Home»Analiza»Gjeopolitika “made in Donald Trump”

Gjeopolitika “made in Donald Trump”

Administrata e re amerikane ka dashur të dërgojë një sinjal të fortë, kur, në fund të shkurtit, prezantoi linjat kryesore të buxhetit të ardhshëm federal, i cili parashikon një rritje të konsiderueshme në sektorin e mbrojtjes: forcat e armatosura të Uashingtonit, në fakt, do të shohin buxhetin e tyre, i cili tashmë i kalon 600 miliardë dollarët, të shtohet edhe me afro 54 miliardë, një shifër kjo e fundit, që kalon edhe buxhetin vjetor të Mbretërisë s Bashkuar për këtë sektor.

Donald Trumpi ka dashur të dërgojë një mesazh të qartë, që bie ndesh me interpretimet e vizionit të tij për botën, shprehur nga shumë komentues gjatë fushatës zgjedhore: parimi “Amerika e para”, në fakt, nuk duhet të kuptohet si thirrje për një neo-izolim, i cili është i parealizueshëm në kohën e globalizimit, por si shprehje e vullnetit për të kapërcyer “paaftësinë e politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë, për t’i dhënë përparësi interesave të veta, si dhe për t’u caktuar mjeteve në dispozicion, objektiva realiste”, siç shkruan Uilliam A. Hay në numrin e fundit të “Limes”. Pra, flitet jo për tërheqje nga skenarët ndërkombetarë, por për kërkimin e një pozicionimi të ri strategjik për Shtetet e Bashkuara i cili, në optikën e Trumpit, për të qenë efektiv, duhet domosdoshmërisht të kalojë nëpër forcimin e aparatit ushtarak më të madh të planetit, siç shprehet me elokuencë në vetë faqen e Shtëpisë së Bardhë.

Rritja e propozuar nga Trumpi për shpenzimet në aparatin ushtarak kanë shkaktuar opinione të përziera, dhe kanë nxitur shumë komente në botën politike dhe atë të informacionit në SHBA: sipas Caitlin Talmadge të “Neë York Times”, fakti që Trumpi ka vendosur të rrisë investimet në ushtri, duke ulur në masë të madhe financimet për Departamentin e Shtetit, nxjerr në pah një preferencë të qartë për gjeneralët dhe admiralët nga Presidenti, në vend të burokracive tradicionale, dhe kundërshtari historik i Trumpit mes republikanëve, senatori John McCain, padyshim që nuk mund të deklarohet i zhgënjyer me zgjedhjen e Trumpit. Prioriteti që Trumpi është i gatshëm t’i japë zhvillimit të United States Navy, pajtohet gjithashtu me vizionin strategjik të McCainit dhe, mbi të gjitha, tregon se Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë kanë identifikuar tek Kina, konkurrentin kryesor strategjik të Uashingtonit, për për vitet që do të vijnë.

Në fakt, në ujërat e Oqeanit Paqësor, strategjitë kontradiktore gjeopolitike të Pekinit dhe Uashingtonit e dinë vijën e tyre të ndarjes: nga njëra anë është projekti ambicioz kinez “Rruga e re e Mëndafshit”, të cilit Republika Popullore ka në plan t’i japë, si një zhvillim të transportit tokësor, ashtu edhe detar; nga ana tjetër mosgatishmëria amerikane për t’u tërhequr nga pozicionet e veta, dhe për të siguruar zgjerim të mëtejshëm të një fuqie detare të pasfidueshme nga asnjë rival, në gjendjen aktuale. Duke folur nga kuverta e USS “Gerald R. Ford”, Trump njoftoi se do të zgjerojë madhësinë e flotës amerikane, duke siguruar për hyrjen në linjë të dy super-aeroplanmbajtëseve, të ngjashme me atë që mban emrin e pasardhësit të Richard Nixonit, e cila, me 13 miliardë dollarët që ka kushtuar, është anija më e kushtueshme e ndërtuar ndonjëherë.

Aeroplanmbajtëse do të thotë projektiim force, ose mundësi globale operative të cilat sot janë përtej Marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, pavarësisht projekteve ambicioze të riarmatimit, të nisura tashmë nga Pekini. Shtetet e Bashkuara të Trumpit, nën profilin gjeopolitik ushtarak, e konsiderojnë marinën një instrument shumë të dobishëm presioni mbi Kinën, në një periudhë që i sheh ata në vështirësi, sa i përket strategjisë së madhe, si dhe të pasigurt për planin e veprimit, që do të vënë në zbatim në hapësirat oqeanike: në qoftë se vetëkontrolli dhe vetëpërmbajtja e vënë në zbatim nga Obama, zëvendësohet me strategjinë e rikthimit, atëherë pozicionimi i grupeve detare aeroplanmbajtëse në një distancë të shkurtër nga brigjet e Republikës Popullore dhe mbi të gjitha, nga ujërat zjarrta të Detit të Kinës Jugore, do të përbënte një hipotezë më bindëse. Alberto de Sanctis në “Limes” shkruan se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë vendosmërisht një dorë në “Tridhëmbëshin e Neptunit” të fuqive detare,  duke u rezervuar që ta përdorin atëherë kur të jetë në funksion të ambicieve të veta strategjike.

Në 4 mars, mbledhja e përvitshme e Kongresit Kombëtar Popullor miratoi një rritje prej 7% të buxhetit ushtarak kinez, duke mbetur brenda programeve të projektuara në vitet e mëparshme dhe duke mos bërë ndryshime radikale, për shkak të tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara, që udhëheqësit e Pekinit nuk kanë asnjë interes që t’i rindezin. Të mbetura afërsisht në përputhje me normën e rritjes së ekonomisë, shpenzimet kineze në forcat e armatosura nuk do të ndryshojnë, për vitin 2017, nga pjesa modeste prej 1.3% të PBB-së. Plani i riarmatimit detar, i zhvilluar nga Republika Popullore në vitet e fundit, bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm pas hyrjes në linjë të aeroplanmbajtëses Liaoning, por ai nuk është i destinuar të shndërrohet, të paktën tani për tani, në një garë të qëndrueshme armatimi. Ndërkohë që Kina këmbëngul me strategjinë e saj pragmatiste dhe nuk ka ndërmend që të devijojë burimet nga investimet e saj të gjerë të infrastrukturës, Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të përforcuar rolin e forcave të armatosura, në funksion të pozicionimit të tyre strategjik dhe nuk janë të gatshme të heqin dorë nga rolii tyre, si fuqia kryesore ushtarake: “Amerika e para”, sipas Trumpit, në fund të fundit nënkupton edhe këtë. / IlGiornale – Përgatiti: bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *