Home»Analiza»IDE / Kur protagonisti është QYTETI

IDE / Kur protagonisti është QYTETI

045-progress-city

Që nga Neoliti deri tek revolucioni dixhital, si ka ndryshuar me qytetet dhe në qytete, mënyra jonë e jetesës. Inteligjenca është hopi zhvillimor që u ka munguar deri sot ambienteve tanë urbanë, por që duket se është futur në rrugën e suksesit. Në themel të saj është pranimi që njerëzit dhe ambienti janë burimet kryesorë që duhet të vlerësohen për çfarëdolloj rritjeje cilësore

Qytetet kanë qenë gjithmonë në qendër të ndryshimeve. Ndërprerjet e mëdha dhe revolucionet në historinë e njeriut kanë patur gjithmonë qytetet si protagonistë. Mund ta shohim përmes katër momenteve kyçë të transformimeve që kanë ndryshuar mënyrën tonë të të jetuarit: Neoliti, revolucioni komunal-qytetar që i parapriu Rilindjes, revolucioni industrial, për të përfunduar me revolucionin dixhital që vazhdon ende.

Përgjatë të gjithë historisë së njeriut, deri në fundin e dekadës së parë të këtij shekulli, banorët e zonave rurale kanë qenë pjesa dominuese e popullsisë botërore. Ende në vitin 1950, kur të vetmet metropole të botës me më shumë se 10 milionë banorë ishin New Yorku dhe Tokio, jetonte nëpër qytete më pak se një e treta e banorëve të planetit. 50 % u kapërcye vetëm në vitin 2009, dhe parashikimet na thonë që në mesin e shekullit XXI, popullsia urbane mund të arrijë të jetë sa dyfishi i asaj rurale.

Pavarësisht impulsit të fortë të këtyre kohëve, procesi që i ka bërë qytetet të mbajnë tashmë brenda vetes pjesën dominuese të njerëzimit i ka rrënjët të lashta. Që në fundin e epokës së

akullnajave, paraardhësit tanë ishin të shpërndarë praktikisht në çdo qoshe të globit tokësor, duke u përshtatur me situata mjedisore nga më të ndryshmet. Por vetëm me revolucionin e Neolitit fillon historia e vërtetë e qytetërimit. Ndoshta i shtrënguar edhe prej ndryshimeve klimatike që kufizonin në shumë zona mundësinë për t’u ushqyer vetëm me gjueti, njeriu filloi të kultivojë tokën dhe ushqejë kafshët. Nis të zhvendoset gjithmonë e më pak, ndërton banesa në fshatra gjithnjë e më të mëdhenj dhe rrethohet nga mure gjithnjë e më të lartë e të fortë. Rritet, kështu, popullsia dhe lindin grumbullimet e parë urbanë.

Nga pothuajse 5 milionë banorët të shpërndarë nëpër tokë, arrihet në më shumë se 250 milionë në epokën e Perandorisë së Romës. Kjo mënyrë të jetuari në komunitete të dendur, me avantazhe nga shumë këndvështrime, përkeqëson megjithatë kushtet e mbijetesës. Krahasuar me gjahtarët, dieta e bujqve bëhet në fakt më e varfër dhe më pak e shumëllojshme, bazuar mbi të gjitha mbi drithërat. Veç kësaj, dendësia më e madhe e popullsisë dhe kontakti i vazhdueshëm me kafshët rrisin rreziqet në lindje dhe përhapjen e sëmundjeve infektive.

Por është mbi të gjitha në këtë fazë të re që lindin dhe konsolidohen pabarazi të thella territoriale dhe sociale. Përpara Neolitit, çdo qenie njerëzore jetonte me gjueti, duke siguruar ditë pas dite ushqimin e nevojshëm për të mbijetuar. Çdo lloj veprimtarie kryhej duke përdorur vetëm forcën e këmbëve dhe krahëve të secilit.

Nuk ka dallime socialë dhe territorialë: të gjithë njerëzit ndodheshin në kushte të barabarta ekzistence.
Vetëm pas revolucionit të Neolitit bota popullohet vazhdimisht me mbretër dhe mbretëresha, priftërinj dhe ushtarë, të nënshtruar dhe skllevër. Lindin kështu bërthamat e para të qyteteve, me institucione socialë, rregulla bashkëjetese, kasta, por edhe stimujt për përballje, për marrëdhënie tregtare, për dije dhe inovacion të vazhdueshëm. Në polis njeriu bëhet një “kafshë politike”: secili me një rol të tijin dhe me një funksion të tijin, në brendësi të një komuniteti gjithnjë e më kompleks e të shtresëzuar. Pikërisht falë specializimit dhe organizimit hierarkik të punës, bëhen të mundura gjëra që më parë konsideroheshin të parealizueshme nga pikëpamja njerëzore. Piramida, katedrale dhe kështjella mund të ndërtohen falë mundësisë së kafshës politike për të shkuar përtej energjisë së thjeshtë, të prodhuar nga muskujt e vet dhe për të përdorur edhe forcën e njerëzve të tjerë të nënshtruar dhe kafshëve të tjera të zbutura. Qytetet shndërrohen në laboratorë për ndërtimin e një bote të re, më e ngjashme me ambiciet e njeriut, se sa lidhjet e natyrës.

REVOLUCIONI

Një tjetër moment kyç i imponimit të qyteteve dhe impulsit të tyre mbi zhvillimin ekonomik dhe social është ai që u zhvillua në Itali, pak më shumë se 1000 vjet më parë. Historiani ekonomist Carlo Maria Cipolla flet, jo rastësisht, për revolucion komunal-qytetar. Eshtë revolucioni që e nxjerr Europën nga prapambetja e zhvillimit, për ta çuar në qendër të tregtisë, kulturës, artit dhe inovacionit teknik, duke hedhur edhe themelet, si të Rilindjes, si të revolucionit shkencor. Diku rreth vitit 1000 Europa ishte një zonë me zhvillim të prapambetur, shumë prapa botës arabe dhe bizantine. Produktiviteti i tokës ishte shumë i ulët dhe vështirësitë e transformimit dhe komercializimit të produkteve, e bënin bujqësinë strukturalisht të dobët. Megjithatë, mes shekujve XI dhe XIII, situata ndryshoi rrënjësisht.

Europa doli nga sjellja mosbesuese kundrejt botës së jashtme dhe tregut, që karakterizonte oborret e lartë mesjetarë. Italia qendrore u vu në qendër të këtij procesi dhe qytetet e saj u shndërruan në motorrin e një procesi të ri zhvillimi. Struktura sociale u përvijua, duke kapërcyer dikotominë tradicionale që kundërvinte pronarët fisnikë kundër plebejve. U krijuan shtresa të reja, mbi të gjitha të nxitura nga rritja e sektorëve më dinamikë, si ai tregtar dhe prodhues. Në botën mesjetare ata që punonin ishin skllevërit, ose ata që i përkisnin shtresave të ulëta.

Me revolucionin komunal qytetar u afirmua një shkallë e re vlerash, në brendësi të të cilës puna dhe fitimi morën vlerësim absolut. Mes tregtarëve të mëdhenj dhe klasave më të ulëta krijohet gjithmonë më shumë hapësirë për shtresat e ndërmjetme, të përbëra nga një prani e madhe artizanësh dhe profesionistësh të llojeve të ndryshëm. Në këtë fazë, përqindja e urbanizimit rritet në 10, kundrejt vlerave përgjithësisht nën 5 % në epokat e mëparshme. Në disa zona të Italsë mbërrihet në 20 përqind, por vetëm me revolucionin industrial urbanizimi do të mund të bënte një tjetër hop cilësor.

NGA SHTATËQINDA NË BASHKIMIN E ITALISË

Që përpara makinës me avull, një tjetër element ndërprerës dhe përshpejtues i kalimit nga bota e atëhershme dhe ajo që do të vijë më pas, është ai i zhdukjes së epidemive katastrofike. Zhduket kështu elementi madhor rregullues, i raportit mes popullsisë dhe burimeve. Qytetet dhe shtete italianë nuk ishin në gjendje menjëherë që të rroknin këtë sfidë të re, dhe hynë në një fazë “palosjeje”. Shtatëqinda, për gadishullin ishte një shekull në tërësi pezullimi apo rënieje të qendrave të mëdha.

Siç dihet, vendi që u vu në udhëheqje të këtij sezoni të ri ishte Anglia. Prej këtu u bë shkëputja nga hallka e dytë e madhe e regjimit antik. Pas shkëputjes prej epidemive, tashmë erdhi edhe fundi i varësisë nga disponueshmëria e tokës. Regjimi demografik dhe ekonomik që lindi nga revolucioni i Neolitit shkon kështu drejt përmbylljes.

Gjatë viteve gjashtëqind, tre në katër vetë punonin në bujqësi. Në Anglinë e tetëqindës, ky raport ra, në një në katër. Produkti i brendshëm për frymë u rrit me 20 përqind mes viteve 1785 dhe 1820 dhe me 85 përqind nga 1820 deri në 1870. Gjatë Shtatëqindës, vlerësohet një rritje me afro 75 përqind e popullsisë angleze. Kapërcen 50 përqindëshin edhe rritja në Europën perëndimore, ndërkohë që vlera relative në Italinë veriore nuk e arrin 30 përqindëshin. Shifrat për evolucionin demografik na lejojnë të themi që në Italinë veriore popullsia, e pambështetur nga një ekonomi në rritje, u rrit shumë më pak krahasuar me mundësitë e hapura prej përmbylljes së ciklit të epidemive. Ndërsa në Angli, popullsia u rrit ndjeshëm, më shumë nga sa mund t’i atribuohet vetëm zhdukjes së epidemive të mëdha.
Londra rritet ekonomikisht në mënyrë shpërpjestimore, duke u bërë i pari qytet i epokës së re që kalon një milionë banorët. Në 1800, urbanizimi në Angli rezulton tashmë më i madh se sa ai në Itali. Rritja e mëvonshme është gjithashtu mbresëlënëse: në mesin e shekullit XX, Anglia ka vlera që shkojnë përtej 40 %, ndërsa Italia shkon pak më shumë se 20%. Gjatë shtatëqindës, në Itali, ekspansioni i qyteteve rezulton më pak intensiv krahasuar me pjesën tjetër të Europës, por duhet marrë parasysh që niseshin nga nivele më të lartë. Bashkimi i Italisë rezulton një pikë përshpejtuese për procesin e rritjes së qyteteve. Në momentin e bashkimit, 13 qendrat urbane më të rëndësishme të gadishullit nuk shkonin më shumë, të marra bashkë, se sa 2 milionë banorë.

SFIDAT E EPOKËS DIXHITALE

Kemi hyrë prej pak kohësh në epokën ku banorët urbanë janë tashmë shumicë. Veç kësaj, sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rritja tërësore e popullsisë botërore në dekadat e ardhshme, që do të shkojë nga 7 miliardë aktualisht në 9 miliardë në vitin 2050, do u atribuohet tërësisht qyteteve.

Një ekspansion i zonave urbane që do u interesojë pikësëpari Azisë dhe Afrikës. Në vitin 1975, ata që quhen megaqytete, me një popullsi mbi 10 milion banorë, ishin vetëm New York, Tokio dhe Meksiko. Sot janë më shumë se 20, dhe deri në 2030 parashikohet të jenë pothuajse 30 dhe do të përqëndrohen gjithnjë e më shumë në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.

Një urbanizim i përshpejtuar, ai i vendeve të varfër, që paraqet dritëhije. Nga njëra anë, konteksti urban ofron shanse të mëdha pune dhe aksesi në shërbimet themelorë, duke tërhequr kështu popullsinë nga zonat rurale. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e popullsisë gjendet e marxhinalizuar, duke jetuar në geto.

Por përtej sfidës sasiore, veçanërisht delikate për vendet më të varfër, qytetet përballen gjithnjë e më shumë edhe me atë cilësore, që sheh në radhë të parë mbi të gjitha vendet e përparuar dhe ata në zhvillim. Ambicia është që qytetet të bëhen më “inteligjentë”, në kuptimin më të ndërlidhur, më tërheqës, më të qëndrueshëm, të rehatshëm dhe gjithëpërfshirës. Të riprojektuar për të qenë strukturalisht të orientuar drejt përmirësimit të mirëqenies dhe cilësisë së jetës së banorëve të tyre.
Në bazë të zhvillimit të smart city janë mbi të gjitha ndjeshmëria mjedisore në rritje, nga njëra anë, dhe mundësitë e ofruara nga teknologjitë e reja, nga ana tjetër. Një aspekt qendror ka të bëjë me cilësinë dhe efiçencën, duke nisur nga shërbimet publikë, nga transporti dhe nga përdorimi i optimizuar i burimeve energjetikë. Përveçse të promovojnë dhe nxisin sjellje virtuoze kundrejt mjedisit dhe bashkëjetesës civile, qytetet inteligjentë përpiqen edhe të shfrytëzojnë sa më mirë mundësitë e ofruara prej teknologjive të reja, të dobishme për: fuqizimin e mobilizimit publik dhe informacionet për një angazhim më të mirë; krijimi i alternativave të volitshme si makinat elektrike; monitorimi i përdorimit të energjisë në banesa me mundësinë për të shfrytëzuar informacionet e personalizuar për kursimin dhe një përdorim më efiçient; mundësimi i zhvillimit të praktikave administrative nga shtëpia apo nëpërmjet lidhjeve filmike rritja e pjesëmarrjes dhe ndërgjegjësimit aktiv të qytetarëve në vendimet publikë. Inovacioni teknologjik do të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, edhe si reagim ndaj nevojave të reja të lidhura me rritjen e moshës së popullsisë. Në qytetet e shekullit XXI s’rritet veç numri i banorëve, por jetohet edhe më gjatë, si dhe ambicia për të jetuar më mirë edhe në moshë të madhe. Nëse deri në të kaluarën e afërt i moshuari duhej të përshtatej me kufizimet ekzistues, apo rrezikonte të marxhinalizohej, prania e tij në shoqëri është e destinuar të bëhet gjithnjë e më relevante në dekadat e ardhshme. Qytetet duhet të rimendohen pra edhe në këtë kuptim, duke favorizuar gjendjen aktive dhe një prani cilësore të komponentit të maturuar në rritje të banorëve të vet. Kjo vlen edhe për pjesën më problematike, ajo e të moshuarve që shpesh nuk janë në gjendje autonomie. Në smart city do të ketë gjithnjë e më shumë smart home. Një banesë inteligjente përmirëson kushtet e jetës së të gjithëve, por edhe më shumë të atyre që kanë nevojë për ndihmë në veprimet e përditshëm. Një shtëpi inteligjente është një mjedis i monitoruar, i sigurtë, që u përshtatet nevojave të atyre që jetojnë dhe lehtës- inë veprimtarinë. Në versionet më të përparuar, dixhitalja është e inkorporu- ar në objektet e përdorimit të përdit- shëm dhe u lejon atyre si “të dialogo- jnë” me ata që i përdorin, ashtu edhe të jenë në marrëdhënie dinamike me. Bëhet fjalë për një sektor në zgjerim, ku kompanitë high-tech po investojnë shumë edhe në kërkim, me rezultate potencialisiht pozitivë për të gjithë popullsinë. Inteligjenca është hopi zhvillimor që u ka munguar deri sot ambienteve tanë urbanë, por që duket se është futur në rrugën e suksesit. Në themel të saj është pranimi që njerëzit dhe ambienti janë burimet kryesorë që duhet të vlerësohen për çfarëdolloj rritjeje cilësore.

Përkthimi: Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *