Home»Lifestyle»Askush nuk e di se sa flejmë vërtetë

Askush nuk e di se sa flejmë vërtetë

Oliver Burkeman

Shumë pak gjëra janë më të dobishme sesa misteret e gjumit, për të treguar sa pak e njohim veten tonë. Së pari, është misteri i madh se pse flejmë gjumë, duke pasur parasysh që, në aspektin e evolucionit, humbja e vetëdijes për një të tretën e ditës është një nga strategjitë më vetëvrasëse të imagjinueshme (që do të thotë se, cilado qoftë arsyeja e gjumit, ajo duhet të jetë me të vërtetë e rëndësishme, sepse ia vlen të rrezikohet që të sulmohemi nga tigrat dhe gjarpërinjtë gjatë natës).

Pastaj është misteri i përditshëm se si të detyrohemi të flejmë kur nuk mundemi (sipas mendimit tim, metoda më e mirë është ende ajo e vizualizimit ose “përzierja konjitive”: shkarkoni në telefon aplikacionin MySleepButton, ose zgjidhni një gërmë të alfabetit dhe imagjinoni njëri pas tjetrit të gjitha sendet që fillojnë me atë gërmë). Por injoranca jonë mbi gjumin, nukmbaron me kaq: Është gjithashtu shumë e mundshme që ju të mos keni idenë se sa keni fjetur një natë më parë, apo nëse ishte me të vërtetë e mjaftueshme.

Gjashtë orë gjumë nuk janë maksimumi, i them vetes sa herë që më ndodh, dhe që më ndodh shumë shpesh. Por në fund nuk janë as keq, apo jo? Në fund të fundit, janë vetëm një orë më pak se sa idealja e supozuar prej shtatë orësh, dhe 50 për qind më shumë se katër-orëshi, që fle Donald Trump, sipas asaj që thotë ai vetë (mos e mendoni shumë, përndryshe do jua shqetësojë edhe më shumë gjumin). Megjithatë, një studim i publikuar së fundmi nga revista “Fast Company”, ka dalë se, në veprimtari të caktuara njohëse, personat që kishin fjetur vetëm gjashtë orë në natë për dhjetë netë resht, merrnin të njëjtat rezultate të dobëta, si ata që nuk kishin fjetur për dy ditë me radhë.

Me fjalë të tjera, pas disa javësh, duket se gjashtë orë gjumi janë njësoj si zero. Ose, në njëfarë kuptimi, janë edhe më keq, sepse të paktën ata që nuk kanë fjetur fare e pranojnë se janë jashtëzakonisht të përgjumur; ndërsa ata që kanë fjetur për gjashtë orë mendojnë se janë më pak, edhe atëherë kur nuk mund të qëndrojnë të fokusuar në një detyrë.

Privimi progresiv i gjumit është pak a shumë si shembulli proverbial i bretkosës në tenxheren që vlon. Në fund, rezultati është i njëjtë me vdekjen e papritur, por kalimi është kaq gradual saqë kafsha pothuajse nuk e kupton atë.

Për të përkeqësuar gjërat, është fakti që ne mund të flejmë edhe gjashtë orë në natë, apo ndonjë periudhë tjetër të papërshtatshme kohe, dhe të jemi të bindur se kaq mjafton. Ky është një tjetër zbulim tipik i eksperimenteve të gjumit: sipas një prej këtyre studimeve, ne gjithmonë e mbivlerësojmë kohën që kemi fjetur, mesatarisht me 48 minuta. Dhe këtu gjërat bëhen të ndërlikuara, sepse studiuesit kanë identifikuar gjithashtu një “efekt placebo” të gjumit: në detyra konjitive, ne dalim më mirë kur mendojmë se kemi fjetur mjaftueshëm, edhe pse nuk është e vërtetë.

Implikimi i parë praktik i këtij zbulimi është se ndoshta kemi nvojë të flemë më shumë, edhe nëse nuk na vjen gjumë, ose jemi të bindur se orët që kemi fjetur janë më se të mjaftueshme. Nga ana tjetër, pasi të keni marrë parasysh dhe ndryshuar zakonet tuaja në përputhje me rrethanat, harroni këtë fjalinë e fundit dhe bëni gjithçka të mundeni, për të bindur veten që keni pushuar mjaftueshëm (për shembull, mos thoni se jeni shumë të lodhur). Keni nevojë të flini më shumë, por edhe të bindni veten që nuk është kështu. E di, është paradoks, por mos e humbni gjumin për këtë. / The Guardian – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *