimet e Stalinit dhe interesat e Stalinit ishin të njëjta, dhe vogëlsirat pak rëndësi kishin.

Pas marrjes së pushtetit, Lenini firmosi një traktat paqeje me Gjermaninë, i cili u dha gjermanëve zona të mëdha të Bashkimit Sovjetik të ri. Ai ndihmoi në sigurinë e Bashkimit Sovjetik, por Lenini u mbajt pas mundësisë, që kjo do të sillte diçka më të mirë. Kur Stalini mori pushtetin, Bashkimi Sovjetik u bë një komb si gjithë të tjerët, duke ndjekur interesat gjeopolitike të BS, në një mënyrë të natyrshme dhe të pamëshirshme. Në teori, qëllimi ishte mbrojtja e partisë së punëtorëve dhe përhapja e doktrinës së komunizmit në botë, me çfarëdo mjeti të nevojshëm. Por vizioni i Iluminizmit për progresin njerëzor ishte i vjetëruar tashmë. Pamëshirshmëria ishte bërë qëllim në vetvete. E keqja e domosdoshme u bë rrjedha normale e ngjarjeve.

Shndërrimi i mjetit në qëllim

Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste ishin njësoj të pamëshirshme. Hitleri nuk ishte intelektual në kuptimin e të qenit dijetar, por ai jetonte në një botë idesh, dhe në atë botë qëllimi nuk ishte komunizmi, por ngritja sa më lart e racës ariane. Hitleri e konsideronte këtë si të pashmangshme, por ashtu si komunistët, ai duhej të vepronte me brutalitet të pamëshirshëm për ta bërë që të ndodhte. Pse arianët nuk e kishin caktuar më parë nëse ishin superiorë, ishte po aq e parëndësishme, sa edhe pyetja pse proletariatet kishin nevojë për intelektualë që t’i udhëzonin, kur fitorja e tyre ishte e pashmangshme.

Ky ishte një lloj problemi që duhet ta mendojnë mendimtarët. Por, duke qenë burra të veprimit dhe jo njerëz të mendimit, Stalini dhe Hitleri ndoqën ëndrrat e tyre me një saktësi shkencore, që u përqendrua vetëm në marrjen parasysh të domosdoshmërisë dhe jo të njerëzimit. Distanca mes mendimtarëve dhe arsyes së shëndoshë, nuk ka qenë kurrë më e madhe, se sa në shekullin e 20-të. Në vend që t’i zgjidhnin tensionet në mendimet e tyre, ata i hoqën mënjanë, me qëllim që të vepronin. Dhe për t’i hequr mënjanë, ata i kthyen mjetet – pamëshirshmërinë – në qëllim.

Iluminizmi ishte epoka e ideve. Idetë që lihen në “punë të tyre”, pa u mbështjellë me një sens mirësie,  nuk njohin kufij. Kjo ishte historia e pjesës më të madhe të shekullit të 20-të, formësuar nga Hitleri, Himmleri, Lenini dhe Stalini. Logjika është si një lojë shahu. Ti nuk shqetësohesh për fatin e një ushtari. Kështu edhe ideologjitë e shekullit të 20-të. Vdekja e një ushtari, nuk do të thoshte asgjë, krahasuar me ëndrrat. Dhe sa më të mëdha ishin ëndrrat për njerëzit, aq më pak të rëndësishëm ishin vetë njerëzit. Mendimtarët mishërojnë logjikën, dhe logjika e lëshuar nga frerët nuk njeh mëshirë.

Ata që dolën pas Stalinit nuk ishin më tiranë, por të mbijetuar, njerëz që i mbijetuan Stalinit duke bërë atë që duhej të bëhej, pa ëndrra dhe vetëm me frikë. Nikita Hrushovi dhe Leonid Brezhnevi ishin njerëz që donin të jetonin dhe të përparonin, por që nuk kishin ëndrra të mëdha, përtej mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik. Me idenë të humbur mes lumenjve të gjakut, mbijetesa ishte gjithçka që kishte mbetur; dhe këtu hyn në lojë gjeopolitika – arti ku mbijetojnë shtetet. Por gjeopolitika e lindur nga vizionet e mëdha është një gjë e cekët, dhe ajo nuk mund të mbante në këmbë Bashkimin Sovjetik.

Bashkimi Sovjetik u rrëzua për shumë arsye, por më së shumti ishte nga lodhja dhe cinizmi. Me asgjë të mbetur për të besuar, ai u bë një version i dobët i një kombi të vërtetë. Ajo që doli në fund ishte Nëna Rusi e Vjetër, e lodhur nga ëndrrat e saj, që as nuk besonte shumë në gjeopolitikë.

Mësimi që duhet nxjerrë prej kësaj, është rreziku që paraqesin idetë kur hidhen si të vërteta absolute që kërkojnë logjikë të plotë, duke penguar kështu zbutjen prej mirësisë. Nëse idetë duhet të ndiqen me çdo kusht, atëherë çdo gjë që qëndron në rrugën e tyre duhet të shkatërrohet. Problemi është se në atë botë, njeriu që shtyp më fort, fiton. Kështu Marksi, intelektual i pafat, i cili e vuri në lëvizje gjithë këtë, u zëvendësua nga Lenini, gjysmë intelektual dhe gjysmë bandit, i cili u zëvendësua nga Stalini, tërësisht bandit.

Distanca mes Marksit dhe Stalinit duket e madhe. Por në të vërtetë, ka një lidhje mes të dyve. Intelektualët mendojnë dhe kanë ide. Të vëna në praktikë, këto ide e humbasin paqartësinë e librarisë apo klasës dhe marrin një qartësi, e cila kërkon bindje. Intelektualit në fund i mungon vullneti për të imponuar frikën, që nevojitet për bindjen. Dhe kjo kërkon futjen në skenë të banditit.

Revolucioni Rus ishte mishërimi i një ideje – një ide që u shndërrua në parti politike, sunduar nga një njeri që pretendonte autoritetin e logjikës dhe që vriste këdo që i dilte para. Shekulli i 20 ishte i mbushur me njerëz të tillë. Sot, banditët kanë më pak ide, dhe kjo i bën më pak ambiciozë. Në shumicën e rasteve. / Geopolitical Futures – Në shqip nga bota.al

Fundi i pjesës së dytë

Klikoni këtu për të lexuar pjesën e parë

bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *