Home»Analiza»Çifti i çuditshëm i Perëndimit

Çifti i çuditshëm i Perëndimit

Mund të jetë e vërtetë që që Perëndimi dhe Atlantiku janë krisur në mënyrë të pandreqshme. E sigurt është që kurrë nuk pushojnë së habituri. Një vit më parë, askush nuk do të vinte bast për dy presidentët, të cilët festuan dje Ditën e Bastijës, dhe futjen vendimtare të amerikanëve, në Luftën e Parë Botërore; mbase njërin prej të dyve, por kurrësesi të dy. Liria dhe demokracia në pushtet i bëjnë këto lloj shakash. I shtojmë kësaj edhe pakëz fantazi, që të vjen ndërmend prej studentëëve të ’68-ës, në po këto rrugë pariziane. Parada ushtarake e djeshme, me uniformat franceze dhe amerikane të vitit 1917, ishte e pasur me simbolizëm; prania e Donald Trump-it, me ftesë të Emmanuel Macron-it, është edhe substancë.

Po të mos ishte për përkujtimin e këtij njëqindvjetori, të dy presidentët mund të ishin kthyer pas në kohë, deri në 1778-ën, dhe të merrnin rolet e Markezit Gilbert du Motier de la Fayette dhe George Uashington-it; banesa aktuale e Donald Trump-it në Uashington është mu përballë sheshit La Fayette.

Përveç kapriçove të rastit, si dëbimi i NATO-s nga Parisi prej De Gaulle apo përçarjes mes Xhorxh Bushit dhe Zhak Shirakut në lidhje me Irakun, Franca dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë dy shekuj e gjysmë Aleancë. Gjithmonë janë gjendur në anën e duhur të historisë (të paktën në atë që është shkruar nga fitimtarët). Për askënd tjetër nuk mund të thuhet e njëjta gjë, madje as edhe për Britaninë e Madhe.

Sot, në Champs Elysees, e ardhmja ka më shumë vlerë se e kaluara. Nëse është e vërtetë që G7 në Taormina dhe G20 në Hamburg kanë zbuluar një skenar ndërkombëtar në transformim, deri në pikën që është folur për izolimin amerikan në një G19 + 1, madje edhe nga një vend fqinj me Shtetet e Bashkuara si Australia, është po kaq e vërtetë se Evropa dhe Perëndimi do të bënin gabim strategjik, nëse do të vinin me shpatulla pas murit, Amerikën e Donald Trump-it. Sigurisht, ekzistojnë disa mosmarrëveshje serioze sidomos në tregtinë ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike. Do të ishte e parakohshme të konkludonim se zamka transatlantike ka shkrirë. Për këtë, janë të ndërgjegjshëm veçanërisht udhëheqësit e rinj, si Justin Trudeau në Kanada dhe Emmanuel Macron në Francë.

Me sa duket, gjithçka ose pothuajse, ndan presidenti francez me atë amerikan: mosha; formimi kulturor dhe profesional; pasuria; familja. Megjithatë, e përbashkëta nuk është gjë e vogël: në hapësirën e shtatë muajve, të dy u zgjodhën, nga politikanë tërësisht të huaj për establishmentin, pa parti (Macron) ose duke shtënë në dorë partinë (Trump), përkundër të gjithë parashikimeve të ekspertëve, duke shfrytëzuar një dëshirë të fortë për ndarje nga skemat tradicionale politike. Qendra, e arsyeshme, e moderuar, pro-evropiane, e cila solli në Elysee Macron-in është shumë e ndryshme nga famëkeqja “bazë” populiste, që i hapi Trump-it dyert e Shtëpisë së Bardhë. Por në të dyja rastet, mes votuesve u ndez një “pranverë revolucionare”. Të dy, si Macron-i, edhe Trump-i, janë rezultat i një Bastije paqësore.

Dallimet mes Macron-it pro-evropian dhe nacionalistit (çfarë tjetër është “Amerika e para”?) mbeten. Marrëdhënia, megjithatë, ka avantazhin, që niset nga një nivel barazie. E ka vcendosur edhe duarshtrëngimi tashmë i famshëm me Macron-in. Donald ka zero respekt për “dobësinë” (pyesni kandidatët republikanë kundërshtarë të tij). Sado i mërzitur nga testi i forcës fizike të Macron-it, nuk mund t’ia mohojë atë.

Nuk do të ketë një konvergjencë politikash, aq më pak intelektuale. Macron-i mban fort lidhjen themelore me Angela Merkel-in, duke e ndarë ditën mes Kancelares gjermane dhe presidentit amerikan. Objektivi i tij i ringritjes së Evropës, ka Berlinin si partner të pazëvendësueshëm. Nuk është domosdoshmërisht një Evropë e ngjashme me atë që kanë në mendje Gjermania dhe Brukseli. Merkeli është vazhdimësi, Macron-i dëshiron të ndryshojë marsh. S’mund të kënaqet me rolin e aktorëve mbështetës, që kishin paraardhësit e tij, Hollande dhe Sarkozy, kundrejt Gjermanisë. Nuk mund të aspirojë për paritet ekonomik, por mund ta pretendojë atë politikë. Marrëdhënia me Trump-in – edhe pse dialektike – e përforcon, dhe është një sinjal për Evropën, që të mos humbasë lidhjen e domosdoshme transatlantike.

Dje, në Champs Elisées ka sfiluar e shkuara, por janë projektuar edhe itineraret e të ardhmes. Sa për ndryshim, gjejnë SHBA dhe Francën krah për krah. Markezi La Fayette dhe Presidenti Uashington do të kënaqen me trashëgiminë që kanë lënë pas. / La Stampa – Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *