Home»Nunc est Bibendum»Dallimi i vërtetë, mes një vere 10-dollarëshe dhe një vere 100-dollarëshe

Dallimi i vërtetë, mes një vere 10-dollarëshe dhe një vere 100-dollarëshe

Nëse do të përgjigjeshit 90 dollarë, do të kishit vetëm pjesërisht të drejtë. Ju mund të shpenzoni shuma të ndryshme për një shishe verë, që nga një shishe “Barefoot” nën 5,00 dollarë, deri tek një shishe “Chateau Petrus” për pothuaj 5,000 dollarë. Ato janë të dyja verëra, të bëra nga rrushi, kështu që, do të pyesni ju, përse ky ndryshim? Dhe çfarë përfshihet tek kostot? Rezulton se gjithçka fillon nga toka ku rriten vreshtat…

Toka – elementi i parë i kostos në çdo verë është toka ku rritet vreshti. Vera e lirë është rritur në parcela të mëdha toke shumë të lirë. Disa vjet më parë, toka në rajonin “premium” të rritjes së vreshtave  Burgundy në Francë, për vreshtat Grand Cru, arrinte gati 5 milionë dollarë për akër. Toka në Central Valley të Kalifornisë, që përdoret për të rritur vreshta me vlerë, kushton shumë herë më pak.

Rrushi – rrushi që përdoret për verën është gjithashtu i rëndësishëm dhe veçanërisht rendimenti i rrushit, i shprehur në ton për akër. Disa lloje rrushi njihen që kanë rendiment shumë më të ulët, ndërsa verërat e lira përdorin rrush të bollshëm, që mund t’i rezistojnë pothuajse çdo gjëje dhe sërish të japë shumë lëng.

Menaxhimi i vreshtave – Struktura e vreshtit, duke përfshirë ndarjen dhe vaditjen, gjithashtu luan rol të rëndësishëm në prodhimin e rrushit. Nëse doni rrush të përsosur për një verë të shtrenjtë, duhet të ketë shumë lëvizje ajri dhe dritë dielli. Krasitja e rregullt është e domosdoshme për të hequr ata që janë “të varfër” dhe larguar gjethe që i bëjnë shumë hije rrushit. Ata që prodhojnë verëra të lira nuk bëjnë shumë krasitje.

Vjelja – mbledhja e fryteve të punës tuaj të vështirë gjatë sezonit është kritike për frutin që shkon për prodhimin e verës. Rrushi Premium vilet me dorë kur është në kulmin e pjekjes. Kjo mund të nënkuptojë lëvizje të shumta nëpër vreshta, duke përzgjedhur vetëm ato që janë gati. Më pas, trajtohen me kujdes për të parandaluar plasjen e frutave në rrugën drejt shtypësve. Operacionet në shkallë të gjerë mund të bëjnë një kalim të vetëm nëpër vreshta, duke përdorur makina për të vjelë rrushin dhe duke e larguar rrushin e vjelë, në kontenierë të mëdhenj. Vreshtat Premium mund të japin 2 ton rrush ose më pak për një akër, ndërsa vreshtat që prodhojnë verëra të zakonshme, japin shumë herë më tepër. Një ton rrush jep rreth 720 shishe verë, pra 1,440 për akër – disa vera super premium japin shumë më pak se kjo shifër. Për shembull, mund të blini rrush të rritur për verëra të lira me 340 dollarë për ton, ndërsa një ton “Napa Cabernet Sauvignon” premium do t’ju kushtojë mbi 5,600 dollarë, ose pothuajse 8 dollarë për shishe vetëm për rrushin.

Shtypja – Pasi rrushi të jetë vjelë, shtypet dhe nxirret lëngu. I pari është lëngu që vjen me shtrydhjen e parë të butë të rrushit. Verërat e zakonshme shtypin shumë më fort, dhe shumë herë, për të nxjerrë çdo pikë lëngu nga rrushi. Disa verëra premium përdorin shtypjen e dytë  për të nxjerrë një verë pak më cilësore që e shesin me një tjetër emër.

Lisi – Shumica e verërave të kuqe premium maturohen në fuçi lisi për të marrë tanine dhe një thellësi arome të verës. Këto fuçi nuk janë të lira! Lisi i ri amerikan mund të kushtojë 1.000 dollarë për një fuçi më të vogël se 225 litra dhe rreth 2.500 dollarë për një fuçi lisi të ri francez, në të njëjtën madhësi. Pra, edhe 8 dollarë të tjera për shishe, për lisin. Këto fuçi mbajnë me rreth 300 shishe verë disa prodhues premium nuk i përdorin për herë të dytë për verërat premium!

Lëngu i rrushit, pasi shtypet kalon 18-24 muaj duke u konvertuar në verën që prodhuesi dëshiron të shesë dhe gjatë kësaj kohe, atyre ende u duhet të paguajnë për ndërtesën, qiranë, sigurinë, ndriçimin dhe kështu me radhë. Operacionet e verërave të lira, në pjesën më të madhe ngjajnë si një uzinë kimike me tubacione çeliku inoks dhe një vera qëndron për një kohë relativisht të shkurtër në kantinë.

Shishja, tapa dhe etiketa – Gjithkush e di se një etiketë dhe shishe e mrekullueshme mund të ndihmojë shitjen e një vere. Për një verë të zakonshme, kjo do të thotë një shishe e hollë me një etiketë të lezetshme dhe një vulë jo të kushtueshme. Verërat Premium kanë etiketa elegante, nganjëherë me vepra arti origjinale nga një artist i famshëm, një shishe qelqi të rëndë, e projektuar për të mbajtur për një kohë të zgjatur dhe një tapë premium me strukturë të ngushtë dhe gjatësi shtesë. Shishja mund të kushtojë 3-4 dollarë dhe tapa, edhe 3 dollarë të tjerë.

Krahu i punës – Nuk kemi folur për të gjithë punën që kërkohet për të mbajtur një vresht, nga fermeri, krasitësit dhe vjelësit. Pasi hyhet në kantinë, vjen ndihma shtesë për prodhimin dhe një verëprodhues shumë i shtrenjtë në mes. Meqë të gjithë kanë nevojë për lloje të caktuara talentesh në të njëjtën kohë të vitit, si koha e vjeljes, çmimi për shërbimet e tyre merr vlera të konsiderueshme.

Marketingu – Përfundimisht, shkojmë tek faktori X, marketingu. Çdo marketues i mirë do t’ju tregojë se nuk ka një korrelacion midis çmimit dhe kostos. Çmimi është vendosur nga tregu dhe ajo që njerëzit do të paguajnë. Ndërsa kompanitë e verës së zakonshme janë të përqendruar në shtresën më të ulët të tregut dhe e vendosin çmimin bazuar në këtë, prodhuesit e verërave premiume shkojnë në majë të çdo elementi të procesit të prodhimit të verës. Kur ata më në fund vendosin çmimin, futen në lojë kërkesa e tregut dhe perceptimi i verës.

Pa marrë parasysh kostot që ata kanë vënë në shishe, tregu do të caktojë çmimin – dhe nganjëherë çmimi mund t’ju trullosë!

Gëzuar! / “Inc.” – Përgatiti: Bota.al

1 Comment

  1. 14/09/2017 at 10:11 — Reply

    Autori i shkrimit eshte businessman dhe jo shijues i veres! Vera dhe kuliteti i saj varen nga shume faktore! Mund te paguash ,po kesh sigurisht, 5,000 dollare edhe per nje shishe vere qe nuk ja vlen por mjafton te jete ne vendin dhe kohen e duhur! Por une do te thoja se shijet e veres varen nga kualiteti dhe shija e saj! Varen se ne cfare gote e pi?! Varen ku e pi? Me ke e pi? Sa vjec je? Cfare ushqimim po konsumon? Po mbi te gjitha eshte dashuria per veren dhe per njeriun apo njerezit qe ke prane! Ne kete kuptim cmimi i veres qe paguan nuk ka te beje me cilesine e veres! Ne Itali,kane thene qe – vera behet edhe prej rrushi! Ne Shqiperi ne kohen e osmallinjve thoshin – e befte kercuri e pifte kauri! Le te rojme dhe te shijojme veren dhe dashurine!

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *