Home»Bota»Erdogan: Kjo është një fitore për të gjithë në Turqi. Hera e parë që sistemi ndryshon prej qytetarëve

Erdogan: Kjo është një fitore për të gjithë në Turqi. Hera e parë që sistemi ndryshon prej qytetarëve

Referendumi i 16 prillit për amendimet kushtetuese, për të zhvendosur sistemin e qeverisjes së vendit në një presidencë ekzekutive, shënon një fitore për të gjithë në Turqi, deklaroi Presidenti Erdogan, në komentet e tij të para mbi rezultatet.

“16 prilli është fitore për të gjithë Turqinë, për cilindo që votoi edhe pro, edhe kundër, në 80 milionë banorët, 81 provincat dhe 780 mijë katrorët e vendit. Turqit që jetojnë jashtë vendit janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje”, tha Erdogani në një konferencë shtypi në Pallatin Huber në Stamboll, duke thënë se sipas rezultateve jo zyrtare, janë hedhur 25 milionë vota “pro”.

Erdogani gjithashtu e quajti vendimin e publikut për të miratuar sistemin e ri të qeverisjes, një vendim historik dhe falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen e tyre, me qëllim krijimin e një posti presidencial me kompetenca të zgjeruara në masë të madhe.

“Sot, Turqia dha një vendim historik mbi sistemin e saj të qeverisjes, gjë që ka qenë çështje e debatueshme për 200 vjet”, tha Erdogan, duke falënderuar të gjithë qytetarët që iu drejtuan kutive të votimit, pavarësisht nga ngjyra e votës të tyre.

“Siç u shpreha teksa hidhja votën time sot, ky amendim kushtetues nuk është një ndryshim i zakonshëm. Eshtë shumë i ndryshëm dhe shumë kuptimplotë”, tha ai.

“Eshtë hera e parë që ne ndryshojmë sistemin e qeverisjes, me dorën e politikës qytetare. Në këtë kuptim është shumë i rëndësishëm”, shtoi Erdogani.

Presidenti tha gjithashtu se vendi ishte duke realizuar reformën më të rëndësishme të qeverisjes, në histori. “Siç ka ndodhur gjithmonë, në këtë referendum ka qenë e kollajtë të mbrosh atë që ekziston dhe e vështirë të mbrosh ndryshimin. Falë Zotit kemi arritur një gjë të vështirë, dhe po realizojmë reformën më të rëndësishme të qeverisjes në historinë tonë, me ndihmën e kombit tonë”, tha ai.

Presidenti theksoi gjithashtu se votat e hedhura sidomos nga provincat lindore dhe juglindore kishin një domethënie të veçantë, duke vërejtur se të gjithë provincat në juglindje kishin patur një rritje mes 10 dhe 20 përqind.

Po kështu, duke iu drejtuar turmës që festonte rezultatet e referendumit përpara pallatit, Erdogani tha se do të diskutonte menjëherë çështjen e rikthimit të dënimit me vdekje, me kryeministrin dhe lidretin e Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP).

“Unë do ta diskutoj menjëherë këtë çështje me Kryeministrin dhe Z. Bahçeli. Unë do të them që “gjithmonë e kam inkurajuar këtë gjë”, Z. Bahçeli ka thënë se “Do e mbështes” dhe Z. Yildirim po kështu. Por edhe Kılıçdaroğlu ka thënë se do e mbështesë. Nëse ai vërtetë e mbështet dhe vjen puna tek unë, do ta miratoj. Përndryshe, çfarë do të bëjmë? Do të kemi një tjetër referendum edhe për atë”, tha Erdogani. / Hurriyet – bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *