Home»Bota»Udhëheqësi i dashur nuk harron. Ai të vret!

Udhëheqësi i dashur nuk harron. Ai të vret!

Kim Jong-namit pëlqente të bënte veçanërisht dy gjëra: të luante në kazino dhe të shkonte me femra. Nga ana tjetër, por vetëm nëse vërtetë duhej të bënte një gjë tjetër, ai pëlqente që të kalonte ditë të tëra në parqe argëtimi, nga një lojë tek tjetra, si një fëmijë i rritur. Një gjë e tmerronte. Ose më saktë, një person: gjysmë-vëllai i tij, Kim Jong-un, kreu suprem i Koresë së Veriut, diktatori sa grotesk, aq edhe mizor. E kishte aq shumë frikë, saqë u thoshte miqve: “Unë po jetoj përtej kohës time maksimale”. Tani, koha mbaroi, atë e vranë. Dhe e bënë, ashtu si ndodh shpesh në atë pjesë të botës, në mënyrë spektakolare, si në një film me spiunazh.

Kim Jong-nam vdiq në Malajzi, në 13 shkurt, në aeroportin e Kuala Lumpurit. Po hipte në një avion me pasaportë fale, për të shkuar në Macao, ku jetonte prej vitesh mes luksit, i rrethuar nga dy qentë shumë të dashur husky, nën mbrojtjen e shërbimit të fshehtë kinez. Pamjet e një videokamere e tregojnë tek pret në radhë për check-in. Dy gra i afrohen. Njëra mban veshur një xhup të bardhë ku është shkruajtur Lol (laugh out loud – qesh me zë).

Ajo i vendos një rrobë në fytyrë, ndërsa vajza tjetër e spërkat me diçka. Kalojnë disa sekonda, pastaj gratë largohen. Viktima nuk duket se ndihet keq, bisedon me rojet e sigurisë, denoncon incidentin. Pas disa minutash bie. Vdes menjëherë pas, teksa po e transportojnë për në spital. Autoritetet e Malajzisë ende nuk duan të bëjë të ditur rezultatet e autopsisë. Ajo që dihet është se Koreja e Veriut ka bërë thirrje për dorëzimin e trupit, por gjykatësit nuk pranojnë. Tensioni mes dy vendeve është në maksimum.

Dy gratë e përfshira janë ende në burg në Kuala Lumpur. Sipas pasaportave, njëra është vietnameze, tjetra indoneziane. Ishin larguar nga aeroporti në një taksi, nga një rrotull me kartëmonedha. Kanë treguar më pas se dikush i kish futur në kurth: që një gjoja trupë i kish paguar për të realizuar një xhirim për një emision humori. Dhe se atë ditë kishin spërkatur me ujë shumë njerëz, dhe asgjë nuk kish ndodhur. Viktima e fundit e “shakasë” ishte Kim Jong-nam. Natyrisht, nuk e dinin se kush ishte.

E vërtetë? Gënjeshtër? Sigurisht, dy gratë duken pak si shumë naive, për të qenë vrasëse profesioniste. Një nga të dyja, megjithatë, është eksperte kimie. Në pranga kanë përfunduar edhe të dyshuar të tjerë, të gjithë me origjinë nga Korea e Veriut. Për më tepër, duket se ka pasur një tentativë rrëmbimi të kufomës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Por pse duhet të vdiste Kim Jong-nam? Dhe pse tani? Gjysmë-vëllai diktator, në paranojën e tij, ndoshta kishte frikë se rreth tij mblidhej opozita ndaj regjimit. Ndoshta për shkak se ka qenë një kohë kur udhëheqësi i caktuar ishte vetë Kim Jong-nam, i pari i bijve të “udhëheqësit të dashur”, diktatorit Kim Jong-il, i cili vdiq nga një atak në zemër në vitin 2011.

Nëna e tij ishte Song Hye-rim, partnerja e tiranit. Atëherë gruaja ishte “Nëna e Respektuar që është më Besnikja e Udhëheqësit të Dashur dhe Komanantit Suprem”.

Kur marrëdhënia me gruan përfundoi, lideri i dashur u lidh me Ko Yong-hui, dhe ata lindën dy djem, Kim Jong-Chol, që u përjashtua nga trashëgimia, sepse konsiderohej “shumë femëror”, dhe presidenti aktual, Kim Jong-un. Në fakt vëllai i madh nuk dukej aspak i interesuar që të pretendonte pushtetin e liderit suprem. Siç u tha, në vend se të komandonte, ai preferonte që të bënte ndonjë gjë tjetër. Kur u kap në Japoni me një pasaportë të rreme, ai rrëfeu se ishte zakon i tij që të shkonte në Tokio për të vizituar bordellot e lagjes Yoshiuara. Kaq mjaftoi dhe familja e largoi. Kur i vdiq i ati dhe gjysmë-vëllai i tij erdhi në pushtet, ai i tha një gazetari japonez se regjimi i Koresë së Veriut ishte “një shaka me pjesën tjetër të botës”.

Të nesërmen ai u largua me nxitim nga Pheniani, me destinacion Macaon. Duket se kishin provuar tashmë që ta vrisnin, në vitin 2012. Familjarët e tij ranë një nga një. Disa vuajtën në mënyrë mizore, si xhaxhai i tij Jang Sung-taek i cili, thuhet, iu hodh qenve të diktatorit që ta shqyenin. Mbase është ekzagjerim. Fakti është se fati i Kim Jong-nam ishte i shënuar, edhe pse ai mund të fshihej dhe të ndryshonte pasaportën. Në qoftë se vëllai i tij ka një dhunti, kjo është këmbëngulja. Ai e donte të vdekur dhe kështu ndodhi. Nuk do të jetë i fundit, me siguri. / “Investigate NZ” – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *