Home»Analiza»Me kë do të qeverisë Angela Merkeli? Në Berlin, e ardhmja mbetet e pasigurtë

Me kë do të qeverisë Angela Merkeli? Në Berlin, e ardhmja mbetet e pasigurtë

Nga Bernard Guetta

Është e vështirë të imagjinohet një dukje më e gënjeshtërt. Në mbrëmjen e 24 shtatorit, pas nëntë ditësh, kur rezultatet e zgjedhjeve gjermane do të bëhen publike, kristian-demokratët do të jenë shumë më përpara dhe Angela Merkel do të marrë një mandat të ri.

Siç ka shkruar e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”, situata do të ndryshojë vetëm nëse kancelarja bën, në ditët e ardhshme “një gabim kolosal politik”, për shkak se ekonomia gjermane në formë të shkëlqyer dhe Merkeli, me qëndrimin  e saj të ashpër i japin siguri një elektorati të shqetësuar nga Donald Trumpi, Vladimir Putini dhe terrorizmi islamik. Kancelarja është kaq e vetëdijshme, saqë sillet sikur të jetë rizgjedhur tashmë.

Merkeli në fund do t’ia dalë, por mbetet për t’u parë se me kë do të ushtrojë mandatin e saj të katërt.

Ekstremizmat e reja të qendrës së djathtë

Zgjidhja më e thjeshtë do të ishte ajo e ringjalljes së koalicionit të madh me socialdemokratët, por SPD nuk dëshiron të tradhëtojë më identitetin e vet, dhe synon që të ketë një shans për t’u dalluar nga kristian-demokratët. Koalicioni i madh, në fakt, ka favorizuar të djathtën duke i dhënë asaj edhe një “fytyrë” të së majtës, e cila nga ana e saj u penalizua, aq sa të mos bënte të mundur “ngritjen në fluturim” të kandidatit të saj për Kancelar, ish-presidentit të Parlamentit Evropian Martin Schulz, pavarësisht një fillimi premtues.

Rezultati më i mundshëm është që Merkelit do t’i duhet të gjejë një partner të ri, për të arritur një shumicë absolute, dhe pikërisht këtu hyjmë në ujëra të paeksploruara. Nëse nuk do të jetë SPD, atëherë do të duhet t’i takojë Fdp, Partia Liberale që ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm, që nga fundi i luftës. Por qendra nuk është më ajo që ishte dikur, e moderuar dhe “e sheshtë”, si një Loden i gjelbër.

Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2013 që e nxorrën madje edhe nga Bundestagu, Fdp zgjodhi si udhëheqës të sajin, një sipërmarrës 38-vjeçar, Christian Lindner i cili kundërshtoi çdo ide për forcimin e eurozonës, nga frika se mos Gjermania detyrohet të garantojë huatë e evropianëve, i kërkon Greqisë të dalë nga euro dhe do të donte të pranonte aneksimin e Krimesë në Federatën Ruse.

Me pak fjalë, liberalët e rinj luajnë me kartën e nacionalizmit dhe afrimin me Moskën. Një linjë shumë e ndryshme nga ajo e Angela Merkelit. Hyrja e tyre në qeveri me siguri nuk do të bënte lojën e Emmanuel Macronit dhe projekteve të tij për Bashkimin Europian. Një pikëpyetje e madhe qëndron mbi kryet e Gjermanisë, aq sa Kancelarja mendon edhe për idenë e një koalicioni trepalësh me liberalët dhe të gjelbrit (natyrisht ata të Gjelbër që nuk e refuzojnë këtë hipotezë). Në Berlin, e ardhmja mbetet e pasigurtë. / France Inter – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *