COCKTAIL!

Pjesa më e madhe e njerëzve që mund të takosh në vende ku shërbehen Cocktails – thoshte një zë autoritar i botës së pijeve gjatë viteve tridhjetë të Shekullit  të shkuar – besojnë se e njohin origjinën e kësaj fjale.  Asnjëri prej tyre, megjithatë, nuk pajtohet me atë që është në fakt origjina e saj e vërtetë, dhe në çdo rast ata të gjithë të gabohen, pasi gjithmonë e vendosin atë origjinë diku midis 140 dhe 150 vjet më parë, ndërkohë që në numrin e 13 Majit, të vitit 1806, në Revistën “The Balance” shkruhej: “Cocktail është një liker stimulues i përbërë nga spirilëngje (siç na pëlqen t’i quajmë distilatet) të llojeve të ndryshme, sheqer, ujë dhe bitter të ndryshëm. Njihet edhe si llastik (instrumenti me kërrabë që e përdornim gjerësisht kur ishim të vegjël), i hidhur dhe supozohet të jetë një pije e shkëlqyer tipike e fushatave zgjedhore.

Kjo është referenca më e hershme që z. Harry Haddock barman i Hotel “Savoy” Londër, na thotë se kishte mundur të gjente deri atëherë. Sipas tij historia e vërtetë dhe e pakundërshtueshme e lindjes se emrit Cocktail është ajo që vijon:

Diku nga fillimi i Shekullit të XVII thuhet të ketë patur për disa kohë me rradhë, fërkime aspak të papërfillshme mes Ushtrisë Amerikane të Shteteve të Jugut dhe Mbretit Axolotl VIII të Meksikës. Pas ndonjë përleshjeje e dy tri betejash të vërteta, ishte vendosur një armëpushim dhe Mbreti kishte pranuar të takohej me gjeneralin amerikan për të diskutuar me të, kushtet e paqes.

Vendi i zgjedhur për takimin ishte Oborri i Mbretit. Gjenerali Amerikan u ftua të zinte vend në kuvendin e mbretit mes dinjtarëve të tjerë të Oborrit, në krah të vetë mbretit. Pa hapur ende negociatat, Lartmadhëria, si burri-burrit, pyeti Gjeneralin nëse dëshironte diçka për të pirë, e ky si Amerikan që ishte, sakaq pranoi. Mbreti dha urdhër e dy sekonda më pas ja tek u duk një vendase magjepsëse me një bukuri tronditëse. Mes gishtave të hollë ajo mbante një kupë të florinjtë, stolisur me gurë rubini plot me një pije që ajo vetë kishte përgatitur. Një heshtje ogurzezë ra mbi të mbledhurit dhe një mendim i vetëm përshkoi mendjet e gjithë kuvendit. Prej kupës mund të pinte i pari vetëm njëri, o Mbreti o Gjenerali, ndërsa tjetri do të kishte mbetur i fyer publikisht.

E teksa situata po tensionohej sa vinte edhe më, mbajtësja e kupës e kishte kuptuar vështirësinë e momentit, po aq sa kushdo tjetër aty pranë, prandaj me një buzëqeshje të ëmbël, uli kryet e hijshëm në nderim të kuvendit dhe piu vetë lëngun që kishte sjellë.

Gjithçka ishte shpëtuar për mrekulli dhe konferenca pati një fund të suksesshëm, por përpara se të mbyllej, Gjenerali pyeti nëse mund të mësonte emrin e asaj që kishte treguar aq takt.

“Ajo”, tha krenar, Mbreti, i cili s’e kishte parë kurrë më parë atë grua, “është vajza ime Coctel (Koktel)”.

“Fort mire”, tha Gjenerali, “do të bëj çmos që ky emër të nderohet përgjithmonë në radhët e ushtrisë sime”.

Coctel u shndërrua sigurisht në Cocktail dhe ja ku u bë!

Ai që na tregon këtë histori ishte njëri prej baristëve më influentë të fillimit të Shekullit të XX e që prej asaj kohe arti i Cocktail, është zhvilluar në një masë, që vështirë t’i imagjinosh dy shekujt e fundit të “palagur” nga cocktail-et. Sipas tij, ekzistojnë prova të qarta e të padiskutueshme mbi të vërtetën e kësaj historie, edhe pse lidhja e drejpërdrejtë me subjektin e reshtave të mësipërm, Cocktail-in, ndoshta mund të mos vlejë për çdo rrethanë.

Kujt dyshon ende mbi origjinën e fjalës Cocktail, do t’i thoja se unë vetë e besoj këtë version. Ndoshta ngaqë asnjë histori tjetër, nuk sjell menjëherë përpara syve një Koktel alla Pocahontas, kur vjen puna te një COCKTAIL. / Andi Qinami – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *