Home»Analiza»Gjak në bulevardin më të famshëm të botës. Aty ka kaluar historia e Francës

Gjak në bulevardin më të famshëm të botës. Aty ka kaluar historia e Francës

Skena që tronditi jetën e bulevardit më të famshëm të botës, peshon rëndë me dramaticitetin e saj, në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sepse ashtu si ndodh shpesh në këto raste, simbologjia e vendit ku ka ndodhur ndërhyn në ndjeshmërinë kolektive dhe amplifikon jehonën ndërkombëtare. Champs-Elysées, janë njëkohësisht vendi i kujtesës dhe historisë së vendit, si dhe qendra nevralgjike e turizmit, vitrinave të luksit, jetës së natës.

Në kilometrat që lidhin Place de la Concorde me Harkun e Triumfit, zhvillohet përvit parada e festës kombëtare. Këtu ka kaluar historia e afërt dhe e largët, nga Revolucioni tek pushtimi nazist, nga Çlirimi tek takimet e mëdha diplomatike ndërkombëtare. Këtu kanë kaluar lëvizje dhe protesta, përmbysje sociale dhe mesazhi i Francës universale. Dhe këtu është traditë që të festohet dhe përshëndetet presidenti i sapozgjedhur i Republikës, edhe sepse menjëherë më pas, në Harkun e Triumgit, është festa e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Por historia mbetet në sfondin e një arterie që ka festë përditë, duke pasqyruar deri në mëngjes vitrinat e luksit, shenjat dhe logot e hoteleve të mëdhenj, të lokaleve të natës, të restoranteve të famshëm, të salloneve të automjeteve. Në kohët më të vona, vitrina e Parisit ka dërguar edhe reflekse të tjera, duke u bërë edhe pasqyra e Francës së sotme. Të pastrehët e vendosur në çdo qoshe, fauna e përnatshme e prostitutave dhe atyre që vrasin kohën, inkursionet e bandave të të rinjve nga periferitë ku mbizotëron dhuna dhe islamizmi radikal.

Champs-Elysées e ruajnë magjepsjen në çdo orë të ditës, lartësuar prej turmave të turistëve që zgjedhin këtë vend, për selfie-n e një dite në Paris.

Por prej kohësh, dritat reflektojnë nostalgji melankolike të një “art de vivre”, që sot është venitur.

Dhe dje në mbrëmje, të shkreta dhe të bllokuara nga kordonët e policisë, i tregonin botës një Francë të humbur e të frikësuar. / Masimo Nava – “Corriere.it” – Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *