Home»Magazine»Kështu foli Zarathustra. Si e formësoi Perëndimin, një fe e lashtë dhe misterioze

Kështu foli Zarathustra. Si e formësoi Perëndimin, një fe e lashtë dhe misterioze

Ka patur ndikim të fortë tek “Star Wars” dhe “Game of Thrones”. Ka frymëzuar personazhe shumë të ndryshëm mes tyre, si Voltaire, Nietzsche dhe Freddie Mercury. Po çfarë është Zoroastrianizmi?

Disa shekuj para Komedisë Hyjnore të Dantes, Libri i Arda Viraf përshkruante në detaje një udhëtim në Parajsë dhe në Ferr. A mundet që Dante të ketë dëgjuar për rrëfimin e udhëtarit kozmik të Zoroastrit, i cili mori formën përfundimtare rreth shekullit X pas Krishtit? Ngjashmëria e dy veprave është e çuditshme, por vetëm mund të hamendësojmë.

Joobin Bekhrad

Të folurit me ‘ne’ dhe ‘ata’ ka dominuar prej kohësh politikën në lidhje me Iranin, në Perëndim. Në të njëjtën kohë, krishtërimi është përdorur shpesh për të përcaktuar identitetin dhe vlerat e SHBA dhe Evropës, si dhe për t’ia vënë ato përballë “tjetrit” të Lindjes së Mesme. Megjithatë, një vështrim i shkurtër në një fe të lashtë – ende e praktikuar sot – sugjeron se ato që shumëkush i merr si ideale, besim dhe kulturë të mirëqenë perëndimorë, mund të kenë rrënjë iraniane.

Në përgjithësi besohet nga studiuesit se profeti i lashtë iranian Zarathustra (i njohur në persisht si Zartosht dhe në greqisht si Zoroastër) jetoi diku midis viteve 1500 dhe 1000 pes. Para Zarathustrës, Persianët e lashtë adhuronin perënditë e fesë së vjetër Irano-Ariane, një homologe e fesë indo-ariane që do të njihej si hinduizëm. Zarathustra, megjithatë, e dënoi këtë praktikë dhe predikoi se vetëm Perëndia – Ahura Mazda, Zoti i Urtësisë – duhet adhuruar. Duke vepruar kështu, ai jo vetëm që kontribuoi në ndarjen e madhe midis arianëve iranianë dhe atyre indianë, por edhe prezantoi njerëzimit me besimin e parë monoteistik.

Ideja e një perëndie të vetme nuk ishte i vetmi parim në thelb zoroastrian, që u fut në besime të tjera të mëdha, sidomos ‘tre të mëdhatë’: judaizmin, krishtërimin dhe islamin. Konceptet e Qiellit dhe Ferrit, Ditës së Gjykimit dhe zbulesës përfundimtare të botës, ashtu si edhe engjëjve dhe demonëve, të gjitha e kanë origjinën në mësimet e Zarathustrës, si dhe ligjet e mëvonshme të literaturës Zoroastriane që ato frymëzuan. Edhe ideja e Satanait është kryesisht zoroastriane. Në të vërtetë, i gjithë besimi i Zoroastrianizmit bazohet në luftën midis Perëndisë dhe forcave të mirësisë dhe dritës (përfaqësuar nga Shpirti i Shenjtë, Spenta Manyu) dhe Ahrimanit, i cili kryeson forcat e errësirës dhe të keqes. Ndërsa njeriu duhet të zgjedhë se cilës anë i përket, feja mëson se përfundimisht, Perëndia do të mbizotërojë, madje edhe ata që dënohen me zjarrin e ferrit, do të gëzojnë bekimet e Parajsës (një fjalë që vjen nga persishtja e vjetër).

Si futën idetë e Zoroastrianëve, në besimet abrahamike dhe tjetërkund? Sipas studiuesve, shumë prej këtyre koncepteve u prezantuan me hebrenjtë e Babilonisë, pasi ata u çliruan nga perandori persian Kiri i Madh. Ato gjetën shtigje në mendimin kryesor të hebrenjve dhe u shfaqën figura të tilla si Beelzebubi. Dhe pas pushtimit prej Persisë të tokave greke gjatë kulmit të Perandorisë Amejane, filozofia greke mori një kurs të ndryshëm. Grekët kishin besuar më parë se njerëzit kishin pak aftësi, dhe se fati i tyre ishte në mëshirën e perëndive të shumta, që shpesh vepronin sipas tekave dhe dëshirave. Megjithatë, pas njohjes me fenë dhe filozofinë iraniane, ata filluan të ndjehen më shumë sikur ishin zotër të fateve të tyre dhe se vendimet që merrnin ishin në duar të tyre.

Ndonëse dikur ishte feja shtetërore e Iranit dhe ushtrohej gjerësisht në rajone të tjera të banuara nga popujt persianë (p.sh. Afganistani, Taxhikistani dhe pjesa më e madhe e Azisë Qendrore), Zoroastrianizmi është sot një fe e pakicës në Iran dhe ka pak ndjekës në të gjithë botën. Megjithatë, trashëgimia kulturore e fesë është një çështje tjetër. Shumë tradita zoroastriane vazhdojnë të mbështesin dhe dallojnë kulturën iraniane edhe jashtë vendit, por kjo fe ka pasur një ndikim të theksuar, veçanërisht në Evropën Perëndimore.

Rapsodia Zoroastriane

Disa shekuj para Komedisë Hyjnore të Dantes, Libri i Arda Viraf përshkruante në detaje një udhëtim në Parajsë dhe në Ferr. A mundet që Dante të ketë dëgjuar për rrëfimin e udhëtarit kozmik të Zoroastrit, i cili mori formën përfundimtare rreth shekullit X pas Krishtit? Ngjashmëria e dy veprave është e çuditshme, por vetëm mund të hamendësojmë.

Megjithatë, tjetërkund “lidhja” Zoroastriane është më pak e paqartë. Profeti iranian shfaqet duke mbajtur një glob të shkëlqyeshëm në Shkollën e Athinës të Rafaelos, e cila i përket shekullit të 16-të. Po kështu, Clavis Artis, një vepër gjermane mbi alkiminë e fundit të shekullit 17-të / fillimit të shekullit të 18-të, i dedikohej Zarathustrës dhe paraqiste shumë figura të krishtera. Zoroastri “do të konsiderohej në Evropën e krishterë, si mjeshtër i magjisë, një filozof dhe një astrolog, veçanërisht pas Rilindjes”, thotë Ursula Sims-Uilliams, nga Shkolla e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës.

Sot, përmendja e emrit Zadig, menjëherë sjell ndër mend markën franceze të modës “Zadig & Voltaire”. Ndërsa rrobat mund të mos jenë Zoroastriane, historia prapa emrit me siguri është. Shkruar në mes të shekullit të 18 nga askush tjetër përveç Voltaire, Zadig rrëfen historinë e heroit Zoroastrian me të njëjtin emër, i cili, pas një serie provash dhe vështirësish, më në fund martohet një princeshë babilonase. Ndonëse jo rrënjosur në histori, rrëfimi filozofik i Voltairit buronte nga një interes i sinqertë për Iranin, që ndahej gjithashtu nga shumë udhëheqës të tjerë të Iluminizmit. Kaq i dashuruar me kulturën iraniane ishte Voltaire, saqë në rrethin e tij njihej si ‘Sa’di’. Në të njëjtën frymë, Divani Lindje-Perëndim i Goethes, kushtuar poetit persian Hafez, përmbante një kapitull me temë Zoroastriane, ndërsa Thomas Moore ankohej për fatin e Zoroastrianëve të Iranit tek Lalla Rookh.

Nuk ishte vetëm në artin dhe letërsinë perëndimore, që Zoroastrianizmi la shenjën e vet. Besimi i lashtë ishte i pranishëm gjithashtu në një numër shfaqjesh muzikore në skenën evropiane.

Përveç personazhit priftëror Sarastro, libreti i Mozartit “Flauti Magjik” është i mbushur me tema zoroastriane, të tilla si drita kundrejt errësirës, sprovat nga zjarri dhe uji, dhe kërkimi i urtësisë dhe mirësisë, mbi çdo gjë tjetër. Dhe i ndjeri Farrokh Bulsara – Freddie Mercury – ishte jashtëzakonisht krenar për trashëgiminë e tij persiane Zoroastriane. “Unë gjithmonë do të eci si një persian”, tha ai një herë në një intervistë, “dhe askush nuk do të më ndalojë, zemër!” Po kështu, motra e tij Kashmira Cooke në një intervistë të vitit 2014 reflektonte për rolin e Zoroastrianizmit në familje. “Ne si familje ishim shumë krenarë që ishim Zoroastrianë”, tha ajo. “Unë mendoj se ajo që besimi Zoroastrian i dha Freddiet ishte që të punonte shumë, të këmbëngulte dhe të ndiqte ëndrrat”.

Akull dhe zjarr

Kur është fjala për muzikën, megjithatë, ndoshta asnjë shembull nuk reflekton më mirë ndikimin e trashëgimisë së Zoroastrianizmit, sesa “Kështu foli Zarathustra”, e Richard Straussit, që ka ofruar në mënyrë të përsosur, kolonën zanore në pjesën më të madhe të filmit të Stanley Kubrick “2001: A Space Odyssey”. Suksesi e ka frymëzimin nga vepra madhore me të njëjtin emër e Nietzsches, që  ndjek një profet të quajtur Zarathustra, megjithëse shumë nga idetë që propozon Nietzsche janë, në të vërtetë, anti-Zoroastriane. Filozofi gjerman hedh poshtë ndarjen në të mirë dhe të keqe, aq karakteristike për Zoroastrianizmin – dhe, si një ateist i shpallur, ai e hidhte fare poshtë monoteizmin.

Duke lënë mënjanë Freddie Mercury dhe Zadig & Voltaire, ka shembuj të tjerë të dukshëm të ndikimit të Zoroastrianizmit në kulturën popullore bashkëkohore në Perëndim. Ahura Mazda shërbeu si adash për kompaninë e veturave të Mazdas, si dhe frymëzim për legjendën e Azor Ahai – një gjysmëperëndi që triumfon mbi errësirën – në librin “Game of thrones” të George RR Martin. Po ashtu, mund të argumentohet se beteja kozmike mes të dritës dhe errësirës tek “Luftërat Yjore” e ka Zoroastrianizmin të shkruar kudo.

Pavarësisht gjithë ndikimit të saj në mendimin, fenë dhe kulturën perëndimore, relativisht pak dihet për besimin e parë monoteist të botës dhe themeluesin e saj iranian. Për shumë politikanë amerikanë dhe evropianë, Irani supozohet të jetë e kundërta polare e gjithçkaje që përfaqëson dhe mbron bota e lirë. Por, Zoroastrianizmit mund të na ofrojë japë çelësin për të kuptuar se sa të ngjashëm jemi ‘ne’ me ‘ata’.

Marrë nga BBC Culture – Përkthyer në shqip nga Bota.al. Materiali në shqip nuk mund të kopjohet pa miratimin e Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *