Home»Magazine»Personazhe»A e dinit që në rini, Napoleon Bonaparti premtonte shumë pak…

A e dinit që në rini, Napoleon Bonaparti premtonte shumë pak…

Bonapartët (Buonapartes në italisht) e kishin origjinën nga Italia, por Napoleoni u lind në një degë të familjes që u zhvendos në Korsikë [ishulli në Detin Mesdhe, që i përket Francës]. Prindërit e tij ishin të dy pjesë e fisnikërisë së vogël Korsikane dhe ishin martuar të rinj. Çifti kishte patur një djalë tjetër të quajtur Napoleon, katër vjet para se të lindte Napoleoni më i famshëm, por fëmija u vdiq në foshnjeri. Duke u rritur në Korsikë, gjuha e parë e Napoleonit ishte italishtja, jo frëngjishtja. Megjithatë, duke qenë se familja e tij ishte e kamur (sipas standardeve Korsikane), ai dhe vëllai i tij Jozefi u dërguan në akademi ushtarake në Francë.

Napoleoni nuk u përshtat veçanërisht mirë. Ndërsa e mësoi frëngjishten, ai fliste me një theks që tradhëtonte rrënjët e tij dhe të gjithë e ngacmonin, se tingëllonte si fshatar. Për më tepër, djemtë e tjerë vinin nga familje të lidhura mirë dhe më të pasura, dhe ndërsa ata ishin më të mirë në vallëzim, aftësitë e Napoleonit ishin më të forta në kopshtari. Nuk ishte një fillim premtues për një djalë i cili, në kohë të ndryshme, ëndërronte të bëhej, herë oficer në marinën franceze, e herë të tjera instruktor i artilerisë në Perandorinë Osmane. Sa ndryshe do të kish qenë historia, nëse ai do të kish marrë një nga ato rrugë.

Në moshën 15 vjeç, Napoleoni u pranua në École Militaire, shkolla ushtarake elitare e Parisit. Ky ishte një nder i madh, i cili u shndërrua në katastrofë kur babai i tij vdiq nga kanceri i stomakut, ndërsa Napoleoni ishte ende në vit të parë. Tashmë, nga kadeti i ri pritej që të ishte burimi kryesor i të ardhurave të familjes, e në të njëjtën kohë të ndiqte një nga shkollat më të shtrenjta në Francë. Situata e detyroi të përfundonte kursin dyvjeçar në vetëm një vit, dhe ndërsa doli vetëm i 42-i në një klasë me 58 studentë, diplomimi nënkuptonte se ai mund të bëhej oficer menjëherë pas ditëlindjes së tij të 16-të.

Deri në vitin 1791, kur lufta ishte gati të shpërthente në të gjithë Evropën, Napoleoni, ende një toger i dytë i vendosur në një qytet-garnizon të fjetur, mori lejen për të parë familjen e tij në Korsikë. Zor se ishte starti i duhur për një karrierë ushtarake, siç mund të imagjinohet. Askush nuk mund të kishte parashikuar që brenda 10 vjetësh, Napoleoni do të ishte komandanti më i frikësuar ushtarak në Evropë, dhe më vonë do të bëhej një nga gjeneralët më të mëdhenj të historisë. /bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *