Home»Nunc est Bibendum»Nuk është shaka /  Piperi dhe Vera, si motorrë të zhvillimit të qytetërimit perëndimor

Nuk është shaka /  Piperi dhe Vera, si motorrë të zhvillimit të qytetërimit perëndimor

Pak nota humori në rreshta duket se i shkon për shtat leximit në fundjavë, (pa gjykuar aspak ata që lënë leximet më angazhuese për këto ditë). Tek e fundit, në këto kohëra, rrallë ndeshesh me një lexim dëfryes, inteligjent e pikant sa vetë argumenti që trajton.

Reshtat e mëposhtme janë marrë nga një traktat humoristik i shkruar nga historiani i famshëm i ekonomisë, Carlo M. Cipolla, i titulluar “Allegro ma non troppo”, e që lindi si një dhuratë-lexim për miqtë e tij, diku rreth viteve ‘70. “Allegro ma non troppo” ndahet në dy pjesë: e para i dedikohet rolit të erëzave (e të piperit në veçanti) dhe verës, në zhvillimin ekonomik të Mesjetës, ndërsa e dyta trajton ligjet thelbësore të budallallëkut njerëzor, një tjetër must, për të mos u humbur. Natyrisht, për sot, do të merremi vetëm me të parën.

Cipolla, si një historian i madh i ekonomisë që ishte, përqëndrohet gjerësisht në funksionin social-demografik të piperit, në Mesjetën e hershme. Teza e tij e pikënisjes, është se një nga shkaqet e rënies së Perandorisë Romake, duhet kërkuar në përdorimin e tepruar të plumbit. Duke mos njohur rolin e fuqishëm në sterilizim e kapsllëk të plumbit, romakët zjenin edhe verën në enë prej plumbi për ta ruajtur më mirë, por duke vepruar kështu, duke besuar pra se po sterilizonin verën, romakët nuk e kuptonin se po ktheheshin ata vetë në shterpë. Dhe kështu Barbarët morën epërsi, dhuna dhe bastisjet e tyre çuan në një nivel vdekshmërie veçanërisht të lartë, me shkatërrim kudo, një konstante kjo e shekujve të errët të Mesjetës së hershme.

Me fillimin e mijëvjeçarit të ri – e këtu i aplikojmë disa reduktime versionit të autorit – në perëndim organizohen dhe promovohen kryqëzatat e para, për të liruar Tokën e Shenjtë nga rreziku islamik, por edhe për të hapur rrugë të reja të komunikimit për furnizimin me erëza nga Lindja, piperit në veçanti. Siç dihet, piperi është një afrodiziak i fuqishëm dhe duke e pasur atë në dispozicion në sasi të mëdha, ai mundi të kontribuojë ndjeshëm në një rritje të re dhe të fuqishme të popullsisë.

Me rritjen e sasisë së piperit në qarkullim, u rrit edhe bollëku i burrave të cilët, duke pasur parasysh që gratë e bukura rreth tyre, qenë mbyllur në brezat e tyre të dëlirësisë, të imponuara  nga kryqtarët, për të shmangur shaka jo të këndshme gjatë mungesës së këtyre të fundit, zhvilluan një interes të papritur për përpunimin e hekurit. Pra, piperi ishte forca lëvizëse në krijimin e një ekonomie të bazuar në metalurgji. Dhe kjo është arsyeja pse asokohe lindën edhe mbiemrat si Smith, Fabbri, Ferrari, Lefevre (që në gjuhë të ndryshme do të thotë farkëtar a hekurpunues) etj, dhe ishte po në sajë të aftësive të tyre, që rritja e popullsisë pësoi një tjetër rritje të lartë.

Në këtë pikë, në këtë tregim të ngjeshur hyn në skenë Anglia. Klima e lagësht e atyre zonave ka favorizuar gjithnjë kullota të shkëlqyera dhe të bollshme, dhe kope delesh të panumërta, që mundësonin prodhimin e sasive të mëdha leshi, të cilësisë së shkëlqyer.

Italianët qenë të parët që kuptuan rëndësinë e leshit anglez, për ta kthyer atë në pëlhura të bukura. Kështu që u hap një kanal tregtar i cili i lejoi britanikët – kryesisht murgjit, pasi leshin e  shisnin konventat dhe manastiret – të pasuroheshin.

Murgjit u bëtë të pasur, por duke qenë murgj, me faturat e tyre nuk mund të blinin apo konsumonin dhe aq shumë piper, për shkak të efekteve anësore të përshkruara më lart. Pra, nuk u mbetej gjë tjetër veç verës. Por vera angleze ishte e keqe (edhe Guljelm Ngadhnjimtari, kur vendosi të pushtonte Anglinë, mori me vete një sasi të konsiderueshme vere franceze) dhe britanikët nga ana e tyre, ishin të vetëdijshëm për këtë, ashtu siç ishin të vetëdijshëm edhe për nevojën e një strategjie, që do t’u siguronte furnizime vere, të denjë për vetë emrin e saj.

Dhe këtu hyn në lojë figura e Eleonorës  së Akuitanjës (e njohur edhe si gruaja që deshi të bëhet mbretëreshë dy herë), e cila në vitin 1137 u martua me Mbretin Luigji VII të Francës, duke sjellë në pajë edhe vreshtat e mrekullueshëm të Dukatit të atëhershëm të Akuitanjës (rajoni me kryeqendër qytetin e Bordeaux-së). Problemi (si të thuash) ishte se Eleonora nuk e fshihte bukurinë, inteligjencën, bollëkun e saj intrigues, të ekzaltuara edhe në sajë të konsumit të madh të piperit. Luigji i VII-të nga ana tjetër ishte një burrë i devotshëm, dhe i dashuruar me gruan e tij, por jo në gjendje për t’a kënaqur atë intelektualisht dhe fizikisht. Shoqëria e tij e preferuar ishin murgjit dhe liturgjitë e tyre.

Në vitin 1144, Mbreti Luigji i VII-të mori pjesë në kryqëzatë dhe Eleonora, e cilat siç e kemi parë nuk ishte një tipi që mbetet në shtëpi e mbyllur në një brez dëlirësie, ndoqi pas burrin e saj dhe mbeti e mahnitur nga mrekullitë dhe kënaqësitë e Lindjes. Por kjo aventurë, në vend që të forconte këtë martesë tashmë të lëkundur, e shkatërroi plotësisht atë, dhe disa vjet më vonë Luigji i kërkoi Papës anullimin, dekreti i të cilit u shpall në vitin 1152.

Eleanora nuk humbi kohë: pak më shumë se një muaj pas anulimit, u martua me Henrin, Dukën e Normandisë (midis të tjerash djali i Gofred Bukuroshit …), nga ana e nënës trashëgimtar i fronit të Anglisë, në të cilin Henri u ngjit në vitin 1154.

Dhe kështu gjithçka kopsitet më së miri: Henry kishte trashëguar nga i ati krahinat e Normandisë, Maine, Anzhu dhe Touraine. Duke u martuar me Eleanorën siguroi Akuitanjën dhe kështu Mbreti i Anglisë e gjeti veten në kontroll, jo vetëm të Anglisë, por edhe të më shumë se dy të tretave të tokës franceze, përfshirë vreshtat madhështore që lulëzonin aty.

Që atëherë verërat franceze filluan të rrjedhin rregullisht dhe në sasi të konsiderueshme në tregun e Britanisë së Madhe.

Por mbi të gjitha, na kujton Cipolla, “Tamam atëherë kapitalizmi mesjetar arriti kulmin e tij: piperi, vera dhe leshi ishin përbërësit kryesorë të prosperitetit të përgjithshëm, piperi ruajti sigurisht rolin e asaj që Marksi e quajti motor i historisë”.

Rrëfejnë se rreth dy shekuj më vonë një sherr tjetër plasi, mes mbretit të Francës dhe Mbretit të Anglisë  – për pronësinë e vreshtave në tokë Franceze –  që çoi në “Luftën e njëqind vjetëve” (edhe pse kjo luftë zgjati 116 vjet), ku Zhan D’Ark luftoi aq trimërisht, që vera franceze të mbetej nën rregullat franceze të Appelation contrôlée.

Por kjo është një histori tjetër …

Përgatiti: Andi Qinami / Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *