Home»Lifestyle»Shendeti»Arresti kardiak vs. atakut kardiak. Si të bësh dallimin?

Arresti kardiak vs. atakut kardiak. Si të bësh dallimin?

Ka një ndryshim midis “arresti kardiak” dhe “atakut kardiak”, edhe pse njerëzit shpesh i ngatërrojnë të dyja. Konfuzioni mund të vijë nga fakti se edhe pse atakët në zemër mund të shkaktojnë arrestin kardiak, jo të gjithë e bëjnë, dhe jo të gjitha arrestet kardiake shkaktohen nga atakët në zemër, shpjegon mjekja nga San Francisco, Shoshana Ungerleider, MD.

Ragavendra Baliga, kardiolog me Universitetin Shtetëror të Ohajos, Qendra Mjekësore Uexner, shpjegoi për Reader’s Digest dallimin thelbësor mjekësor mes arrestit kardiak dhe atakut në zemër:

Arresti kardiak: Ky është një mosfunksionim elektrik i zemrës që e bën zemrën të ndalojë rrahjet, dhe pas kësaj personi ndalon frymëmarrjen dhe humbet menjëherë vetëdijen. Pa zemrën që pompon gjakun në organet e trupit, organet shpejt fillojnë të “fiken” dhe personi vdes brenda disa minutash – në mungesë të trajtimit të menjëhershëm për të rivënë zemrën në punë (defibrilator i automatizuar i jashtëm (AED), një pajisje portative që mund të kthejë zemrën në ritmin normal, ka sjellë një ndryshim rrënjësor në numrin e të mbijetuarve pas arrestit kardiak). Së bashku me atakët në zemër, shkaqet e arrestit përfshijnë mbytje, humbje të mëdha gjaku dhe goditje në tru.

Atakët në zemër: Ky është dëmtim i muskujve të zemrës, shkaktuar nga një bllokim në një arterie që shkon drejt zemrës, duke parandaluar prurjen e gjakut në zemër.

Ndërkohë që arresti kardiak ndodh në mënyrë spontane dhe të beftë, duke kaluar me shpejtësi nga dhimbja në gjoks tek marrja e frymës, deri në rrëzim dhe humbje të vetëdijes, atakët në zemër mund të vazhdojnë për disa orë, ditë, apo edhe javë, gjatë të cilave simptomat mund të vijnë e të ikin. Prandaj atakët në zemër mund të diagnostikohen përmes simptomologjisë, ndryshimeve në EKG, testeve të gjakut si enzimat kardiake, dhe kateterizimit të zemrës. Një mënyrë e thjeshtë pr të bërë dallimin mes arrestit kardiak dhe atakut në zemër, ofrohet nga Dr. Uilliam Frishman, Drejtor i Mjekësisë në Qendrën Mjekësore në Uinchester, i cili thotë: “Atakët në zemër përfshijnë pacientë me dhimbje gjoksi. Arresti kardiak ka të bëjë me pacient që ka dhimbje gjoksi dhe shembet përdhe”.

Prandaj, në qoftë se një person papritmas bie, humbet vetëdijen dhe nuk ka puls, ju duhet të mendoni arrestin kardiak, këshillon Omar Avar, specialist i sëmundjeve kardiovaskulare. Në të kundërt, shumica e njerëzve që përjetojnë atakë në zemër kanë gjasa të mbeten të vetëdijshëm dhe të aftë për të komunikuar. Ata mund të ankohen për simptoma të ndryshme të tilla si siklet në gjoks, siklet në një ose të dy krahët, në shpinë, qafë ose nofull, edhe pse simptomat mund të ndryshojnë në bazë të racës dhe gjinisë.

Një tjetër tregues për atë që mund të jetë duke ndodhur është mosha dhe kushtet paraprake. Ndërkohë që arresti kardiak mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo moshë, atakët në zemër ka më shumë gjasa t’u ndodhin burrave mbi moshën 45 vjeç dhe grave mbi 50 vjeç, dhe sidomos atyre me diabet, tension të lartë, kolesterol të lartë, obezitet dhe me histori të sëmundjeve të zemrës në familje.

Por pa ndihmën e personelit mjekësor, është e vështirë të dish se çfarë po të ndodh. / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *