Home»Horizonti.al»Pesë gënjeshtra që thuhen shpesh për trupin e njeriut

Pesë gënjeshtra që thuhen shpesh për trupin e njeriut

1. Thonjtë vazhdojnë të rriten pas vdekjes

Mendohet gjerësisht që thonjtë, ashtu si dhe flokët, vazhdojnë të rriten pas vdekjes. Por kjo nuk është e vërtetë: është lëkura që duke u dehidratuar, tërhiqet duke ekspozuar më shumë thonjtë. Pas vdekjes, në fakt, qelizat e trupit tonë fillojnë të vdesin edhe ato, duke qenë se ndalet furnizimi me oksigjen i indeve. Pa oksigjen nuk ka prodhim të glukozës, “karburantit” për rritjen e qelizave. Të parët që vdesin janë indet e trurit, pastaj gradualisht të gjithë të tjerët. Është vlerësuar se qelizat që prodhojnë thonjtë ndërprein përgjithmonë funksionimin e tyre rreth 12 orë pas vdekjes, por kjo kohë nuk është e mjaftueshme, që të vazhdojë rritja, duke pasur parasysh se një thua rritet mesatarisht me 0.1 mm ditë. Në fotografinë më lartë, një kopje e mumjes së Tutankhamunit.

2. Cikli i menstruacioneve ndjek fazat Hënore

Nëse do të ishte e vërtetë që menstruacionet ndikohen nga pozicioni i Hënës, grave do u vinin “ato”, të gjithave në të njëjtën kohë. Ideja se Hëna ndikon në punët e grave rrjedh nga fakti se kohëzgjatja e periudhës që shpie në pjekurinë e vezës (rreth 28 ditë) dhe cikli hënor (29 ditë e gjysmë) duken njësoj të gjata. Vlera të ngjashme, por jo të mjaftueshme për të qenë në të njëjtën fazë: në hapësirën prej dy muajsh, në fakt, kjo dukuri do të çfazohej me tre ditë, dhe pas dhjetë muajsh rreth pesëmbëdhjetë ditë. Kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se të dy fenomenet nuk kanë asnjë lidhje.

3. Ne kemi vetëm pesë shqisa

E pavërtetë, shqisat janë në fakt shumë më tepër. Eshtë properceptimi, domethënë shqisa që na lejon të ndjejmë pozicionin e trupit tonë, e të përshtasim si pasojë, tensionin e muskujve dhe pozicionin e nyjeve. Ne gjithashtu zotërojmë ekuilibrin dhe shqisën e përshpejtimit që, për shkak të aparatit vestibular që gjendet në veshin e brendshëm, i lejon trupit të përshtasë sjelljen dhe lëvizjen. Gjithashtu edhe fakti që kuptojmë se çfarë temperature ka mjedisi është i rëndësishëm, dhe ne mund ta bëjmë këtë gjë, për shkak se lëkura jonë është e pajisur me receptorë të ndjeshëm ndaj të nxehtit dhe të ftohtit. Ndërsa për të ndjerë dhimbjen, hyjnë në lojë të gjithë terminalet nervore që gjenden pothuaj në të gjithë organet dhe në lëkurë, por jo në tru.

4. Ne përdorim vetëm 10% të trurit

E pavërtetë. Truri është një organ eficient, nga pikëpamja energjetike e evolutive: nuk do të kishte kuptim që të kishte një tepricë të tillë qelizash nervore të papërdorura. Miti i rremë e ka origjinën në deklaratat e psikologut Uilliam James, sipas të cilit ne përdorim vetëm një pjesë të vogël të burimeve tona mendore. Teknikat e imazhit të trurit e kanë hedhur poshtë, ato tregojnë se pjesa më e madhe e trurit është e përfshirë edhe në aktivitetet e thjeshta, si gjumi. Përqindja ka kuptim vetëm në qoftë se ju mendoni në lidhje me natyrën e qelizave të trurit, të përbëra 90% nga qelizat me funksion ushqimor, të cilat mbështesin 10% që janë neurone.

5. Gjuha i ndjen shijet në zona të ndryshme

E pavërtetë, shijet ndihen në të gjithë sipërfaqen e gjuhës, falë “sythave” të gjuhës. Mjafton që të prekim fare pak me gjuhë mbajtësen e kripës, për të ndjerë shijen e kripur. Origjina e mitit të “hartës së shijeve” është në vitin 1901, kur u botua një artikull i shkruajtur nga shkencëtari gjerman David Hanig, ku rrëfehej se si ndjeshmëria ndaj shijeve e disa vullnetarëve, ishte mbase më e fortë në disa zona, se sa në disa të tjera. Më pas, ishte psikologu amerikan Edvin Boring në vitin 1942, që futi idenë se në disa zona ndiheshin disa shije të caktuara, duke qenë se kish lexuar veprën e Hanig. Vetëm në 1976, shkencëtarja Virginia Collings, me eksperimente të reja, shkroi se gjuha percepton cdo shije në të gjithë sipërfaqen e saj. / bota.al

 

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *